E pafundme është bota e muzikës dhe rrugëtimi nëpër të nuk ndalet kurrë. E në një dimension të tillë i çon studentët e muzikës maestroja Ilir Bajri. Për pesë ditë me punëtorinë “ReCreate and RePlay”, katër pjesëmarrës patën mundësinë të krijonin instrumente virtuale. Përparësitë e teknologjisë shndërrohen në përparësi për muzikën
Të parët të cilët krijuan muzikën në formë krejtësisht natyrale dhe duke qenë tinguj të buruar nga vetë natyra, s’do të mund të mendonin se një ditë instrumentet do të dilnin nga forma origjinale e tyre, për të ardhur në rikrijimin e tyre virtual. E transformimin dhe zhvillimin teknologjik, si avantazh për muzikën, i dëshmoi punëtoria me veglat virtuale për kompozim dhe interpretim, ndërtim dhe aplikim, “ReCreate and RePlay”.
Me moton e rikrijimit dhe riluajtjes së këtyre instrumenteve, kompozitorët e muzikantët e rinj Fjolla Gashi, Lum Halabaku, Ilire Avdiu dhe Diona Gashi, nën mentorimin e kompozitorit e jazz-pianistit të shquar, Ilir Bajri, në punëtorinë pesëditore panë një dimension tjetër të efektivitetit muzikor.
Kjo punëtori, prezantimi i të arriturave të së cilës u bë mbrëmjen e së enjtes, qe urë lidhëse midis gjeneratave të reja përmes bashkëpunimit që arriti “ReMusica” me Fakultetin e Arteve në universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Që në fillim të prezantimit digjital të punëtorisë mbrëmjen e së enjtes, kompozitori Ilir Bajri ka theksuar se gjatë kësaj periudhe katër pjesëmarrësit kanë mësuar gjëra bazike.
“Punëtoria ka pasur për qëllim njohjen e kolegëve të rinj me mundësitë e teknologjisë, të krijimit dhe përdorimit të instrumenteve në forma kreative”, ka thënë Bajri, themelues dhe inovator i Orchestools, opensource instrumentevesh virtuale.
Punëtoria u shërbeu pjesëmarrësve për mësimin e incizimit të tingullit digjital nëpërmjet pajisjeve teknologjike apo telefonit, si dhe përdorimin e aplikacioneve të cilat mundësojnë krijimin e instrumenteve digjitale.
“Punëtoria ia mundësoi njohjen me platformën ‘Hide’, e cila është ‘open source’ dhe gratis, e cila shfrytëzohet për krijimin e instrumenteve virtuale dhe përgatitjen e tyre për përdorim e krijimtari muzikore”, u shpreh Ilir Bajri.
Tutje, në pamjet të cilat ishin të xhiruara në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë shfaqur prezantimet e secilit pjesëmarrës, të cilët secili veç e veç kanë treguar atë çfarë kishin mësuar dhe e demonstronin pastaj në formë praktike.
“Edhe pse kjo punëtori ka pasur një interval kohor të shkurtër, ka pasur një ndikim të madh”, thotë Fjolla Gashi, studente e kompozimit, qysh në fillim të prezantimit të saj. Për të “ReCreate and RePlay” ka qenë interesante dhe sfiduese njëkohshëm.
“Gjithçka ka nisur me ide të thjeshtë me krijimin e një instrumenti”, thotë ajo teksa tregon se u përball me një platformë të re.
Gjatë kësaj ekspedite muzikore e teknologjike ka thënë të ketë synuar kombinim mes tingujve. Ajo ka dashur të nxjerrë një version pak më ndryshe të violinës, andaj edhe e ka quajtur “violina e shpërqendruar”.
“Kombinimi është interesant, kam futur tek efektet zërin e njeriut”, thotë ajo, teksa në fillim e ka xhiruar tingullin origjinal të violinës, për ta lidhur me pajisje digjitale, të cilat e transformojnë tingullin.
E një instrument tjetër i dalë nga kjo punëtori është versioni digjital i klarinetës, për të cilin u kujdes mësimdhënësja dhe klarinetistja, Ilire Avdiu.
