Kulturë

“Wake Up on Mars” i Dea Gjinovcit nominohet për më të mirin në Zvicër

Dokumentari që përcjell fatin e një familjeje rome nga Kosova, që përballet me sfida të vazhdueshme si refugjate në Suedi, është në garë për dokumentarin me të mirë për çmimet kombëtare të filmit që ndahen në Zvicër. Fituesit do të mësohen më 25 mars në ceremoninë që do të mbahet në Zürich. Po ashtu, “Wake Up on Mars”, prej 21 deri më 27 mars do të shfaqet në kinematë e Zvicrës në kuadër të organizimit “Java e të nominuarve”

“Wake Up on Mars”, nën regji të Dea Gjinovcit është në mesin e të nominuarve për “Çmimin zviceran të filmit”. Në debutimin e saj në dokumentar të metrazhit të gjatë, regjisorja sjell histori të vërtetë të traumave dhe të këmbënguljes për jetë më të mirë. Është një pasqyrim real me një prekje magjike. Filmi është në garë për dokumentarin me të mirë në ngjarjen që nderon veprat më të mira filmike të Zvicrës dhe kineastët e protagonistët me të mirë të filmit. Nominimet janë bërë të hënën mbrëma përmes një ceremoni që u transmetua edhe online.

Të gjithë filmat, përfshirë edhe “Wake Up on Mars” ku nuk mungon as guximi, por as inovacioni, do të shfaqen për publikun në kuadër të organizimit “Java e të nominuarve” që do të mbahet prej 21 deri më 27 mars të këtij viti në “Cinémas du Grütli” në Gjenevë dhe në “Filmpodium” në Zürich. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet po ashtu në Zürich më 25 mars.

“Çmimi zviceran i filmit” që ndryshe quhet edhe “Quartz” është çmimi kombëtar i filmit në Zvicër dhe për herë të parë është dhënë në vitin 1998.

Regjisorja Dea Gjinovci ka thënë se nominimi është diçka e papritur dhe shumë e bukur.

“Ndihem shumë mirënjohëse dhe krenare me atë që kemi arritur së bashku me këtë film, portretizimin e vërtetë, të guximshëm dhe të fuqishëm të një familjeje që përballet me një situatë jashtëzakonisht të pazakontë. Një ekip i dedikuar dhe jashtëzakonisht i talentuar që ka dhënë me të mirën e vet”, ka thënë Gjinovci. Regjisorja ka falënderuar edhe ata që e kanë mbështetur e që e kanë bërë të mundshëm realizmin e këtij filmi.

Historia e dokumentarit “Wake Up on Mars” i regjisores kosovare nis me një artikull që regjisorja e kishte lexuar në “New Yorker”. Aty në mënyrë të detajuar flitet për jetën e një familjeje rome nga Kosova që jeton në Suedi, dy vajzat e së cilës kanë qenë në komë për disa vjet. Vuajnë nga i ashtuquajturi “sindrom i tërheqjes traumatike”.

Image
“Çmimi zviceran i filmit” që ndryshe quhet edhe “Quartz” është çmimi kombëtar i filmit në Zvicër dhe për herë të parë është dhënë në vitin 1998

Në film Furkani ëndërron që të ndërtojë një anije dhe të largohet nga jeta e të rriturve. Është e kuptueshme kur familjes së tij i është refuzuar azili dhe dy motrat e tij kanë rënë në komë. Shpreson që në planetin Mars t’i gjejë zgjuar motrat e tij, Ibadeten dhe Donjetën.

Familja Demiri është duke u përpjekur që të rikrijojë një jetë normale, larg nga vendlindja, Kosova. E ardhmja e tyre varet nga disa letra që ua mundësojnë qëndrimin si refugjatë në Suedi.

Regjisorja u bë e njohur me dokumentarin e saj të shkurtër “Sans le Kosovo”, kur në vitin 2017 fitoi çmimin për filmin më të mirë kombëtar në “DokuFest”. E dokumentari i saj debutues i gjatë “Wake Up on Mars” mori mbështetje nga “Sundance Film Institute” dhe “Ford Foundation JustFilms” të New Yorkut dhe fitoi “Perspectives d’un doc” në “Visions du Réel 2018” në Nyon të Zvicrës. Vitin e kaluar “Wake Up on Mars” ishte pjesë e festivalit “Tribeca Film Festival” në New York dhe “Visions du Réel Festival” në Nyon të Zvicrës. Premierën kosovare e pati në gusht të 2020-s në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Bëri histori. Për herë të parë një film i një regjisoreje kosovare u bë pjesë e garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë, në edicionin që, për shkak të pandemisë, u mbajt online prej 7 deri më datën 25 gusht të atij viti.

Në ceremoninë e së hënës më së shumti nominime pati filmi “Soul of a Beast” nën regji të Lorenz Merz. U nominua në tetë kategori, atë për filmin me të mirë të gjatë artistik, për aktoren dhe aktorin me të mirë, për aktorin me të mirë në rol dytësor, për drejtorin më të mirë të fotografisë, për montazhin më të mirë, për muzikën më të mirë dhe produksionin më të mirë muzikor. Pas tij, gjashtë nominme pati filmi “La Mif” nga Frédéric Baillif.

Në anën tjetër, “Olga” nën regji të Elie Grappes, që ishte kandidati i Zvicrës për “Oscars” por që dështoi të përfshihej në listë të ngushtë të nominimeve, mori dy nominime: Filmi më i mirë i gjatë artistik dhe skenari më i mirë.