Muzikë klasike e tradicionale ka qenë krejt çfarë i është ofruar publikut në mbrëmjen e dytë të festivalit “DAM”. Këngë të vjetra e melankolike, të cilat e kanë futur publikun në emocione të thella. Amfiteatri i Bibliotekës Universitare në Prishtinë ka qenë hapësira që është kthyer në sallë koncertale. Kuarteti i harqeve prej dy violinave, një violë e një violonçel kanë interpretuar në koordinim mes vete me tinguj të lehtë e dinamikë. I veçantë ka qenë gërshetimi në interpretim edhe me instrumentalet tradicionale si tinguj harmonikë që sjellin energji hareje, të paktën aq sa janë vetë vallet popullore.
Deri në vendet e tyre, duartrokitjet i kanë përcjellë instrumentistët e kuartetit të harqeve, të cilët sapo kanë heshtur publiku ka filluar të interpretojë suitën për orkestër harqesh nga opera “Mrika” e kompozitorit Gjon Simoni në tempot “andante, allegretto, adagio non molto dhe allegro agaitato”. Kuartetit i është bashkuar edhe sopranoja Besa Llugiqi, e cila ka sjellë repertorin e pasur në program. Ka interpretuar këngët e doajenëve të muzikës shqipe, të kompozitorëve Muharrem Qena dhe Rashid Krasniqi. Përveç qëndrimit të saj, me të njëjtën elegancë edhe ka sjellë në interpretim këngët tradicionale si “Pranvera filloi me ardhë”, “Luleborë”, “Dashnor tu bana” dhe “N’at zaman t’njasaj furie”. Ka sjellë, po ashtu, këngët “Çelni ju o lule”, “Lamtumirë” dhe “Për mu paska qenë kismet” të Muharrem Qenës, si dhe “Mallëngjimi” të kompozuar nga Rashid Krasniqi, ndërsa e ka përmbyllur me këngët popullore “Kenke nur’i bukurisë”, “Tash sa dit’e mot”, “Kroi fshatit tonë” dhe “Kur më vjen burri nga stani”. Repertorin e njëjtë e ka luajtur edhe në koncertin në Venecia më 21 prill. Të veçantat e mbrëmjes kanë qenë këngët “Mallëngjimi” i kompozitorit Rashid Krasniqi dhe “Lamtumirë” e Muharrem Qenës, të cilat janë aranzhuar nga kompozitori Valton Beqiri. Të njëjtat fillimisht ishin interpretuar në koncertin në Venecia, e që vetë sopranoja i quan si perla të muzikës shqipe.
“Pasi duhej të prezantonim edhe vepra nga kompozitorë kosovarë, përveç atyre shqiptarë, i ka kompozuar në kohë rekord maestro Valton Beqiri, pasi duheshin shumë shpejt të futeshin në program. Janë sigurisht perlat e muzikës tonë kosovare dhe them se duhet të ruhen dhe të kultivohen më shumë që të jenë prezent më shumë në evente të tilla, të çmohen më shumë”, ka thënë sopranoja Besa Llugiqi.
Vetë kompozitori Valton Beqiri është shprehur se me dëshirë ka hedhur notat e këtyre këngëve, në mënyrë që mbrëmjen e së shtunës të sillte edhe këngën kosovare. Ai ka konsideruar se lidhja kulturore dhe bashkëpunimi artistik mes Kosovës e Shqipërisë duhet të jenë të përhershëm dhe jo vetëm në festivale. “Bashkëpunimi ka rrjedhur me iniciativën e sopranos Besa Llugiqi, e cila kishte dëshirë që në kuadër të programit, përpos veprave të pjesës së Shqipërisë, të ketë edhe disa vepra nga Kosova, të cilat i kam orkestruar me dëshirë dhe me ëndje. Natyrisht se muzika jonë nuk ndahet mes Kosovës dhe Shqipërisë, por natyrisht në të ardhmen do të ketë dhe do duhej të kishte edhe këngë nga shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, në mënyrë që një program i tillë t’i përfshijë të gjitha trojet shqipe”, ka thënë Beqiri.
