Kulturë

Goli Otoku i robërisë për shqiptarët, Serbia e rikthyer në nacionalizëm

“Hijet e shtrembëruara”, ku janë mbledhur kujtimet e shqiptarëve për burgun e Goli Otokut në Kroaci, është titulli i librit të përuruar të premten në ditën e dytë të “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd. Përderisa nëpërmjet librit e debatit Goli Otoku është zbërthyer si simbol i frikës së pushtetit jugosllav me një kapitull të trishtë për shqiptarët, të frikshme janë cilësuar shenjat e Serbisë së sotme që gjëllijnë në nacionalizëm e që për dikë është edhe më i ashpër se ai më 1999

Në vitin e dytë të studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Basri Ibrahimi kishte pranuar letërthirrjen për ta kryer shërbimin ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Qe diçka e detyrueshme për krejt meshkujt duke përjashtuar ata për të cilët mjekët konstatonin se nuk janë të aftë për këtë shërbim. Por shqiptarët, shërbimin ushtarak e përjetonin pak më rëndë. Sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Provokoheshin keqas nga kolegët ushtarë në llogari të shërbimit sekret ushtarak. Dhe pak fjalë a ankesa kundër sistemit që shtrihej në gjashtë republika e dy krahina, shqiptarit ia hapnin dyert e burgut.

Gjatë shërbimit ushtarak Basri Ibrahimi, i lindur më 1963, do të arrestohej. Aty do të prisheshin krejt planet e tij për të përfunduar Fakultetin e për t’u marrë me futboll. Gjyqi do të vinte në përfundim se ai duhej të bënte 11 vjet burg. Ishte marrë vendim që të dërgohej në burgun ishullor në Goli Otok, i cili funksionoi nga viti 1949 deri më 1989. Ibrahimi nuk do të mbahej gjatë aty, pasi hapësira prej 4.5 kilometrave katrorë shihej si njëfarë qendre riedukimi. E autoritetet kishin ardhur në përfundim se Ibrahimi nuk donte që të riedukohej, por duhet dërguar në ndonjë tjetër burg. Deri në vitin 1956, Goli Otoku ishte më shumë qendër e internimit për kundërshtarët e regjimit. Për ata që donin të ishin në krahun diktatorit të Bashkimit Sovjetik, Joseph Stalin e në kundërshtim të mareshalit jugosllav, Josip Broz Tito. Por pas vitit 1956, kur regjimi pothuajse kishte kryer punë me “aleatët” e Stalinit, ishulli i Adriatikut do të kthehej në një burg për krejt ata të cilëve ua mësynte t’ua mohonte lirinë.

Rrëfimi i Basri Ibrahimit është një prej njëmbëdhjetë të tillëve në librin “Hijet e shtrembëruara”, ku janë mbledhur kujtimet e shqiptarëve për burgun e Goli Otokut në Kroaci.

Botimi i organizatës “Integra” është promovuar në kuadër të ditës së dytë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, që po mbahet në Beograd për të nëntin vit radhazi, përjashtuar vitin e kaluar kur u mbajt në Prishtinë.

Kapitulli i panjohur nga gjenerata e re

Me redaktore Aurela Kadriun libri sjell një mozaik përjetimesh, të cilat vijnë si rrëfime autentike të atyre që u mbajtën në burg për arsye politike. Krejt në fund të përurimit të librit e debatit të zhvilluar kishte prej të rinjve që kërkonin plotësime se ku është Goli Otoku, çfarë i bie të jesh i burgosur politik, përse në një ishull e të tjera. Krejt këto janë tregues se gjeneratat e reja nuk ia kanë fort idenë për ish-Jugosllavinë e lëre më për faktin që Kosova kishte më së shumti të burgosur politikë në raport me numrin e popullsisë.

Në kuadër të panelit “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”, Korab Krasniqi si përfaqësues i Forum ZDF-së, Aurela Kadriu si redaktore e librit, e historiania Olga Manojloviq-Pintar nën moderim të Antonela Rihas, kanë paraqitur pikëpamjet e tyre për kujtesën kolektive të sotme për ish-Jugosllavinë.

Aurela Kadriu ka thënë se me këtë libër për herë të parë po e hapin një kuti që nuk ka qenë e hapur më herët.

“Kur e lexoni do ta shihni që rrëfimet e tregojnë kompleksitetin e shqiptarëve të Kosovës në Goli Otok. Përvoja e shqiptarëve në këtë burg është e veçantë. Përtej Goli Otokut na shërben edhe për përvojën e shqiptarëve të burgosur politikisht. Ka raste kur njerëzit janë burgosur edhe pa qenë në asnjë lëvizje nga ato që njiheshin si lëvizje ilegale të kohës”, ka thënë ajo. Sipas saj, dëshira për bashkim me Shqipërinë ka qenë katalizator i lëvizjeve për ndryshim brenda situatës së shqiptarëve brenda ish-Jugosllavisë. Ka thënë se ekziston një hendek midis asaj që mësohet në shkolla dhe historisë që është në diskurs publik.

