Kulturë

Kosova e Shqipëria do të financojnë “Enciklopedinë Shqiptare” në 10 vëllime

Shqipëria dhe Kosova janë marrë vesh për të financuar projektin më të madh që synohet nga dy Akademitë e Shkencave, “Enciklopedinë Shqiptare”.

Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të mbajtur të hënën në Prishtinë, palët janë marrë vesh që t’i japin përkrahje financiare këtij projekti.

“Është arritur dakordësia financiare e të dyja qeverive për shkrimin e ‘Enciklopedisë Shqiptare’ në 10 vëllime, që do të mbledhin gjithë korpusin enciklopedik të popullit shqiptar. Më në fund edhe shqiptarët do të kenë një enciklopedi të denjë”, ka thënë kryeministri Edi Rama në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së dy qeverive, ku edhe janë nënshkruar një numër marrëveshjesh.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ashtu ka përmendur edhe faktin se në mbledhjen e kaluar kanë rënë dakord për një abetare unike të të gjithë shqiptarëve. “Abetarja është në një proces të avancuar. Është përzgjedhur varianti fitues dhe tani jemi në fazën e zbatimit”, ka thënë ai në konferencë.

marrëveshjen për projektin e “Enciklopedisë shqiptare” e ka lëshuar një njoftim edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Akademia ka njoftuar se kryeministri Edi Rama në takimin e dy qeverive ka folur për marrëveshjen e bashkëpunimit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”

“Marrëveshja mes dy qeverive është bërë në funksion të realizimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës për hartimin e projektit madhor ‘Enciklopedia Shqiptare’”, shkruhet në njoftimin e Akademisë. Aty bëhet e ditur se ky projekt përfshin të gjitha proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes deri tek shtypshkrimi. Sqarohet se, sipas marrëveshjes, janë të ftuara për bashkëpunim edhe institucione jopublike e studiues të pavarur në vendet e tyre dhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe bota arbëreshe.

“’Enciklopedia Shqiptare’ hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqesh për vëllim. Projekti madhor ‘Enciklopedia Shqiptare’ zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, punë për të cilin ka filluar që prej datës 1 janar 2022’”, shkruhet në njoftim.