Kulturë

Ministria pezullon punimet në Çarshinë e Gjakovës, Komuna s’i ndal

Ndërhyrjet e radhës në Çarshinë e Madhe të Gjakovës kanë rikthyer telashet ndërinstitucionale. Komuna e Gjakovës i ka nisur punimet restauruese bazuar në lejen e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që është institucion i Ministrisë së Kulturës. I njëjti institucion ka pezulluar vendimin e vet, por autoritetet komunale nuk kanë hequr dorë nga punimet dhe ato kanë vazhduar

Çarshia e Madhe e Gjakovës është bërë sërish mollë sherri midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Por për dallim prej para një dekade, kur Komuna e Gjakovës hoqi kubëzat pa miratim paraprak nga institucionet e trashëgimisë kulturore, kësaj radhe gjërat qëndrojnë ndryshe. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka miratuar projektin e Komunës për ndërhyrje në atë që njihet si bërthama e Çarshisë së Madhe. Bëhet fjalë për zëvendësimin e pllakave të mermerit. I njëjti institucion ka marrë vendim për pezullimin e punimeve. Por Komuna nuk ka hequr dorë nga punimet dhe ato kanë vazhduar edhe të enjten.

Komuna e Gjakovës ka nisur ndërhyrje në këtë pjesë, bazuar në vendimin e IKMM-së nëpërmjet të të cilit më dy shtator është “aprovuar rekomandimi i Komisionit për vlerësimin e kërkesave dhe projekteve restauruese dhe konservuese të trashëgimisë kulturore arkitekturore të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për projektin ‘sanimi i rrugës ‘Sylejman Hadum Aga’ në bërthamën e Çarshisë së Madhe”.

Por në ditën e 17-të të këtij muaji IKMM-ja ka bërë pezullimin e vendimit që e ka lëshuar vetë . Për këtë është bazuar në një ankesë të pranuar për këtë rast. “Ky vendim pezullohet deri në zgjedhjen e ankesës nga ana e Komisionit për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të IKMM-së”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. I njëjti vendim i është përcjellë edhe Komunës së Gjakovës nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në këtë qytet. Sipas shkresave të publikuara nga vetë Komuna, vendimi për pezullimin e dokumentit që u ka hapur rrugë punimeve është pranuar nga qeveria lokale në ditën e 20-të të këtij muaji.

Pavarësisht krejt rrethanave të krijuara rreth zonës që është e mbrojtur me Ligjin për trashëgimi kulturore, Komuna nuk ka hequr dorë nga punimet që kanë filluar më 10 shtator. Kompania punëkryese e ka vazhduar aktivitetin edhe të enjten.

“Komuna e Gjakovës konsideron se ky është rast eklatant i dëmtimit serioz të buxhetit komunal, veçanërisht i bizneseve komunale dhe i rrjedhës së projekteve në komunën tonë. Komuna e Gjakovës, duke ndjekur të gjitha procedurat, do të vazhdojë me punë”, shkruhet në njoftimin e Komunës të lëshuar të mërkurën në rrjete sociale. Institucioni lokal i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës “që t’i shohë me urgjencë se kush janë ekspertët që kanë kërkuar të pezullohen punimet”.

“Në bazë të informatave, personat në fjalë nuk janë ekspertë fare, por janë njerëz politikë të cilët sot qëllim kryesor e kanë fushatën zgjedhore dhe nuk kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve, atë të bizneseve dhe as rregullimin përfundimtar të qendrës historike në Gjakovë”, shkruhet në njoftimin e Komunës.

Komisioni i Ministrisë së Kulturës që shqyrton ankesat kundër vendimeve të IKMM-së ka kërkuar pezullimin e vendimit, nëpërmjet të cilit kishin nisur punimet. Ky komision ka kërkuar që derisa të shqyrtohet ankesa e pranuar vendimi të jetë i pavlefshëm.

Tri ditë pasi kishin nisur punimet, ka qenë arkitekti Sali Shoshi ai që ishte ankuar në MKRS. Nëpërmjet ankesës Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, kishte kërkuar që Ministria të ndërhyjë.

