Kulturë

Dua Lipa sjell botën në Kosovë me “Future Nostalgia”

Dua Lipa - Sunny Hill 2022
Foto: Sunny Hill
 

Shumica prej atyre që kanë qenë në publik, s’mund të lëvizin pa viza e “Sunny Hill” thirrjen për liberalizim, e ka edhe si moto të sivjetme. Por në natën e parë, ka qenë Dua Lipa ajo që e ka sjellë botën në Kosovë, me performancën e jashtëzakonshme siç bën në skenat e mëdha. “Standardi më i lartë ndonjëherë në Prishtinë. Ishte diçka që përjetohet në New York, Londër e mbrëmë e kemi pasur në Prishtinë”, ka thënë kompozitori Florent Boshnjaku. “Thjesht çka ka sjellë Dua në Prishtinë është përtej pritjeve. Ka qenë prej netëve më të bukura ndonjëherë”, ka thënë kantautori Arbër Salihu

Se Dua Lipa mbledh mijëra adhurues në mbarë botën, është e padiskutueshme. Për që Prishtina të jetë nikoqire e një performance të saj të nivelit si në Londër a Toronto, ku edhe ka interpretuar kohëve të fundit, nuk është bash e lehtë të besohet sidomos nga ata që për Kosovën kanë dëgjuar vetëm nëpërmjet lajmeve ndërkombëtare.

Me rreth 20 mijë veta përballë, ylli i popit ka bërë që të pranishmit të “shkëputen” nga toka për një kohë hiç të shkurtër. Niveli i saj interpretativ, bashkë me koreografinë e energjinë që ka përcjellë te rinia e një vendi që e ka fort zor të shkojë në një koncert të nivelit botëror, janë diçka e pazakonte për këto anë.