Kulturë

“Manifesta” shpalos programin 100-ditor

Ngjarja më e madhe e artit bashkëkohor në Kosovë nesër do të hapet për vizitorë. Stafi i “Manifesta 14” së bashku me institucionet vendore kanë shpalosur synimet e këtij edicioni.

Programi 100-ditor i Bienales nomade “Manifesta” në Prishtinë është hapur me entuziazmin e një ngjarjeje ndërkombëtare, nikoqire e së cilës sivjet është Kosova.

“Manifesta 14” ka bërë të ditur se në 25 lokacione të qytetit, kryesisht në ndërtesa ikonike janë 55 intervenime nga mbi 100 artistë lokalë e ndërkombëtarë.

Nikoqirët, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, janë goxha entuziastë sa i përket asaj që po ndodh gjatë Bienales.

“Ideja ishte që së bashku bienalja dhe qyteti t’i bashkojmë forcat për një transformim publik dhe të shohim çka ofron qyteti. ‘Manifesta’ si platformë na hap mundësi të reja që njerëzit lirshëm të flasin për idetë e atë që duan për qytetin”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka treguar se Qeveria e ka mbështetur Bienalen me rreth 2 milionë euro.

Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, ka thënë se trashëgimia e këtij edicioni bashkë me kthimin e investimit do të bën të ditura vitin që vjen.

“Trashëgimia e lënë nga ‘Manifesta 14’ dhe ndikimi do të vlerësohen nga një organizatë e pavarur pas edicionit më 2023. Ne shikojmë se sa investon qeveria dhe cili është kthimi. Në Palermo kemi kthim katër herë më të madh se investimi e mesatarja në qytetet e tjera e vendet e tjera është kthim i investimit 2.5 herë”, është shprehur Fijeni.

Përgjegjësit për anën urbane e atë artistike kanë shpjeguar konceptet e tyre. Artistët, gazetarët vendorë e ndërkombëtarë janë ftuar që t’i vizitojnë intervenimet e njëkohësisht t’i shohin transformimet.