Kulturë

“Prenk Jakova” në vend të festës proteston me violina

Për Ditën Botërore të Violinës janë tri sugjerime: luani me këtë instrument, dëgjoni muzikë të kompozuar për violinë, ose shikoni filma në lidhje me këtë instrument. Me dhjetëra artikuj e kanë këto porosi për të shënuar këtë ditë që për bazë e ka një instrument goxha të moçëm. Por në Kosovë, nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, kjo ditë u shënua me protestë. Të indinjuar nga gjendja e tyre, përmes tingujve të violinave, ata i kanë dhënë zë kërkesës për të pasur një objekt të vetin shkollor.

Violinistët e vegjël të Shkollës së Muzikës, të hënën kanë luajtur duke argëtuar kalimtarët por edhe duke ua qarë hallin për objektin shkollor që nuk e kanë. Pa përtesë, kushdo që i ka pyetur i kanë treguar me krenari se vijnë nga një shkollë me traditë më shumë se shtatë dekada që nuk ka një objekt të vetin dhe endet nga një shkollë nikoqire në tjetrën.

Nxënësit i kishte bërë bashkë, para Komunës së Prishtinës, te sheshi “Adem Jashari”, që ka afër edhe Kuvendin, kërkesa e tyre e thjeshtë: kushtet për mësim. Performanca e tyre ishte hakërrim për një objekt për shkollën me nam që aktualisht është qiraxhi.

Jeta Dida-Bujari, drejtoreshë e shkollës, ka thënë se gjithmonë do të bëjnë protesta të tilla në formë performance për të sensibilizuar institucionet në lidhje me kërkesën e tyre për ndërtimin e shkollës së muzikë.

“Protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës tonë, pra ndërtimin e objektit të kësaj shkolle me traditë 72-vjeçare. Shkollë nga e cila kanë dalë me mijëra talente që janë pjesë e Fakulteti të Arteve, si dhe Filharmonisë së Kosovës si institucioni më i lartë muzikor në vend”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ka kohë që e përsërisin kërkesën e tyre dhe akoma nuk është marrë një veprim konkret.

“Asnjëherë nuk është ndërmarrë diçka, thjesht premtime, dhe ne jemi aq të zhgënjyer, saqë derisa të shohim themelet e shkollës nuk i besojmë më askujt”, ka thënë ajo.

Kjo shkollë pati mbajtur performancë protestuese edhe para tri ditëve në po të njëjtin vend. Patën zgjedhur ditën e premte, pasi shënohej edhe Dita Ndërkombëtare e Korit.

“Duam objekt shkollor”, “Muzika është e rëndësishme sa politika”, ishin vetëm disa prej masazheve në pankartat e nxënësve. Me fotografi të objekteve të shkollave të muzikës në Pejë, Prizren, Mitrovicë e Gjakovë, pyesnin se kur mund ta kenë edhe ata një shkollë të tillë. Që të premten patën paralajmëruar se kjo ishte vetëm një nisje e organizimeve të tilla për të kërkuar të drejtën e tyre për objekt shkolle.

317 fëmijë kanë konkurruar vetëm këtë vit për të ndjekur mësimet në shkollën e ulët të muzikës “Prenk Jakova”. Tash pesë vjet shkolla e muzikës është zhvendosur nga ish-objekti i shkollës së ekonomisë “Hoxhë Kadri Prishtina” në objektin e shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”. E objekti del të jetë i papërshtatshëm për nevojat mësimore. Nxënësit patën treguar për KOHËN se bartja nga një objekt në tjetrin dhe mungesa e hapësirës në objektin e tanishëm po e pengojnë zhvillimin e tyre profesional, por po shihen edhe si pengesë në mësimin e nxënësve të Shkollës së Mjekësisë.

Nxënësit kanë thënë se do të vazhdojnë protestën e tyre përsëri brenda këtij muaji, derisa të marrin premtime konkrete për ndërtimin e objektit. Shkolla “Prenk Jakova” vite më parë e ka lënë objektin e vjetër të shkollës afër shkollës “Elena Gjika”, me premtimin se do t’u ndërtohet objekti i ri në të njëjtin vend. Punimet për shkollë ishin ndërprerë me arsyetimin e Komunës se nuk ka filluar të ndërtohet sipas planit të parashikuar. Siç e ka nënvizuar Dida-Bujari, jo pak nxënës të “Prenk Jakovës” janë pjesëtarë të Filharmonisë së Kosovës, e që ky institucion nuk ka objekt të vetin. Ai për Operën, i themeluar në letra sivjet e i inauguruar me koncert, nuk duket as në horizont.