Kuartetin e harqeve e kanë përbërë Abigeila Voshtina dhe Visar Kuçi në violinë, Herida Duro në violë dhe Mario Gjuralumi në violonçel. “Valle antike” e kompozitorit dhe etnomuzikologut shqiptar Vasil Tole ka gjallëruar publikun, derisa i veçantë ka qenë interpretimi i muzikës tradicionale në kombinim me atë klasike. Në program ka pasur ndryshim në përbërje të kuartetit, pasi në vend të violinistit shqiptar me banim në Itali, Xhoan Shkreli, ka interpretuar Visar Kuçi. Për të ka qenë performancë e veçantë, por jo e zakonshme, pasi ftesën për të performuar e ka marrë në ditën e njëjtë kur do të performonte. “Ishte një performancë shumë e veçantë, së pari për shkak të repertorit që kishin zgjedhur, edhe këngët, edhe kuarteti shumë specifik në muzikë të zgjedhur. Unë sot në mëngjes e mora ftesën të jem pjesë, pasi violinistit i ishte shtyrë fluturimi. Është dashur ta zëvendësoja në moment të fundit, por ka shkuar mjaft mirë”, ka thënë Kuçi, i cili është shprehur se ka qenë rast i mirë për të luajtur së bashku me miqtë nga Tirana, të cilat raste nuk i ndodhin shpesh. Njëjtë nuk ndodh edhe me violinisten Abigeila Voshtina dhe violisten Herida Duro nga Shqipëria pasi kanë interpretuar në koncerte në Kosovë edhe më herët. Lojën e kanë vazhduar edhe pasi kanë përfunduar interpretimin. Sopranoja Besa Llugiqi ka interpretuar “Lamtumirë” për së dyti herë në koncert, ndërsa me muzikë është shoqëruar nga kuarteti i harqeve. Violinistja Abigeila Voshtina e konsideron normale t’i dhurohet publikut diçka më shumë, pasi që është kënaqësi e asaj që ata dëgjojnë në atë moment. “Mendoj se publiku është shumë i ngrohtë, e keni shumë të zhvilluar, sepse këtu bëhet muzikë konteporane e klasike, me sa di mungon vetëm opera. Kështu që është një publik i mësuar me këtë lloj muzike. Kjo muzikë ta kapë shpirtin vetë”, ka thënë ajo. Violinistja tjetër Herida Duro është shprehur se nuk ka rëndësi më të madhe sesa dëshira e artistit dhe pritja e ngrohtë nga publiku për të performuar. “Mendoj se mjafton një dëshirë dhe një pritje e dashur për t’u gjendur në një ambient vërtet të duhur. Rasti i sallave dhe i hapësirave nuk është problem dhe neve nuk na ka penguar të jemi pjesë e skenës së Prishtinës apo e qyteteve të tjera të Kosovës. Ne kemi qenë pjesë e herëpashershme në orkestrat simfonike të Kosovës, dhe me ftesë për të marrë pjesë prapë, ne patjetër se do ta mirëpresim këtë ftesë dhe do të marrin pjesë”, ka thënë ajo. Përkrahjen e publikut e ka konsideruar si buqetë tingujsh prej motiveve e vlerave. “Secila nga këngët e repertorit është zgjedhur me shumë kujdes nga secili prej nesh, kjo është ndoshta arsyeja pse publiku ka gjetur veten në secilën prej tyre. Mendoj se është kuruar me kujdes për t’u servuar sonte”, ka shtuar ajo më tej. Koncerti “Sonus Albanica” vjen si gërshetim i artistëve e i repertorit muzikor në kuadër të edicionit të shtatëmbëdhjetë të festivalit “DAM”. “Kishim kënaqësinë që në natën e dytë të edicionit të 17-të të Festivalit të mirëpresim miken tonë, sopranon Besa Llugiqi, e cila së bashku me kuartetin e përbërë nga disa prej solistëve të njohur shqiptarë, të cilët aktivitetin e tyre e ushtrojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, kënaqën publikun tonë. Në të njëjtën kohë na sollën më të mirën e krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë”, ka thënë bashkorganizatorja e Festivalit, Rreze Kryeziu-Breznica. Ndërkohë janë interpretuar edhe veprat “Humoreska”, “Vallja e luleve”, “Zoga dhe shpendi” dhe pjesë nga baleti “Delina” të kompozitorit shqiptar Çesk Zadeja.
Koncerti i së enjtes u mbajt si bashkëveprim e shpërfaqje i së njëjtës kulturë të shtrirë në dy shtete, në natën e dytë të edicionit të 17-të të festivalit “DAM”.
Folegj: Kuartetin e harqeve e kanë përbërë Abigeila Voshtina dhe Visar Kuçi në violinë, Herida Duro në violë dhe Mario Gjuralumi në violonçel. Kuartetit i është bashkuar edhe sopranoja Besa Llugiqi, e cila ka sjellë repertorin e pasur në programin e ditës së dytë të festivalit “DAM” në këtë edicion