Objektit që dikur kishte shërbyer si burg në qytetin e Podujevës i është rrënuar kulmi nga pronari privat që e kishte blerë nga ish-pushteti në këtë komunë. Përfaqësuesi ligjor i tij ka thënë se nuk e kanë qëllim rrënimin, por vetëm rinovimin për ta bërë të banueshëm këtë. Ndërsa, zyrtarët komunalë thonë se pronari e ka tejkaluar lejen që ia kishin dhënë për ta rinovuar dhe të njëjtit ia kanë ndaluar punimet. Ata po ashtu kanë theksuar se do t’i ndjekin të gjitha procedurat ligjore që ky objekt të marrë statusin e monumentit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore
Rrëfimi i Kajtaz Ajvazit nga fshati Dobratin i Podujevës mund të shuhet bashkë me gjurmët e objektit të ish-burgut në këtë komunë. Këtij objekti gati njëshekullor, të cilin ish-pushteti e kishte shitur për rreth një mijë euro në emër të privatizimit, i është rrënuar kulmi nga pronari, Viktor Hoxha. Nipi i Kajtaz Ajvazit, Afrimi, nuk është ndier aspak mirë kur e ka parë këtë objekt pa kulm, në të cilin para një shekulli thotë se kishte vuajtur gjyshi i tij.
“Unë gjyshin nuk e kam takuar, por sipas gjyshes që më ka treguar, babëgjyshi ka vuajtur shumë në këtë burg, një ndër më së shumti në Llap. Tetë vjet i ka pasur martesë gjyshja, prej atëherë i ka ruajtur 3 fëmijë. Më ka thënë nja 10 ditë një kushëri jonë, bali Fetah, i kishte çuar bukë prej shtëpisë në orën 11:00. Të 11-ën ditë në sabah e kishin pushkatuar. I vetmi prej tyre kishte mbetur gjallë një i Dumnicës. Kur ka ardhur Selim Obrança (pleqnar v.j.) , i kish pa teshat e tij grumbull pas dere”, thotë Afrim Ajvazi. “Nuk jam ndier mirë (për rrënimin e kulmit v.j.). Kam pasur qejf me mbet histori ky objekt, me dit fëmija im, djali i djalit tim me përcjell që ka hjek babëgjyshi në këtë burg. E kanë maltretuar me thika, në fund e kanë ekzekutuar te Mulliri i Mehmet Agës, i kanë thanë. Ai ka qenë në atë kohë si gjeneral, si komandant i Stacionit të Policisë në Kërpimeh. Prej atëherë, na nuk dimë asgjë për të, kurrë hiç. As nuk ia dimë varrin, as s’e dimë asnjë fjalë. Deri pas luftës as në komunë familja ime nuk ka hyrë”.
Pushteti i tanishëm komunal, pronarit Viktor Hoxha ia ka dhënë pëlqimin për rinovim, por drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Elheme Kutllovci, ka thënë se ka kërkuar nga Drejtoria për Planifikim Urban pezullimin e atij vendimi, ndërsa nga Drejtoria e Inspektoratit që t’ia ndalë punimet. Ajo ka dyshime për mënyrën se si objekti komunal në pronë komunale është shitur nga ish-qeveria lokale.
“Në bazë të dokumenteve që kam kërkuar, në vitin 2015 objekti në fjalë, pra ish-burgu i Komunës së Podujevës është privatizuar dhe nga qeverisja e mëhershme. Ka kaluar në tri palë, tre blerës. Në momentin që ka kaluar në tre blerës, njëri prej tyre e ka blerë prej dy të tjerëve. Prej vitit 2015 është i privatizuar. Prona është e komunës, domethënë parcela aty është pronë komunale, edhe objekti ka qenë pronë komunale”, është shprehur drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Elhemi Kutllovci.
Sipas saj, nuk i kanë dokumentet se në bazë të cilave procedura është privatizuar ky objekt.
