Historia e rockut në Kosovë nuk shkruhet dot pa “403” dhe çdoherë rikthimi me koncert sa vjen e përforcon këtë. Publiku ia konfirmon grupit se ka edhe adhurues të rinj. Në “Kino Armatë” janë përcjellë mjeshtërisht hitet e grupit, të cilat nuk vijnë vetëm si rrugëtim muzikor në të kaluarën, por edhe si rikthim vlerash
“Me ty”, ka qenë kënga me të cilën rock-grupi i famshëm “403” e hapi koncertin. Me publikun i ka ndarë hitet që nuk veniten dot tash e 40 vjet. Koncerti ka qenë veç një dëshmi për këtë. Pjesa tjetër është histori e historia e rockut në Kosovë nuk shkruhet dot pa “403”, pavarësisht se në çfarë formacioni vjen.
Në formacion të ri ka ardhur në koncertin e radhës dhe kjo ruan vazhdimësinë. Prania e publikut ishte e kushtëzuar nga biletat të cilat ishin dhënë falas më herët, por që shumë njerëz të cilët nuk kishin arritur t’i siguronin ato kanë insistuar me patjetër të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje muzikore, të enjten mbrëma.
Atmosfera që mbizotëroi gjatë performancës së grupit në sallën e madhe të “Armatës” qe e jashtëzakonshme. Publiku nga të gjitha moshat, që nga fëmijët e deri tek ata më të moshuar, ka mbajtur ritmin e entuziazmit.
Shpesh së bashku me zërin e Hektor Gjurgjialit nga qoshet e sallës dëgjohej ndonjë grusht njerëzisht që ia merrnin këngës së bashku me të e ndonjëherë kënga vazhdonte nga publiku, edhe pasi grupi kishte përfunduar interpretimin e saj, duke shprehur kështu dëshirën e pambarimtë për të dëgjuar ato këngë.
Vetë Gjurgjiali u shpreh shumë i kënaqur për këtë atmosferë të përçuar nga publiku.
“U ndjeva tepër-tepër mirë. Më pëlqej shumë, sepse pati shumë të rinj, pati edhe të vjetër, por më shumë më pëlqej fakti që pati të rinj”, ka thënë ai nën emocionet e mbrëmjes.
Për disa nga këngët e kënduara, si “Episodi i fundit”, “Bohem” e të tjera, Gjurgjiali ka thënë se kishte kohë pa i kënduar dhe krejt kjo për arsye se, më herët, grupi nuk kishte qenë kaq i kompletuar.
“Në fakt njëra nga arsyet se pse sot i kam performuar këto këngë ka qenë se tani në bend i kemi edhe 3-4 anëtarë të tjerë dhe mundemi t’i realizojmë ato. Orkestrimet tona janë me të vërtetë të komplikuara dhe vetëm tani mund t’i realizojmë ato, sepse ata janë shumë profesionistë”, ka thënë ai.
Me Gjurgjialin, në skenë i kanë rikthyer këngët historike Erdem Gavazi në kitarë, Muha Veseli në kitarë, Lekë Gjurgjiali në kitarë, Agron Ejupi në bass kitarë, Agron Shala në klaviaturën e parë, Ilir Veseli në klaviaturën e dytë, si dhe Fahri Ibrahimi në tupanë. “Përralla”, “A thua do të kthehesh”, “Akoma po te pres”, “Indexi”, “Bohem” kanë qenë të pashmangshme në repertor. “Gjysmëshekulli” ka ardhur në version unik, mjeshtërisht me solo në mandolinë, kur Agron Dida i është bashkuar grupit në këtë këngë.
Grupi “403”, i cili ishte formuar më 1982, shumë nga këngët i ka incizuar qysh herët, në vitet ’80 e ‘90.
Duke nisur këndimin dhe interpretimin e këngës “Bohem”, vetë Gjurgjiali ka thënë se kjo këngë është e vjetër 40 vjet.
“Kur po e kujtoj po them sa vjet i paskam”, ka thënë ai.
Më pas rock-bendi këndoi “Episodi i fundit”, për të cilën vokalisti i grupit Hektor Gjurgjiali u shpreh përsëri me shaka se kënga “është pak më e re se e mëparshmja. I ka vetëm 39 vjet”.
Por, në këtë natë plot emocion, befasia erdhi atëherë kur në skenë doli këngëtarja Fitnete Tuda, e cila bashkë me Gjurgjialin këndoi “Ëndrrën”.
Atmosfera që u krijua nga kjo këngë ishte ajo që çdo grup do ta ëndërronte. I tërë publiku këndoi këngën pa u ndalur deri në fund dhe pas përfundimit të saj, duartrokitjet s’u ndalën.
Fitnete Tuda, e cila tani punon si gazetare, ka kujtuar se ka shumë kohë që nuk ka kënduar para publikut. Pas përfundimit të koncertit u shpreh shumë entuziaste dhe falënderuese që kishte pasur nderin të këndonte bashkë me Gjurgjialin.
“Një ndjenjë shumë e bukur e po ashtu e përzier me shumë emocione, sidomos kur krijohet kështu një pauzë pak më e gjatë. Mirëpo, unë jam një nga ata që si studente e kam dëgjuar grupin ‘403’, ndoshta edhe më herët, kështu që është nder dhe kënaqësi që e kemi realizuar bashkë një këngë, siç është ‘Ëndrra’ bashkë me Hektorin dhe grupin ‘403’”, ka thënë ajo.
Megjithatë, entuziazmin më të madh publiku e shfaqi atëherë kur nisi kënga “Indeksi” e vazhdon të mbetet njëra ndër më të pëlqyerat e publikut, shenjë dalluese e “403”.
Hektor Gjurgjiali, që në “Indeks” ka solon e famshme me blues-harp, nuk harroi t’i dedikonte një këngë edhe poetit të njohur shqiptar, Xhevdet Bajraj.
Në kujtim të Bajrajt dhe të të gjithë atyre që “humbën më të dashurit e tyre gjatë pandemisë”, Gjurgjiali këndoi “Engjëjt nuk jetojnë në tokë”.
Këndimi i kësaj kënge në një ditë kur arti shqiptar kishte mbetur edhe pa producenten Vjosa Berisha, shkaktoi emocione të mëdha te publiku, ku u shfaq një heshtje mërzie deri në përfundim të këngës.
Por në publik nuk munguan as ata të cilët janë gjithmonë të pranishëm kur performon grupi “403”.
Kur u themelua grupi “403”, Hyrije Mehmeti nuk ka qenë e lindur. Por tash s’mungon në koncertet e performancat e kohëpaskohshme që e rikthejnë grupin jo pak të adhuruar edhe prej gjeneratës më të re.
“Realisht unë koncertet e ‘403’, sidomos të fundit, i përcjell vazhdimisht. Është një prej grupeve që e pëlqej jashtëzakonisht shumë. Për mua është gjithmonë kënaqësi e madhe sa herë që e dëgjoj”, ka thënë Mehmeti, e cila ishte pjesë e publikut të “403”, i cili ka kohë që paralajmëron një tjetër album. Por edhe rikthimi i hiteve të moçme ka ende publik.
-
25 qershor 2022 01:48
-
Shpërndaje në: