Kulturë

“Rezidenca 17”, hapësira që bashkon aktivistë e artistë

Interieri i shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sulejmani ka marrë pamje të re dhe tashmë dyert e saj do të hapen për komunitetin artistik, kulturor e më gjerë. Testamentin që shkrimtari kishte lënë për më shumë se pesë dekada më parë është zbatuar për së dyti. Së fundi ka qenë fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” që ka marrë ambientin në shfrytëzim për pesë vjet nga Komuna e Prishtinës. Punëtoria për restaurimin ishte zbatuar nga fondacioni për trashëgimi kulturore “CHwB Kosova”.

Gjithçka është restauruar përpos disa tavolinave e ulëseve që i janë shtuar ambientit të ngrohtë e të lezetshëm të shtëpisë. Dollapët, raftet e mobiliet e tjera nëpër dhoma janë restauruar pa humbur formën e mëparshme. Muret, dyshemeja e shkallët janë ngjyrosur, por baza ka mbetur po e njëjta. Tepihët me motive tradicionale janë pastruar për t’u vendosur pikërisht aty ku kanë qëndruar.

Karriget e kolltukët kanë zënë vend anash dhomave ditore, raftet e librave po ashtu. Në fakt ato e karakterizojnë dhe mbizotërojnë në të gjitha dhomat. Përcjellin edhe sot dashurinë e Sulejmanit për librin. Shumë nga to ishin gjetur nga studentët që kishin zhvendosur inventarin për ta restauruar. Disa nga dokumentet e gjetura, si ato të rrjedhës së punës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, janë vendosur në kornizat në mur.

Në dhomën e ndarë në dy pjesë, që kishte shërbyer për qëndrim ditor shfaqen edhe pamjet në mur të punës së 20 studentëve gjatë kampit për restaurim të mobilieve për dhjetë ditë. Është projektim i transformimit të tyre, si një “para-pas”. Poshtë tyre kanë zënë vend ca korniza pa fotografi e një lule, ndërsa anash tyre një raft i ndarë në shumë pjesë në të cilin janë vendosur gjësende e dekorime të gjetura në shtëpi. Pjesa tjetër është destinuar për tavolinën rreth së cilës kanë zënë vend gjashtë karrige shkollore dhe disa tjera shtesë anash tyre për pushim. Punimet e punuara në pëlhurë kanë thyer paksa bardhësinë e mureve, ndërsa në dysheme janë vendosur qilimat që kanë qenë dikur. Ata që qëndrojnë aty do të mund të shërbehen me libra nga dy rafte të vendosura në qoshet e dhomës dhe të tjerat të vendosura në tavolinë që janë sjellë nga hapësira e “Project Space”, që është në kuadër të fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.

Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” vitin e kaluar kishte nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Prishtinës për ta marrë në shfrytëzim për pesë vjet një pjesë të shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sulejmani. Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatqiu, është shprehur se nëse shkrimtari Hivzi Sulejmani do të ishte gjallë për të parë se si po shfrytëzohet shtëpia e tij, do të ishte ndier jashtëzakonisht krenar.

“Përkrahjen e keni dhe do ta keni për hapësirat e ngjashme dhe për idetë që keni për aktivizmin shoqëror. Kemi nevojë për ide dhe duhet ndryshuar mënyrën e funksionimit të këtyre hapësirave. Mos hezitoni të paraqitni idetë e juaja për projekte të tilla”, ka thënë ajo.

Koncepti i ri i saj është të ftohen njerëzit përmes thirrjeve të hapura për t’iu bashkuar rezidencave tematike lokale dhe rezidencave e shkëmbimeve ndërkombëtare. Parashihet që disa herë brenda vitit do të zbatohet ky program rezidencial. Të tillat synojnë të kontribuojnë në rritjen e rrjeteve mes artistëve, por edhe përmes praktikave të artit bashkëkohor.

Oborri i shtëpisë së shkrimtarit në lagjen “Taslixhe” ka qenë i mbushur me njerëz që janë mbledhur në ceremoninë e hapjes së asaj që nga sot e për pesë vjet ka marrë emrin “Rezidenca 17”. Dita e enjte ka qenë ditë feste për komunitetin artistik pasi në shërbim të tyre është vendosur rezidenca në të cilën do të zhvillohen takimet e përbashkëta për shkëmbimin e ideve e diskutimet mes artistësh e kuratorësh dhe jo vetëm.

Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” tashmë përpos “Project Space 17” dhe “Galeria 17” i është shtuar edhe “Rezidenca 17”. Drejtoresha e Fondacionit, Nita Zeqiri, është shprehur se janë inspiruar nga gjërat e vjetra që kanë parë të cilat janë frymëzuar për t’i rikthyer në përdorim. “Kemi filluar bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës, kemi punuar në funksion të këtij objekti që ka për qëllim të jetë rezidencë për artistë, hulumtues dhe jo vetëm. Ideja është që hapësira të zhvillohet më tutje bashkë me komunitetin dhe njerëzit që mendojnë të kenë një funksion të tillë”, ka thënë ajo në fjalën e saj me rastin e ceremonisë së hapjes së “Rezidenca 17”.

Punëtoria e transformimit ishte zbatuar nga fondacioni “CHwB Kosova” në kuadër të programit “Heritage Lab”. Nol Binakaj nga ky fondacion e ka vlerësuar procesin e punës si më unikun me të cilin janë marrë deri më tash pasi për herë të parë kanë restauruar mobilie.

“Mendoj se është intervenimi këtu dera më e madhe deri tash që tregon shumë. Është moment i mirë për të shfrytëzuar potencialin. Punëtoria ka pasur dinamikën e telashet e veta, por përparësi është që neve si fondacion nuk na frikëson e vjetra”, është shprehur ai, derisa para të pranishmëve ka thënë se “Heritage Lab” në kuadër të të cilit ka qenë punëtoria për restaurimin e inventarit të shtëpisë është platformë ku synohet që të rinjtë të angazhohen në restaurimin e trashëgimisë dhe më gjerë.

Në maj të këtij viti kishte filluar kampi për restaurim dhe ripërdorim të mobilieve të vjetra. Kampi i quajtur “Restore & Reuse old furniture” në shtëpinë e shkrimtarit Hivzi Sulejmani, në lagjen “Taslixhe” në Prishtinë, kishte zgjatur nga 10 deri më 19 maj të këtij viti.