Kulturë

Filharmonia nis vitin me gjallërinë dhe optimizmin e veprave bashkëkohore

Emrat e kompozitorëve që figuruan në programin e Korit të Fliharmonisë së Kosovës fije të përbashkët e kanë muzikën bashkëkohore. Dikush porsa ka nisur rrugën në këtë fushë, si i riu Ersan Januzi, e të tjerë, si profesor Rafet Rudi, veç kanë etabluar emrin e tyre si kompozitorë me nam. Dirigjenti Hajrullah Syla është ai që i ka bërë bashkë për të përçuar optimizëm e për të nxitur relaksim te publiku

Është koncerti i parë i Korit të Filharmonisë së Kosovës për sivjet. Anëtarët e Korit, nën drejtimin e dirigjentit Hajrulla Syla, të shoqëruar aty-këtu edhe nga anëtarë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, kalonin nga një vend në tjetrin, nga një kompozitor më i ri te një më i vjetër, nëpërmjet veprave që lidheshin nga fija e bashkëkohores. Një koncert të ngjashëm Kori i Filharmonisë ka dhënë edhe më 9 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë, në kuadër të kalendarit të ngjarjeve në shënim të 75-vjetorit të themelimit të liceut artistik “Jordan Misja”.

Koncerti nisi me kompozimin “Ner Ner” të 35-vjeçarit amerikan Jake Runestad. Ai është veç një nga kompozitorët e rinj që u bënë bashkë në programin e së shtunës mbrëma. Fill pas veprës së tij, në kishën “Shën Ndou” në Prishtinë, Kori i Filharmonisë solli kompozimin “Gota” të suedezit 58-vjeçar Peder Karlsson, i njohur edhe si anëtar i grupit “The Real Group” . Pas kësaj vepre, me muzikë Kori u rikthye në vend.

“Agnus Dei” ishte vepra e radhës, kompozuar nga 72-vjeçari Rafet Rudi. Kori qëndroi përsëri te një kompozitor nga Mitrovica. Për dallim nga Rudi, i cili është emër tashmë i njohur në vend e përtej, Ersan Januzi për herë të parë u prezantua para publikut vendës. “Mbase” ishte vepra që u interpretua.

Januzi e kompozoi veprën e tij gjatë muajit gusht për edicionin e kaluar të “Prishtina International Vocal Festival”, në kuadër të garës së kompozitorëve ku zuri vendin e parë. Kjo bëri që vepra e tij të fitonte automatikisht të drejtën për t’u interpretuar nga Filharmonia e Kosovës.

“Tematika e saj është për të parë optimizmin në çdo hap”, ka thënë kompozitori 23-vjeçar. Teksti sillet rreth fjalisë: “Mbase më mirë optimist”. Këtë pjesë e këndojnë vazhdimisht edhe anëtarët e Korit.

“Ka pasur më shumë teknika bashkëkohore, ku gërshetohen edhe instrumentet viola dhe korni, për t’i shtuar ngjyrosje veprës dhe anëtarëve të korit”, ka thënë Januzi. Vesa Doli ishte ajo që luajti në violë e Bledar Bujupi në korn.

“Jam ndarë mjaft i kënaqur, ashtu siç e kam menduar dhe u jam mirënjohës dirigjentit Hajrullah Syla dhe anëtarëve të Korit të Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë kompozitori i ri, i cili është në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Dirigjenti Hajrullah Syla ka thënë se në Prishtinë ishte premierë i gjithë programi.

“Për dallim nga koncerti në Tiranë, kishim disa ndryshime në vepra, kishim ‘Agnus Dei’ të profesorit Rafet Rudi dhe ‘Mbase’ nga një djalë i ri dhe mjaft i talentuar Erson Januzi”, ka thënë ai. Sipas tij, vepra e Januzit ishte mjaft atraktive.

“Një ngjyrim mjaft interesant, disa linja që gjuanin në atmosferë më ndryshe. Besoj që për Ersanin është mjaft i rëndësishëm ky interpretim, pasi që do të ketë frymëzim më të madh që të shkruajë muzikë korale”, ka thënë Hajrullahu. Ishte ai që potencoi se të gjitha veprat kanë qenë vepra bashkëkohore.

“I gjithë programi është me kompozitorë që jetojnë ende dhe ishte një program që përcillte shumë atmosferë gjatë gjithë koncertit. Veprat janë përzgjedhur me shumë kujdes, duke pasur parasysh që e kemi kaluar një pjesë në mbyllje për shkak të pandemisë, kam menduar që ky program do të jetë interesant për publikun që të hyjë në një botë tjetër”, ka shtuar ai.

Koncerti vazhdoi me “Kuulin aanen” të kompozuar nga Laura Jekabson, nën interpretimin e sopranove Selvije Marteti, Shkurte Hykaj, Ilvije Dragusha dhe në alto ishin Dea Hamdiu, Albana Piperku – Sheapi dhe Diellza Sylejmani, e cila tha se koncerti për të ishte shumë i veçantë.

“Një program i larmishëm, pak më ndryshe sesa që jemi mësuar ta shohim Korin e Filharmonisë së Kosovës. Veprën të cilën e kisha veçuar më shumë është ‘Kuulin aanen’, aty isha edhe njëra nga solistet. Kjo vepër është shkruar për një sektet të grave dhe ishte një kënaqësi e veçantë për ta interpretuar këtë vepër e cila u mirëprit nga publiku”, ka thënë ajo. Sipas saj, në këtë kompozim është i gërshetuar folklori finlandez i cili ngjason pak edhe me ritmin vendës. “Dhe si duket edhe për atë u mirëprit shumë mirë nga publiku”, ka thënë ajo.

Më pas ishte radha e së njohurës “Asaman”. Një vepër popullore e përpunuar nga kompozitori Vasil Tole e që erdhi në aranzhimin e Hajrullah Syles dhe me Ismet Vejselin si tenor. Ky është bashkëpunimi i tretë i tij me Filharmoninë, kurse hera e dytë si solist.

“Është gjithmonë kënaqësi pasi që jo gjithmonë si këngëtar i ri ke rastin të këndosh në koncerte të tilla, sidomos të performosh me dirigjent të tillë si Hajrull Syla, kështu që është gjithmonë kënaqësi”, ka thënë ai. Sipas tij, koncerti ka qenë shumë i rëndësishëm për dy arsye: Kori nisi vitin me një program më të gjallë dhe vuri në pah talentin edhe të gjeneratës më të re.

“Mendoj që sot sollën një energji shumë të mirë për publikun e Kosovës dhe të Prishtinës”, ka thënë i porsadiplomuari nga Maqedonia.

Pas kësaj u interpretuan edhe dy vepra të tjera. Fillimisht “Song of Universal” e 43-vjeçarit nga Norvegjia që jeton në SHBA, Ola Gjeilo, për të vazhduar me veprën “Into the light” të 35-vjeçarit amerikan, Jake Runestad.

Anëtarët e Korit me zërat e tyre e veprat e kompozitorëve të përzgjedhur reflektuan optimizëm e gjallëri, ani pse të ftohtit ua përshkonte trupin. Edhe intervistat mundoheshin t’i mbanin të shkurtra, për të lënë më shpejt kishën “Shën Ndou” ku temperaturat ishin të ulëta. Kjo hapësirë herë pas here është strehë për këtë institucion që mbeti pa shtëpi.