Kulturë

“Manifesta 14” në pritje të projekteve që formësojnë tregimin për Kosovën

Descriptive Text

“Manifesta 14” ka bërë të ditur se pjesë të programit të vet do të ketë edhe rrëfime të kosovarëve. Ka hapur thirrjen për të mbështetur 15 projekte. Është në kërkim të artistëve, kuratorëve, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve kulturore, por edhe grupeve të komunitetit, të cilët kanë një ide se si të rrëfehet tregimi për Kosovën. Synim ka projektet që pyesin se cilat forma të reja të rrëfimit mund të përdoren për të treguar apo për të imagjinuar kolektivisht të ardhmen e Prishtinës. Apo, siç është bërë e ditur në komunikatën për media, projekte që tregojnë se ku mund ta rimarrin qytetarët e Prishtinës hapësirën e tyre publike dhe më e rëndësishmja, si mund të ndryshojë kjo përvojën e të jetuarit në qytet.

Aty është treguar se projektet do të ekspozohen ose integrohen në lokacionet kryesore të “Manifestas”, për shembull në “Grand Hotel Prishtina”, Fabrikën e Tullave ose bibliotekën “Hivzi Sylejmani”. Megjithatë, është potencuar se do të merren në konsideratë edhe projektet rreth intervenimeve specifike në hapësira me bazë në Prishtinë. Në po të njëjtën komunikatë është bërë e ditur se thirrja është e hapur për projektet nga Kosova ose të propozuara nga diaspora kosovare.

“Projektet duhet të jenë të lidhura me konceptin kuratorial të sivjetmë: ‘Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe’, duke eksploruar potencialin politik të rrëfimit në Kosovë, apo me vizionin urban të Prishtinës të krijuar nga ‘Carlo Ratti Associati’, duke hulumtuar se si mund të rimerret hapësira publike për qytetarët e Prishtinës”, është shkruar aty.

Është bërë e ditur se në janar të 2022-tës juria do të përzgjedhë maksimum 15 projekte nga propozimet e paraqitura. Këto projekte të përzgjedhura do të zhvillohen nën drejtimin kuratorial të ndërmjetësueses kreative, Catherine Nichols. Po ashtu pesëmbëdhjetë projektet e përzgjedhura do të përfitojnë 5 mijë euro financim, si dhe mbështetje logjistike dhe kuratoriale.

Edicioni i 14-të i “Manifestas”, që do të aterrojë në Prishtinë vitin që vjen, merr sfidën e eksplorimit dhe gjenerimit të praktikave dhe mënyrave të reja të rrëfimit kolektiv.

“Sfida është të kuptojmë se si të bashkëprodhojmë, bashkëzhvillojmë tregime të rikuperimit ende të mundshëm, që mbajnë rrëfimet e gjalla për ata që vijnë më pas”, ka shkruar ekipi i “Manifestas”.

Koncepti kuratorial e pozicionon rrëfimin e tregimeve si një strategji vendimtare të mbijetesës. Përmes rrëfimit të tregimeve të ndryshme, bienalja synon të bëhet një platformë gjithëpërfshirëse dhe e larmishme ku hierarkitë dhe kufijtë zhduken.

“Manifesta 14” po ashtu ka treguar se do të përzgjedhë tregime apo projekte që trajtojnë dhe vijnë nga kultura e Kosovës dhe qytetarët e saj.

“Në kuadër të programit nuk do të ketë dallim ndërmjet pjesëmarrësve ndërkombëtarë dhe vendorë, por tregime që eksplorojnë lokacione, vende dhe histori të ndryshme të qytetit të Prishtinës dhe që do të jenë pjesë e integruar e programit të kuruar. Ndryshe nga edicionet e mëparshme të ‘Manifestas’, të gjitha projektet lokale do të financohen, si dhe do të marrin mbështetje komunikimi dhe logjistike nga ekipi i ‘Manifestas’”, ka bërë të ditur stafi i “Manifestas”. Sipas tyre, përmes kësaj qasjeje, “Manifesta 14” po merr formë dhe po mëson nga qyteti i Prishtinës, duke u dhënë zë qytetarëve të saj.

Bienalja nomade evropiane, “Manifesta” lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. ”Manifesta” është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë, duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me dhe për kontekstin në të cilin zë fill. “Manifesta” rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar.

“Manifesta” është themeluar dhe drejtohet nga historiania holandeze e artit, Hedwig Fijen. Çdo edicion i ri financohet individualisht dhe menaxhohet nga një ekip i përhershëm i specialistëve ndërkombëtarë.

Vitin e ardhshëm do të mbahet në Prishtinë nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022 dhe do të jetë e hapur për të gjithë.