Nuk i qëndruan besnik formës tradicionale të organizimit. Dolën përtej klasikes, e cila shpesh tingëllonte e mërzitshme. Ekspozita “Rezistencë”, me mediume e artistë të ndryshëm, sjell dinamikën e frymën e re. Bëhet pasqyrim i revoltës ndaj vetes përmes artit në festivalin “Flaka e Janarit”, njëra prej ngjarjeve më me traditë në Kosovë, që sivjet shënon edicionin e 31-të
Këtu e tri dekada më parë ishin ndezur flakadanët. Ato ishin simbol i mosnënshtrimit, revoltës ndaj pushtuesit dhe jehonës nëpërmjet kulturës e artit. Zjarri që ndizej në to ishte sinonim i rezistencës. Mirëpo, në periudhën e artit bashkëkohor ky sinonim mund të shihet në dimensione krejt të ndryshme.
Në një festival si “Flaka e Janarit”, i cili nisi rrugëtimin në vitin 1992 me nismën e promovimit të vlerave vendore e përkujtimit për figurat eminente të kombit, nuk mungon organizimi klasik dhe përsëritja e linjave të përvitshme. Ndërkaq pikërisht edicioni i sivjetmë në fushën e arteve pamore erdhi për ta dëshmuar të kundërtën.
“Rezistencë”, e hapur mbrëmjen e së enjtes, u del përballë ngjyrave, vijave e peizazheve të rëndomta që ekspozoheshin ndër vite. Ekspozita me veprat e pesë artistëve – Jakup Ferri, Agron Blakçori, Bekim Zeqiri, Fidan Bejtullahu e Brilant Milazimi – mbretëroi me frymë bashkëkohore në “Penelin e Flakës”, një prej shtyllave të “Flakës së Janarit”.

Nën kurimin e Mehmet Behlulit, veprat në tapiceri, piktura, fanella, fotografi e instalacione i rezistojnë të zakonshmes së kohës, tek dalin prej të rëndomtës bufeja e Teatrit të Gjilanit, si vendi ku u ekspozuan veprat, ishte një përzgjedhje krejtësisht e pazakonshme. Mirëpo laramania e veprave dhe mesazheve që përçojnë i jep dinamikë ndryshe pjesës së poshtme të Teatrit.
“...të mbetemi normalë në trancizion”
Profesori universitar, Mehmet Behluli, ka theksuar se artistët besojnë në pluralizëm të çfarëdo lloji, për të shtuar se ata “janë pjesë e një gjeografie më të gjerë se Gjilani e Kosova. Janë pjesë e regjionit, Evropës e botës”.
“Jam shumë i lumtur që pas 31 vjetësh kanë provuar të bëjnë edhe një ekspozitë të tillë të artit bashkëkohor e që ka munguar”, ka thënë Behluli për KOHËN. “Kemi provuar që ekspozita të jetë multimediale, nga piktura e deri te instilacioni, për faktin që arti për mua dhe bashkëmendimtarët e mi nuk është te forma, por tek ajo çka dëshiron të thuhet”.
Kualitetin e veprave e cilësoi si të përbashkët të çdo artisti të bashkuar në “Rezistencë”.
“’Rezistencë’ tingëllon fuqishëm, por artistët kanë treguar se rezistenca nuk është siç ka qenë përpara. Është me veten, me shprehjen, të mbetemi normalë në shoqërinë e cila është në tranzicion”, ka thënë Behluli.

Kujtimi i të revoltuarve si mit
Artisti i cili ka 30 vjet që jeton në Gjermani, Bekim Zeqiri, rezistencën e ka ndërlidhur me figurën e gjyshit të tij, i cili i ka mbetur si kujtim i pashuar në mendje. Atë nuk kishte pasur fatin ta njihte as babai i Bekimit dhe i gjithë rrëfimi për të zhvillohet si një mit.
