Kulturë

“Agnus Dei” fiton çmim në Chicago

Në edicionin 2017 të Illinois Independent Film Festival që ka përfunduar mbrëmë në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar e regji të Agim Sopit, ka fituar Çmimin e regjisorit më të mirë /Best Director/.

“Agnus Dei” shfaq dramën e një lloj Edipi të ditëve tona. Drama tronditëse shtjellon fatin e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave, i cili bënë një jetë të dëshpruarish me të ëmën Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit.

Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Petri cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës.

Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë e vet, Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijën e Dinit, Marien dhe ikën.

Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjatë raporteve të tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet.

Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, ai ia merr vetes jetën.

Filmi “Agnus Dei”, i cili deri më tani i ka sjellë Kosovës 86 çmime kinematografike, ditëve në vijim do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Meksikë e Evropë.

“Agnus Dei”, gjatë muajit gusht, do të ketë nderin të hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Pekin të Kinës, festival që cilësohet si më i rëndësishmi në shtetin më të numërt të botës.