Filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, ka marrë çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.
Me këtë çmim “Pa vend” zyrtarisht është kualifikuar për kategorinë e filmit të shkurtër për “Oscars 2022”, ka njoftuar producenti Eroll Bilibani.
Regjisori Karahoda në një video dërguar festivalit dhe audiencës, ndër të tjera tha që këtë çmim ia dedikon atyre për të cilët është punuar filmi, pra “për të gjithë sportistëve dhe talenteve të reja të vendit tim të vogël dhe të bukur”.
Sipas jurisë së Festivalit gara u dallua nga një përzgjedhje e fortë e filmave.
"Filmi 'Pa Vend' nga Samir Karahoda na mahniti me pamjen, vendndodhjet dhe personazhet e tij unike na e sollën në jetë një përkushtim kishotian, por të vendosur, ndaj një sporti - dhe një vendi - që është e vështirë të artikulohet, madje edhe ndaj vetvetes", u tha nga juria.
TIFF njihet si festivali më i madh publik në botë dhe festivali më i rëndësishëm në Amerikën Veriore. Këtë vit u organizua edicioni i 46-të, ndërsa "Pa Vend" ishte në grupin e filmave të shkurtër Short-Cuts ku konkurruan gjithsej 38 filma nga 23 shtete.
“Rrugëtimi i Pa vend deri më tani duket mjaft mbresëlënës, deri në fund të nëntorit filmi do të udhëtojë në 17 festivale dhe ku do të shfaqet si premierë në të gjitha këto shtete. Pa vend, premierën botërore e kishte në festivalin e Kanës ku edhe u nominua si filmi më i mirë Evropian për ceremoninë Europian Film Awards i cili njihet edhe si Oscari Evropian”, ka njoftuar producenti Bilibani.