Arti në vlerë prej 1 miliard dollarësh që i përket bashkëthemeluesit të ndjerë të Microsoft, Paul Allen, do të shitet në ankandin më të madh të artit në histori.
Shtëpia e ankandeve Christie's tha se të ardhurat nga shitja e nëntorit do të jepen për bamirësi, siç dëshironte Allen, raportoi BBC të premten.
Koleksioni përfshin kryevepra nga Botticelli, Renoir, David Hockney dhe Roy Lichtenstein.
Allen, i cili bashkëthemeloi Microsoft-in në vitin 1975 me shokun e tij të fëmijërisë Bill Gates, vdiq në vitin 2018 në moshën 65-vjeçare.
Në ankand do të shiten 150 vepra arti që përfshijnë 500 vjet.
Pjesët do të përfshijnë La Montagne Sainte-Victoire të piktorit francez Paul Cezanne, me vlerë më shumë se 100 milion dollarë.
Themeluesi i shtëpisë së ankandeve Christie's, Guillaume Cerutti tha se ankandi do të ishte si asnjë tjetër më parë.
“Figura frymëzuese e Paul Allen, cilësia e jashtëzakonshme dhe diversiteti i veprave, dhe përkushtimi i të gjitha të ardhurave për filantropinë, krijojnë një kombinim unik që do ta bëjë shitjen e Koleksionit Paul G Allen një ngjarje me përmasa të paprecedentë”, tha ai.
Allen la rolin e tij në Microsoft në 1983 pasi u diagnostikua me limfomën Hodgkin, një formë e rrallë kanceri.
Marrëdhënia e tij me bashkëthemeluesin, Bill Gates gjithashtu ishte përkeqësuar, por u përmirësua më vonë. Ai qëndroi në bordin e kompanisë deri në vitin 2000.