“Zakonisht tregimet që na vijnë nga njerëzit tingëllojnë si përralla. Është tipike histori shqiptare se kemi shumë pak të shkruar e të dokumentuar. Ne fillojmë të formojmë mite për histori familjare, çdoherë dëgjon diçka të re”, ka thënë Zeqiri.
Personin të cilin e kujton vetëm nga fjalët e të tjerëve ka vendosur ta kujtojë në “Rezistencë” nëpërmjet shtëpisë ku vetë Bekimi është rritur. Nga gërmadhat e shtëpisë, e cila daton nga 1920, ai ka marrë një copë gur, i cili u shfaq si instalacion. Mirëpo, ajo nuk mbetet vetëm një pasqyrim i objektit. Kombinohet edhe me lidhjen emocionale që kishte Bekimi. Këtë e bëri përmes një karrigeje në të cilën ishte e varur bluza e tij e që është autoportret dhe si i tillë komunikon nëpër kohë me gjyshin, eshtrat e të cilit nuk u gjendën që nga viti 1945, atëherë kur u vra.
“Është një prej objekteve që unë lidhem me të, është shtëpia e gjyshit ku unë kam lindur. Ai ka qenë ballist apo kaçak. Nga këndvështrimi ynë ai është patriot, nga këndvështrimi i kundërshtarit është kaçak apo ‘thug’”, ka thënë Zeqiri. “Është autoportret, unë e shoh, komunikoj, rri te gurët e shtëpisë që kanë mbetur, nënvetëdijshëm komunikoj me gurë e që është abstrakte, është objekt i ftohtë. Nuk ka estetikë, s’është lule, as bar. E luan një metaforë dhe është portret i jemi”, rrëfen tutje Zeqiri për veprën “Thug”.
Pak hapa tutje publiku ndeshet me një fotografi. Është e një përmase më të madhe. Një ngjyrë e lehtë, mes të kaltrës e të bardhës bëhet simbolikë e një gjendjeje boshe, si në re.
Vepra e Agron Blakçorit jep ndjesinë e të qëndruarit si në një mjegullnajë, teksa dymbëdhjetë jastëkët në të cilët herë janë disa njolla në të kafenjtë të lehtë e herë janë të pastër përçojnë mesazhe të ndryshme. Autori nuk dëshiron të prishë imagjinatën e publikut, andaj edhe nuk flet për të. Mirëpo, jep pak detaje të cilat deri diku i hedhin dritë fokusit konceptual. Numri i jastëkëve nuk është i rastësishëm, përkon me muajt e vitit. Ndërkaq ngjyrat dhe situata që duken në to përkojnë me gjendjen e krijuar pandemike së cilës nuk i dihet fundi e as fillimi i tij tanimë.

Pop-art me nusen, dhëndrin dhe një BMW
Me diçka krejt tjetër është paraqitur artisti Fidan Bejtullahu. Mes ironisë e satirës, ai gjithë vëzhgimin e tij për konceptin e martesës në shoqërinë shqiptare e ka bartur në koleksion veprash. Në fanella të bardha, shkrimet si: “nusja”, “dhëndri”, “Bmw”, “restoranti”, “lulet”, “dekoret” janë përshkruese të proceseve të ndryshme të martesës.
Në njërën pjesë të koleksionit “Pop art”, e cila vjen me simbolikën e shpërndarjes së artit në popull, shfaqen hyrja në restorant, muzika, duartrokitja, pritja e familjarëve e deri tek akti final i martesës.
“Arsyeja pse i kam zgjedhur në fanella është që mos ta mbaj artin më vete, por si një pop-art që arti të depërtojë në popull. Kam menduar që me një fanellë dikush mund ta mbajë më vete dhe ta shpërndajë, prandaj edhe quhet ‘pop-art”’, ka thënë Bejtullahu.
Përveç fanellave me shkrime, nuk mungojnë as ato me ilustrime. Karta e mbretëreshës gjendet në plot pjesë, ndërkaq artisti ka vendosur edhe dizajne të fotografisë së tij nëpër vende të ndryshme.