“Domethënë ende nuk jemi të sigurt se si kanë ecur, a është në mënyrë ligjore që ka kaluar deri te privatizimi. Se normalisht për t’u privatizuar një objekt, duhet të përcillet me baza ligjore në këtë rast. Po ajo që është e rëndësishme të theksohet është që privatizimi është bërë me një çmim shumë të lirë vetëm sa për sy e faqe është ai çmim. Unë e shoh si një objekt shumë të rëndësishëm për Komunën e Podujevës. E shoh një objekt me një histori të veçantë që ngërthen në vete shumë të vërteta aty. Të mos flasim për një periudhë të caktuar kur Kosova ishte në një gjendje të jashtëzakonshme para luftës dhe ne ishim të okupuar nga regjimi serb në Kosovë. Kështu që për mendimin tim ai objekt duhet të ketë një trajtim të veçantë, sepse është një histori e vërtetë dhe gjërat e vërteta duhet të mbahen dhe të ruhen”, ka thënë ajo.

Drejtoresha për Kulturë në Podujevë ka theksuar se në vitin 2017 Qendra rajonale për trashëgimi kulturore kishte shkuar për ta parë këtë objekt nëse duhet të hyjë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, por sipas saj, ata ishin penguar nga pronari.
Ndërkohë, avokati i Viktor Hoxhës, Adnan Sadiku, nëpërmjet telefonit ka thënë se nuk janë kundër që ky objekt të hyjë në mbrojtje ligjore si monument i trashëgimisë kulturore. Ai e ka mohuar se klienti i tij e ka pasur për qëllim rrënimin e objektit, por kërkesa, sipas tij, është bërë për rinovim në mënyrë që të bëhet i banueshëm.
“Viktori është pronar i banesave të cilat gjenden komplet në këtë objekt banesor. I ka siguruar me kontrata të shitblerjes. Objekti e ka humbur qëndrueshmërinë për me qenë i banueshëm, në të njëjtën kohë ky i ka plotësuar kushtet për me u pajisë me leje për rinovim të objektit. Dhe komuna në formë të dispozitave ligjore të cilat janë e ka lëshuar lejen për rinovim të objektit”, ka thënë Adnan Sadiku.
Ai ka thënë të mos e dijë në detaje se cilat pjesë është paraparë të prishen, pasi kjo ka thënë se është çështje e inxhinierëve të ndërtimtarisë se çfarë kanë paraparë ata. Sadiku ka theksuar se tash për tash i është pezulluar leja për rinovim.
“Tash Drejtoria e Kulturës në Podujevë iu ka drejtuar Ministrisë së Planifikimit Hapësinor me një kërkesë, në bazë të asaj kërkese i janë pezulluar punimet përkohësisht në objekt derisa të kthehet një përgjigje prej Ministrisë së Planifikimit Hapësinor. Mirëpo, leja nuk është anuluar”, është shprehur avokati i Viktor Hoxhës. “Ne realisht në këtë kohë as ankesë nuk do të ushtrojmë. Ne do të presim një komision, i cili do të formohet prej, ose do të vijë prej Ministrisë së Planifikimit Hapësinor (Ministrisë së Kulturës v.j.), le të dalë në vendin e ngjarjes edhe le të nxjerrë një mendim ose një konkluzion a i plotëson kushtet objekti me qenë i mbrojtur apo jo. Në qoftë se i plotëson kushtet për me qenë i mbrojtur, nuk është as prej anës së Viktorit, as prej anës sonë, as prej askujt për me qenë pengesë që të jetë objekt i mbrojtur”.
Avokati Adnan Sadiku ka theksuar se edhe para luftës ky objekt e ka pasur statusin e banesës.
Në anën tjetër, drejtoresha Elheme Kutllovci ka thënë se bashkë me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës do të shohin nga afër se çka mund të bëjnë që ky objekt të mos rrënohet dhe të futet si monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
“Ne do t’i ndjekim të gjitha përgjegjësitë ligjore që i kemi si institucion, do të mundohemi që ky objekt të mos rrënohet”, ka thënë ajo.