“Në Kosovë ekziston rreziku i humbjes së kujtesës. Qytetet tona nuk duken sikur kanë kaluar nëpër luftë. Diskursi publik nuk ta ngritë kureshtjen për të kaluarën. Pas luftës kemi hyrë në një cikël vicioz. Nuk e shoh ndryshe as situatës në Serbi. Janë një truq narrativash veç për pak dekada”, ka thënë ajo derisa ka shtuar se në Serbi duket sikur është një rikthim i nacionalizmit e po ashtu edhe në Kosovë.

Image
Të premten vonë, një ngjarje tjetër ka qenë koncerti i kantautorit të njohur Shpat Deda në qendrën kulturore hebraike “Oneg Shabat”

“Kosova Republikë” si emërues i përbashkët

E Korab Krasniqi nga Forum ZDF ka thënë se libri është një lloj testamenti ose dokumenti historik që i shërben kulturës së mbamendjes në Kosovë. Ka thënë se Goli Otoku ishte rezultat i një paranoje ku shteti përdor dhunën për të mbajtur aty ata që mund ta kërcënonin.

“Këtë libër e shoh edhe si një lloj monumenti pasi përjetimet e të burgosurve nuk janë të shpërfaqura shumë që të mësojë shoqëria. Libri, pos rrëfimeve të shqiptarëve, na e ndërton edhe një pikturë të përgjithshme të asaj që ka ndodhur në këtë burg”, ka thënë ai. Ka përmendur shkurt disa etapa të represionit mbi shqiptarët si atë të mbledhjes së armëve në kohën kur Aleksandër Rankoviq ishte ministër i Punëve të Brendshme të ish-Jugosllavisë, më pas marrëveshjen për dërgimin e shqiptarëve në Turqi, demonstratat e viti 1968, më pas ato të 1981-tës e deri te vitet ’90.

“Krejt këto etapa e kanë emëruesin e përbashkët: Kosova Republikë”, ka thënë ai.

Parulla që “serbin mund ta ndash nga jeta e jo nga arma”

E historiania Olga Manojloviq-Pintar ka thënë se Goli Otok është një nga simbolet e fuqishme të ish-Jugosllavisë. E pas shthurjes së ish-Jugosllavisë, sipas saj, është simbol i fortë, prej ku edhe janë formuar identitetet kombëtare. Ka treguar se ishulli fillimisht ka qenë kamp për ata që janë konsideruar stalinistë e më pas kaloi në duar të shtetit të Kroacisë dhe janë sjellë kundërshtarët e regjimit jugosllav. Derisa ka folur për ish-sistemin, ka thënë se kushtetuat e ndryshuara gjatë sistemit komunist kanë qenë nevojë për komunistët që të kënaqin sa më shumë grupe. Sipas saj, aksioni i mbledhjes së armëve ka nxitur lëvizjen kombëtare shqiptare.

“Çdo shtet do që t’i ketë armët nën kontroll. Mos më keqkuptoni në këtë rast. Pastaj parulla që ‘serbin mund ta ndash nga jeta e jo nga arma’ e ka bërë të veten. Pastaj edhe te shqiptarët ka ekzistuar kjo”, ka thënë ajo. Sipas historianes, ka pasur shumë represione ndaj shqiptareve që e kanë rritur tensionin për çështje kombëtare.

Sa u përket grafiteve që gjenden nëpër Beograd e shpërfaqin vullnetin e grupeve radikale nëpërmjet afisheve e portreteve të kriminelëve si Ratko Mlladiq e të tjerë të njohur për krime kundër njerëzimit, paraqesin diçka të qartë.

“Pakica i bën grafitet, por regjimi e pamundëson heqjen e tyre. Influenca e tabloideve është e madhe dhe publiku nuk i merr ato lajme me sy kritik. Tash mendoj se situata është shumë më e vështirë se më 1999”, ka thënë ajo.

Për dallim prej viteve të tjera, sivjet ka pasur krejt pak protesta kundër festivalit që dërgon pak art të Kosovës në Serbi. Por dy net radhazi ka pasur paralajmërime për bomba, që kanë bërë të ndërpriten përkohësisht ngjarjet. Në qarqet e shoqërisë civile thuhet se radikalët kanë ndërruar strategji e se ata funksionojnë varësisht se si u thotë presidenti Aleksandër Vuçiq, pasi në Serbi gjithçka kontrollohet prej tij dhe në llogari të tij.

Të premten vonë një ngjarje tjetër ka qenë koncerti i kantautorit të njohur kosovar Shpat Deda në qendrën kulturore hebraike “Oneg Shabat”.

Sa u përket debateve në kuadër të këtij edicioni të festivalit do të zhvillohet edhe ai me temën “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”. Përderisa organizatorët thërrasin për solidarizim me Ukrainën, ata flasin edhe për shtetin serb që ende nuk e pranon atë që ka bërë në Kosovë. Serbia nuk e përkrah festivalin dhe as nuk e njeh atë, përderisa Kosova tradicionalisht vepron ndryshe. E njeh dhe e përkrah me buxhet.