“Gjendja fizike e aseteve vazhdon të përkeqësohet, ndërsa disa prej tyre janë rrënuar, ndërkohë institucionet përgjegjëse tashmë 20 vjet kanë mbetur të pareformuara, pa politika të qarta, pa definim të roleve dhe përgjegjësive, dhe me probleme të transparencës dhe llogaridhënies”, ka thënë Sali Shoshi, kur i është kërkuar ta komentojë raportin “Gjendja e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë – 2021”, hartuar prej organizatës që udhëheq, “CHwB Kosova”. Raste konkrete të një konstatimi të tillë jepen në Raportin që përfshin periudhën kohore prej vitit 2016 deri më 2021
Rrënim i aseteve të trashëgimisë kulturore për ndërtime të reja, mungesën e kapaciteteve institucionale për kujdes ndaj trashëgimisë e çalime në llogaridhënie janë disa prej evidentimeve që i ka bërë Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij “CHwB Kosova”.
Në raportin “Gjendja e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë – 2021”, Fondacioni ka bërë një analizë të gjendjes në fushën e trashëgimisë kulturore. Saktësisht është marrë me gjendjen e aseteve të trashëgimisë ndërtimore duke shpalosur edhe performancën institucionale që e kanë detyrë ruajtjen, mbrojtjen dhe integrimin këtyre aseteve në politikat zhvillimore të vendit.
Raporti është produkt i punës në terren. Paraprakisht Fondacioni në bashkëpunim me organizatën “EC Ma Ndryshe”, gjatë vitit 2016 ka analizuar gjendjen fizike të 870 aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Sipas Raportit, me qëllim të vlerësimit të gjendjes së tanishme fizike, ekipet e “CHwB Kosova” gjatë vitit 2021 vizituan 86 asete nga “Lista ‘Trashëgimia në rrezik’”, si dhe 112 asete të tjera të kategorizuara më parë në gjendje të keqe fizike.
Rastet e rrafshimit
Në përgjithësi gjatë vitit 2021 Fondacioni ka vizituar 198 asete të trashëgimisë arkitekturore. Sipas Raportit, është konstatuar se prej vitit 2016 e deri më tash (nga asetet që janë vizituar v.j.) 9 prej tyre janë rrënuar plotësisht, 26 aseteve u është përkeqësuar gjendja fizike, 114 janë në gjendje të njëjtë fizike. Në raport bëhet e ditur se 19 asete u janë nënshtruar ndërhyrjeve për përmirësim të gjendjes e 20 asete nga lista në rrezik janë në proces të intervenimit.
Si të rrënuara tërësisht janë renditur Kulla e Sadik Rrucës, Junik, Kulla e Ramë Stojkaj, Lloqan, Deçan, Kulla e Haxhi Mustafës, Skivjan, Gjakovë, Kulla e Ibish Alisë, Brovinë, Gjakovë, Kulla e Gani Mehmetit, po në këtë fshat e Çardaku i Azem Hamzës në Lëbushë, Deçan. Po ashtu, në këtë listë janë edhe Shtëpia e Veton Hotit, Prishtinë, Shtëpia e Ismet Jashar Misinit, Gërmovë, Viti, e Shkolla e vjetër në fshatin Kaçanik i Vjetër, Kaçanik.
Në Raportin e përgatitur nga Sali Shoshi, këshilltar i hulumtimit dhe me hulumtues e tekstshkrues Alban Morinën, Argjirë Krasniqin, Doruntina Ukimerin e Erinë Mulolli-Zajmin, jepen të dhëna edhe për rastet që kanë përfunduar në institucionet e drejtësisë.
Sipas Raportit, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore për vitin 2018 ka raportuar se ka bërë vizita të vazhdueshme inspektuese në asetet e trashëgimisë kulturore, ku ka ndaluar në 13 raste punimet e paautorizuara, si dhe për dëmtuesit e trashëgimisë kulturore ka proceduar 6 kallëzime penale.
“Në vitin 2018 për dëmtimin, shkatërrimin dhe nxjerrjen e paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka raportuar: 5 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese dhe 5 lëndë të pranuara në punë, raste të dëmtimit, shkatërrimit dhe nxjerrjes së paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, shkruhet në Raport. Sipas Raportit, janë 2 dënime me kusht për dëmtimin, shkatërrimin dhe nxjerrjen e paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës dhe 8 lëndë ishin të pazgjidhura deri në fund të 2018-s. Kurse për veprën penale punime të paautorizuara dhe përvetësimi i monumenteve të kulturës për vitin 2018, KGJK ka raportuar 1 lëndë të pazgjidhur në fillim të periudhës raportuese dhe 1 lëndë të pranuar në punë.
Në Raport ceket se sipas Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në vitin 2019 ka ngritur 2 kallëzime penale dhe ka ndërmarrë 27 veprime në nivel të Kosovës për ndërprerjen e punimeve të paautorizuara në asetet e trashëgimisë kulturore dhe në disa raste ka obliguar palët që t’u përmbahen projekteve të aprovuara nga organet kompetente. Sipas Raportit, në vitin 2019 për dëmtimin, shkatërrimin dhe nxjerrjen e paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka raportuar 7 lëndë të pazgjidhura në fillim të periudhës raportuese dhe 4 lëndë të pranuara në punë.
