Aksiniya Peycheva dhe Nikola Mihov, së bashku edhe njëzet e tre artistë të tjerë, janë pjesë e projektit të titulluar “Self-splaining (një Triumf i Empatisë)”, i cili gjendet i ekspozuar në kuadër të “Manifestas 14”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Me ndihmën e fotografive të shumta të cilat shfaqeshin në monitor, Aksiniya Peycheva ishte ajo e cila e nisi e para diskutimin në Qendrën për Praktikimin e Rrëfimeve, ish-biblioteka “Hivzi Sulejmani” . Të gjitha këto fotografi do t’i shërbenin asaj që ta paraqiste para publikut procesin sa më të detajuar dhe shpjegues të krijimit të veprave të saj, të ekspozuara nën titullin “BioRecontstruction (…of a Future Moment)” të hapur më 2019.
“Unë punoj në një seksion të ndërlidhur mes artit, shkencës dhe teknologjisë dhe në veprat e mia bashkëpunoj me shkencëtarë të ndryshëm. Kjo është ekspozita ime e tretë personale dhe ndahet në katër fragmente” nisi ajo prezantimin e mënyrës së krijimit të artit të saj.
Tema e veprave të saj kishte të bënte me atë se si i qasemi ne traumës dhe përmes tyre publiku e kishte më të lehtë ta shihte atë.
“Ekspozita ka të bëjë praktikisht me problemin për të cilin unë po hulumtoj qe disa vite lidhur me faktin se si mund t'i qasemi temës së traumës dhe në këtë rast po jua shfaq përmes këndvështrimit të objekteve. Objekte të cilat janë pjesë e botës së artit, të cilat janë braktisur apo edhe vende të ndryshme”, ka thënë ajo.
I tërë ky projekt nisi me disa vizatime portretesh që ajo i kishte bërë gjatë kohës kur kishte qenë studente në fakultetin e arteve dhe të cilat, në rend të parë, ajo nuk i kishte konsideruar vepra arti prandaj kishte lindur pyetja se si mund t’i shndërronte në vepra arti.
“Kjo pjesë e projektit quhet ‘living faces’ dhe fillon me vizatimin që kam bërë këtu në vitet e studimeve në Sofje, sepse studioj akademinë e artit që është një sistem arsimor shumë klasik, ju studioni pikturë, vizatim etj. Pra, këto janë vepra që unë nuk i konsideroj art, por me kalimin e kohës nisa të pyes veten se si mund t'i kthej ato në art”, nisi ajo shpjegimin.
Kështu, duke dashur që ato t’i shndërrojë në vepra arti, Peycheva ndihmoi rritjen e mikrobeve të cilat gjendeshin në to dhe përmes kësaj t’i bënte ato të dukshme për publikun.
“Ato ishin të vendosura në derën time dhe kishin nisur të dekontaminoheshin. Unë nuk isha kujdesur për to, kështu që përdora kimikate për ta shpejtuar këtë proces të dekontaminimit. Nisa t’i lyej me mikrobilogjikal media. Nëse nuk keni dëgjuar më herët për këtë term, microbilogjial media është një produkt kimikal të cilin mikrobiologët e përdorin për t’i zhvilluar bakteret. Ai bën që bakteret të rriten, kështu që me kalimin e kohës mund të shihni se si ato zmadhohen në koloni të mëdha”, ka treguar ajo para të pranishmëve në sallë.
Një punim i tillë, ku paraqitet një portret mashkulli i mbuluar tej për tej me pika të vogla ngjyrë të kaltër e disa më të mëdha me ngjyrë të zezë, është pjesë e projektit “Self-splaining (një Triumf i Empatisë)”, i cili gjendet në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Pas saj, diskutimi vazhdoi me artistin tjetër, Nikola Mihov. Ndryshe nga Peycheva, Mihov nuk foli për veprën të cilën e ka ekspozuar në projektin “Self-splaining (një Triumf i Empatisë)”, por për disa pjesë të tjera të cilat lidhen po ashtu edhe me atë vepër e të cilat, të gjitha së bashku përbëjnë një projekt të tij.
Mihov i cili njëherësh është edhe koleksionues gjërash, kishte sjellë për publikun me dhjetëra fotografi të ndryshme të cilat i vendosi në tavolinën para tij. Të gjitha këto do t’i ndihmonin atij që ta argumentonte në mënyrë sa më origjinale dhe më të besueshme historinë e tij. Kjo histori në të vërtetë flet për jetën e nënës së tij, e cila pazgjidhshmërisht lidhet edhe me vetë atë.
“Më 2018 isha i ftuar që të jem babadimër në një çerdhe fëmijësh në Sofje. Isha i ftuar nga një shoqe e cila punonte aty dhe unë pranova me kënaqësi. Kjo disi më ktheu prapa kur unë vetë isha në çerdhe dhe kur kishte ardhur baba dimri të na vizitonte”, nisi ai rrëfimin.
Nga kjo ftesë nis e lidhet një histori e tërë që ka të bëjë me lidhjen e tij me nënën e të cilën Mihovi e tregoi ngadalë për gati dy orë.
“Kur e bëra këtë në fakt nëna ime ishte shumë e emocionuar dhe më pyeti nëse mund të vinte edhe ajo dhe t’u bashkohej prindërve. Kështu edhe ajo qe aty. Unë i vesha rrobat e baba dimrit mora dhuratat dhe shkova i befasova fëmijët. Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua dhe në fakt më dha një nismë të asaj çfarë do të vazhdonte edhe për shumë vjet më vonë”, shpjegoi ai para publikut plot veshë.
Por, pas kësaj historie pozitive, Mihovi tregoi se si një vit më pas nëna e tij pësoi sulm në tru.
“Një vit më vonë, nëna ime nuk po ndihej mirë dhe unë u ktheva nga një udhëtim që kisha jashtë Bullgarisë. Atë ditë një nga miqtë e saj kishte vdekur, por ajo nuk deshi të shkonte në varrim. Meqenëse unë e dija se sa e rëndësishme ishte kjo për të e ndihmova dhe e shoqërova në varrim”, tregonte ai teksa në fytyrë vazhdimisht i shfaqej një buzëqeshje fëmijërore. Do t’i vdiste gjyshja. Pas dy ditëve nëna e tij, sikurse gjyshja, pati një sulm në tru dhe kjo ndodhi, siç tregoi ai vetëm dy ditë para se ajo t’i mbushte 75 vjet. Pas kësaj ai e vendosi atë në një shtëpi pleqsh të sëmurë ku shkonte ta vizitonte çdo ditë.
Nisur nga ideja se nëna e tij ishte gëzuar kur e kishte parë të veshur si babadimër, Mihov vendosi që një ditë të vishej përsëri si babadimër, por kësaj radhe të shkonte të shtëpia e pleqve ku po qëndronte nëna e tij.
Nisur nga kjo histori e jetës së tij, Mihov në të vërtetë shpjegonte para publikut vetë ciklin jetësor. Babadimri, i cili një ditë i kishte gëzuar fëmijët tani po i gëzonte pleqtë, të cilët ishin gëzuar edhe më shumë kur kishin pranuar për dhuratë ëmbëlsira të ndryshme.
Tërë këtë histori, artisti bullgar e tregoi përmes fotografive shumë personale të marra nga arkivi i nënës së tij dhe vetë atij. Pas përfundimit të diskutimit, publiku pati mundësi t’i shikonte edhe vetë, i cili u la plot emocion.