“Nga informatat fillestare mësova se pllakat do të jenë nga guri granit në dimensionet të mëdha (brinjët mbi 20 centimetra) dhe se kjo ndërhyrje tashmë ka marrë miratim nga Ministria e Kulturës, gjegjësisht nga Komisioni përkatës në IKMM”, ka shkruar Shoshi. Ai nëpërmjet ankesës ka thënë se vlerëson se çfarëdo ndërhyrjeje në rrugicat e Çarshisë duhet të synojë rikthimin e kubëzave të gurit që njihen si kalldrëm me dimensione 10 me 10 centimetra të cilat, sipas tij, kundërligjshëm janë hequr nga ky segment në vitin 2009. Ka sqaruar se kubëzat janë vendosur në Çarshinë e Gjakovës qysh në vitet ’60 dhe si të tilla ato janë bërë pjesë e integritetit dhe autenticitetit të Çarshisë, sikurse në disa qytet të tjera të Kosovës.

Image
Pamja e bërthamës së Çarshisë, të mërkurën. Derisa aty ka qëndruar ekipi i KOHËS, nuk janë zhvilluar punime

“Prandaj, ndërhyrjet të cilat nuk marrin parasysh vlerat e Çarshisë të ndërlidhur me integritetin dhe autenticitetin e materialeve të përdorura, formave, teksturave, teknikave të aplikuara, duhet të kundërshtohen nga Ministria e Kulturës, e cila bazuar në Ligjin për trashëgimi kulturore është gardian për moslejimin e cenimit të pasurimeve kulturore kombëtare në Kosovë”, ka shkruar ai në ankesën në të cilën është nënshkruar si arkitekt. Ka kërkuar që të kryhen hulumtime me qëllim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

Pikërisht kjo ankesë është bërë shkak që të anulohet vendimi i IKMM-së derisa Komisioni ta shqyrtojë këtë ankesë.

Krejt kjo situatë u ka nxjerrë telashe pronarëve të bizneseve në pjesën e Çarshisë ku është duke u ndërhyrë.

Sali Beqaj, pronar i një lokali në këtë pjesë, ka thënë se çdo gjë nisi mbarë për rregullimin e Çarshisë, por ndonëse u premtua se puna do të kryhej për 10 ditë, ajo s’ka përfunduar.

“E pritëm me gëzim që do të bëhet shumë mirë, por për tri ditë u ndaluan punimet", ka thënë ai.

Beqaj ka treguar se të mërkurën ai dhe disa pronarë biznesesh janë takuar me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, i cili, sipas tij, u ka premtuar se punimet do të vazhdojnë.

"Tash 13 ditë ne i kemi lokalet të mbyllura, në fillim na e ndaluan shërbimin brenda shkaku i pandemisë, ekzistenca jonë varej nga terrasa përjashta, tash atë u dasht ta heqim shkaku i punimeve që filluan këtu, dhe tash u bë e pamundur puna, janë mbyll lokalet, njerëzit mbajnë familje prej kësaj pune, kemi edhe punëtorë, ata mund të mbesin pa rroga dhe ata mund të ikin dhe do të kemi problem me gjetjen e punëtorëve", ka numëruar ai problemet.

Një i moshuar, banor lokal, shprehet i brengosur me pamjen që është krijuar në Çarshinë e Vjetër.

“Është neglizhencë e madhe, një pjesë e mirë e gastronomëve jetojnë nga këto lokale”, ka thënë ai. “Edhe syrin ta vret kjo pamje, nga një atmosferë argëtimi, gjallërie, pune e angazhimi, është shndërruar në një gërmadhë dhe kjo është e patolerueshme”, ka shtuar ai.

Krejt kjo situatë ka filluar të marrë edhe konotacione politike, pasi Komuna dhe Ministria e Kulturës udhëhiqen nga menaxherë që u takojnë partive të ndryshme politike.

Largimi i kalldrëmit nga Çarshia e Madhe në Gjakovë është një histori e vjetër. Para gati një dekade Komuna, që asokohe udhëhiqej nga Pal lekaj, kishte larguar kalldrëmin për ta zëvendësuar atë me gurë të mermertë të Gllarevës. Asokohe Ministria e Kulturës i kishte ndalur punimet. Madje pikërisht për këtë çështje ishte suspenduar për tre muaj drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, Osman Gojani. Të enjten ai ka qenë i paqasshëm për KOHËN. Reagimi i grupeve të ndryshme asokohe ishte shumë i madh. Por pavarësisht kësaj, Çarshia kishte humbur autenticitetin të paktën si rrugë.