“Nga këto ka dhënë 2 dënime me kusht dhe 6 lëndë janë të pazgjidhura deri në fund të 2019-s. Për veprën penale ‘Punime të paautorizuara dhe përvetësimi i monumenteve të kulturës për vitin 2019’, KGJK ka raportuar 1 lëndë të pazgjidhur në fillim të periudhës raportuese dhe 1 lëndë të pranuar në punë”, shkruhet në raport. E aty shkruhet se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore gjatë vitit 2020 ka ndërmarrë veprime për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore duke ndaluar punimet dhe duke obliguar palët për kthim të aseteve në gjendje të mëparshme në 15 raste.
“Ka ngritur 3 kallëzime penale. Gjithashtu ka kërkuar fillimin e procedurave kundërvajtëse në 3 raste”, shkruhet në Raport. Aty jepen të dhëna konkrete për dëmtimet e trashëgimisë kulturore në Prishtinë, Pejë e Prizren.
Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional
Nga e majta: Çardaku i Azem Hamzës në Lëbushë të Deçanit para rrënimit në qershor të vitit 2016 dhe pas rrënimit në tetor të vitit 2021 (Foto: CHwB Kosova)
Përderisa përfshirja e monumenteve në harta zonale është kapitull më vete, në Raport jepen të dhëna edhe për funksionimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Jepet një përshkrim për rolin dhe problemet e funksionit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
“Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional shihet si problematikë e theksuar po ashtu. Ngecje të mëdha janë potencuar në mosbashkëpunimin e Këshillit Zbatues Monitorues dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për çështjet që ndërlidhen me trashëgiminë kulturore dhe fetare”, shkruhet në Raport.
Në analizën që është bërë për Departamentin e Trashëgimisë Kulturore është evidentuar se problematikë mbetet edhe shtimi i numrit të aseteve të reja çdo vit në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme, pa ndonjë plan apo planifikim në trajtimin e tyre në të ardhmen.
Pa strategji e plan
“Në anën tjetër, edhe në asetet të cilat ka pasur intervenim me qëllim të ruajtjes së tyre, nuk ka plan të menaxhimit apo shfrytëzimit e po ashtu ndarje buxhetore në mirëmbajtjen e tyre në të ardhmen”, shkruhet në Raport. Aty shkruhet se pothuajse asnjë nga asetet e mbrojtura nuk kanë strategji të shfrytëzimit të tyre për përfitime ekonomike, kurse mirëmbajtja e tyre është tërësisht e varur nga vullneti individual i pronarëve të aseteve apo buxhetit publik në rast të ndërtesave publike.
Sa i përket Institutit Arkeologjik të Kosovës, Raporti te sfidat nxjerr në pah se ky institucion ka mangësi në transparencë, llogaridhënie dhe informim të publikut. Aty ceket se në mungesë të një platforme elektronike asnjë nga punët e IAK-së nuk janë të qasshme për palët e interesuara.
“IAK nuk ka organogram apo strukturë organizative. Problematikë mbetet edhe administrimi dhe menaxhimi i aseteve të trashëgimisë kulturore arkeologjike, të cilat janë në prona private. Mungesa e hapësirave të punës është po ashtu një prej sfidave.
Sa i përket Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, te sfidat ceket se institucioni nuk ka statut të brendshëm e organogram, ka detyra të cilat kanë potencial për të krijuar konflikte interesi.
“Mungesa e theksuar e stafit profesional dhe ngritja e kapaciteteve profesionale” është një nga sfidat. Mungesa e një plani për kthimin e dokumentacionit të trashëgimisë kulturore nga Serbia po ashtu është sfidë e IKMM-së dhe MKRS-së.
Te Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore si sfidë më vete përmendet mungesa e bashkëpunimeve ndërinstitucionale e mungesa e veturave si mjete të domosdoshme.
Si konkluzion i përgjithshëm i Raportit është se asetet e trashëgimisë kulturore përballen me sfida sa u përket ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të tyre. Aty shkruhet se shumica e aseteve të trashëgimisë kulturore të kategorisë arkitekturore janë në gjendje të mirë dhe mesatare fizike, si dhe vazhdojnë të mbesin në gjendje të njëjtë fizike.
“Në disa raste ka prioritizim të gabuar, intervenohet në ndërtesa të reja krahas atyre të cilat janë në rrezik dhe fokusi i intervenimit është në rajone të caktuara të Kosovës. Në disa raste vetë pronarët e aseteve janë shkaktarë se pse nuk intervenohet në disa asete nga institucionet përgjegjëse duke refuzuar intervenimin”, janë disa prej konkluzioneve. Mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme profesionale interdisiplinare për hartimin e projekteve të restaurimit paraqitet si njëri nga shqetësimet me të cilat përballen qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore.
Sali Shoshi, i cili është drejtor ekzekutiv i “ChwB Kosova”, ka thënë se siç shihet nga Raporti, gjendja e trashëgimisë kulturore vazhdon të përcillet me probleme në të gjitha rrafshet.
“Gjendja fizike e aseteve vazhdon të përkeqësohet, ndërsa disa prej tyre janë rrënuar, ndërkohë institucionet përgjegjëse tashmë 20 vjet kanë mbetur të pareformuara, pa politika të qarta, pa definim të roleve dhe përgjegjësive, dhe me probleme të transparencës dhe llogaridhënies”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, ndërkohë trashëgimia kulturore ka mbetur e papërfshirë në politikat e planifikimit hapësinor dhe kjo e ka rrezikuar në masë të madhe mbrojtjen e saj kundrejt zhvillimeve të tjera hapësinore.
“Ne presim që ky raport t’u shërbejë institucioneve për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në sanim të gjendjes. Qysh tani do të fillojmë monitorimin e situatës për të parë zhvillimet gjatë vitit 2022, të cilat do të përmblidhen në raportin e ardhshëm”, ka thënë Shoshi për Raportin.