Kulturë

“Shkolla verore si shkollë” zgjerohet në edicionin e tretë

Prishtinë, 7 korrik - Qendra për art bashkëkohor “Stacion”, për dy javë do ta shndërrojë kryeqytetin në stacion artistësh të njohur e të rinj me “Shkollën verore si shkollë”. Janë gati 100 veta nga vende të ndryshme të botës që tashmë janë regjistruar për kurset e ligjëratat që sjell edicioni i tretë i kësaj ngjarjeje, që do të nisë më 10 të këtij muaji, shkruan sot Koha Ditore..

Numri i të interesuarve është vetëm një dëshmi se “Shkolla…” është zgjeruar. Numri i aktiviteteve është dëshmia e radhës bashkë emrat e artistëve që do të marrin pjesë në forma të ndryshme në këtë platformë të artit dhe shkollimit, e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit të “Stacionit” me parterë nga Lubjana, New-Yorku, Beogradi, Vjena, Osloja, Shkupi e Sarajeva. Në kontekst më të gjerë, ky projekt i përgjigjet edhe sistemit edukativ në shtetet e rajonit. Prandaj pjesëmarrës nga mbi 20 shtete të ndryshme të botës do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre me publikun kosovar.