
Reklama e një biznesi është vendosur mbi muralin e Nexhmije Pagarushës, vetëm një muaj pasi ky mural u vendos në qendër të Prishtinës.
Fotografitë e publikuara nga drejtoresha ekzekutive e “MuralFest Kosova”, Lebibe Topalli, tregojnë procesin e vendosjes së një reklame “VIP” mbi muralin. Ajo është shprehur e tronditur me këtë ndërsa ka thënë shkurt se është pa koment.
Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se janë njoftuar për rastin e se Inspektorati është duke shkuar në vendin e ngjarjes.
“E kemi marrë menjëherë lajmin për vendosjen e reklamës mbi muralin e Nexhmije Pagarushës dhe e kemi lajmëruar Drejtorinë e Inspektoratit, dhe Drejtoria e Inspektoratit po shkon në vendin e ngjarjes”, ka thënë për KOHËN, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.
“Është e pabesueshme dhe e tmerrshme”, ka thënë ai në një lidhje në Facebook teksa ka shtuar se beson që brenda ditës kjo reklamë do të largohet.
Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për KOHËN se reklama mbi muralin e Nexhmije Pagarushës do të largohet dhe se pala që e ka vendosur do të gjobitet.
Më 12 nëntor, murali i këngëtares Nexhmije Pagarusha u inaugurua në qendër të Prishtinës. Ishte artistja spanjolle Alba Fabre që arriti ta përfundonte portretin e përzgjedhur për Pagarushën.
Portreti ishte kur Pagarusha ishte në kulm të karrierës së saj.