“Kemi mësuar se si të krijojmë një instrument virtual”, ka thënë ajo, duke treguar se ka metoda prej më të ndryshmeve për këtë. Ka incizuar çdo tingull të klarinetit nga tri herë, që të ketë interpretime të ndryshme të tingullit.
“Kam dashur ta realizoj edhe dinamikën”, ka thënë Avdiu, e cila ka dashur që edhe instrumentin e saj digjital ta ketë sa më të përafërt me klarinetën origjinale.
Sipas saj, instrumenti në të cilin luan ajo dhe kolegët e saj duket shumë i lehtë, mirëpo për ta rikrijuar atë nevojitet përfshirja e çdo karakteristike të tij. “Nga më fondamentalet e deri më komplekset”, thotë ajo për detajet e rikrijimit. “Unë kam shkuar me metodën e incizimit të tingujve, pasi që kam dëshiruar që instrumentin tim të cilin e interpretoj ta krijoj një sa më të ngjashëm. Pasi që i kam incizuar një nga një në mikrofon, i kam futur në tastierën virtuale të programit, ku të gjithë i kam futur në mënyrë proporcionale”, ka përshkruar klarinetistja.
Teksa ka treguar mënyrën se si e kishte kompletuar instrumentin e saj digjital, në pamje janë shfaqur pjesë të brendshme të digjitalizimit të tij.
“Në instrument kemi futur edhe mundësinë e përdorimit të riverbit, që kjo përdoret në natyrë me anë të miksetës”, ka thënë Avdiu.
Për të, kjo eksperiencë ka qenë fantastike dhe “një syhapje”, sepse tash e tutje ajo mund ta krijojë instrumentin për qëllime personale.
“Kjo përvojë ka qenë shumë interesante për mua, sepse nuk e kam ditur që është i mundur dhe që është shumë komplekse”, ka thënë Avdiu.
E një riprodhim të instrumentit të njohur të folklorit shqiptar, fyellit, e ka bërë edhe studenti i kompozimit, Lum Halabaku.
“Fyellin si instrument virtual të incizuar dhe të punuar gjatë workshopit, jemi munduar ta riproduktojmë siç është instrumenti fizik”, ka thënë ai.
Miku i tij i cili luan në fyell, Gent Hoxha, i ka ndihmuar shumë për rikrijimin e tij në versionin digjital.
“Incizimi i mostrave të fyellit origjinal është bërë në distancë për shkak të rrethanave, me telefon”, ka treguar Halabaku.
Sipas tij, brenda pesë ditëve është arritur një rezultat i kënaqshëm.
“Besoj që do të gjejnë përdorues të ri”, u shpreh ai për instrumentet të cilat krijohen në këtë formë.
Ndërkaq ajo e cila e vlerëson se kitara është instrument i dashur nga publiku i gjerë, e sidomos nga rinia, Diona Gashi rikrijoi kitarën.
“Programin e kemi filluar me Ilir Bajrin, ku na ka dhënë hapësirën që ta kuptojmë shumë më lehtë se si mund ta bëjmë një instrument digjital”, ka thënë Gashi. Sipas saj, procesi i punës ka qenë tejet interesant.
“Kemi mësuar se si është të krijosh një instrument tëndin dhe ta zhvillosh kreativitetin e idenë se si e sheh muzikën”, ka thënë ajo. Tutje, sipas saj, kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata që s’e posedojnë instrumentin fizik, për ta studiuar atë në formatin digjital.
“Është shumë e lehtë të krijosh akorde e muzikë përmes llaptopit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pjesa më kurioze është mundësia e studimit të instrumenteve, të cilat individi nuk di t’i luajë.
“E mbaj në mend kur një person më pati thënë se kitara është orkestër e mund të zhvillosh çfarëdo në të”, ka thënë Gashi, duke shprehur admirimin që ndien për instrumentin e zemrës.
E përparësia e formatit digjital, sipas saj, është mundësia e përdorimit të saj për pjesët korale. Por mbi të gjitha “ReCreate and RePlay” hap dimensione të reja në botën e pafundme të muzikës.
Foletjenda: Rezultatet e punëtorisë pesëditore “ReCreate and RePlay” janë prezantuar nëpërmjet një videomateriali në ueb-faqen e festivalit ndërkombëtar të muzikës, “ReMusica”