“Jam intriguar nga Facebooku që njerëzit kanë parë dasma, nusja, BMW, burri, lulet, dekorimi. Kështu që kam pasur dëshirë ta kem edhe unë një album të dasmës sime në mënyrë fiktive. Ti e lexon shkrimin, por e imagjinon një ngjarje që ka ndodhur”, rrëfen Bejtullahu. “Fillimi i idesë me dasmë kanë qenë pushimet me të dashurën, të cilat më shumë tregojnë se që kalojnë mirë. Letrat (që janë përdorur) janë (të shenjës) queen, sepse kështu i quajnë burrat gratë e tyre”.

Njerëzorja në tapiceri e silueta
Në anën e djathtë të “Pop-art” janë tapiceritë e videot e artistit Jakup Ferri, i cili sivjet do të prezantojë Kosovën në Bienalen e Venecias. Ato vijnë me delikatesën e imtësisë së çdo vije, forme e paraqitjeje fizike. Janë shprehësi artistike e përditshmërisë dhe intimitetit njerëzor e të kafshëve. Tre qen racash të ndryshe, të portretizuar në pozita e pamje po sikur të njerëzve, me mustaqe e të përqafuar njëri pas tjetrit i falin ngrohtësi pjesës së veprave të Ferrit. Lart tyre simbolika e falënderimit ndaj natyrës paraqitet me lidhjen ambientale të treshes qiell, tokë e njeri. Kjo shprehet me njerëz të cilët në gota grumbullojnë pikat të cilat vijnë nga retë e nga dielli, por që në esencë përmbajnë një dashuri më komplekse se në shikim të parë. Në njërin krah publiku mund të shohë lule, të cilat ishin aty për të treguar gjurmët e kohës, si diçka që trashëgoheshin gjeneratë pas gjenerate si një kujtim.
Fryma abstrakte ndihet në veprat e Brilant Milazimit. Silueta është kryeforma e pikturave të tij. Ato janë shprehje e mendjes së njerëzve, të cilët sinonim kanë kaosin emocional që shfaqen diku me duar që shprehin revoltë e britmë. E papërcaktuara hap shumë kuptime.
Përveç me “Penelin e Flakës”, organizata “Varg e Vi” sivjet është në përkujdesje edhe të “Talias së Flakës” që përthekon programin e shfaqjeve teatrore. Pjesëtarë të kësaj organizate kanë thënë se janë të lumtur për mundin e tyre për thyerje të traditës klasike të organizimit.
“Menduam që termi ‘Rezistencë’ është më autentik për neve në kuptimin që ‘Flaka e Janarit’ u formua në 1992 si rezistencë ndaj shtypjes për kulturën dhe artin shqiptar. Menduam ta bënim një lloj rezistence ndaj të vjetrës artistike në aspektin organizativ dhe konceptual duke mos e humbur trashëgiminë kulturore të Festivalit”, u shpreh për KOHËN drejtori Avni Shkodra.
Ekspozita “Rezistencë” do të jetë e hapur deri më 22 janar. Edicioni i 31-të i manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” nisi më 11 janar si rëndom dhe do të zgjasë deri më 31 janar. “Flaka…” me katër shtyllat – “Fest Flaka” “Peneli i Flakës”, “Talia e Flakës” dhe “Pena e Flakës” – prej vitit 2020 u përfshi në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Frymëzim për këtë manifestim ishin vëllezërit Gërvalla, Jusufi dhe Bardhoshi, si dhe Kadri Zeka, të cilët organizatorët kishin vendosur që t’i përkujtonin në dhjetëvjetorin e rënies së tyre. Shënimi i këtij përvjetori nxiti realizimin e “Flakës së Janarit”. Katër shtyllat e këtij manifestimi u krijuan pikërisht mbi veprimtarinë e Jusuf Gërvallës: art letrar, muzikor, skenik dhe art pamor.
