Kulturë

Fushata për “Oscar” e gjen “Zgjoin” e Kosovës në New York e Los Angeles

Vëmendje ndërkombëtare ka marrë lajmi se Kosova synon çmimin “Oscar” me filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit. Por, pos kësaj, të enjten është bërë publike se nëntori do ta gjejë këtë film në New York e Los Angeles. “Me qëllim e kemi përzgjedhur nëntorin pasi atëherë bëhen fushatat më të mëdha atje për ‘Oscars’. Më pastaj fillon të shfaqet edhe në vendet të tjera të SHBA-së, por jemi duke shikuar dhe duke lidhur marrëveshjet edhe me kinema të tjera”, ka thënë producenti i filmit, Yll Uka. Fitorja e trefishtë në “Sundance Film Festival” u bën shumë punë në promovimin e filmit e një pjesë e ekipit për fushatë do të udhëtojë edhe drejt SHBA-së

Pa u bërë 24 orë pasi Kosova e bëri të ditur se është përcaktuar që “Zgjoi” të jetë propozimi i shtetit për kandidim për “Oscar”, lajmi është bërë i ditur gjithandej edhe në medie prestigjioze të botës së artit.

Përtej kësaj, filmi ku plagët e luftës dhe frymëzimi për mbijetesë ecin paralelisht, në vjeshtë do të shfaqet edhe në New York e Los Angeles. Pikërisht në nëntor kur produksionet u japin zjarr fushatave për filmat e propozuar për “Oscar”, filmi kosovar do t’u kthehet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku “Sundance Film Festival” qysh në shkurt me premierë botërore bëri histori duke u bërë filmi i parë i huaj që i fiton tri çmimet kryesore: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës.

Janë kompanitë distributore amerikane të filmave, “Zeitgeist Films” dhe “Kino International” që kanë bërë të mundur shfaqjen e “Zgjoit” në kinemanë joprofitabile “Film Forum” në New York në ditën e pestë të nëntorit. Më pas filmi do të jepet në kinemanë “Laemmle Royal” në Los Angeles më 12 nëntor.

Krejt kjo, është pasqyruar edhe në artikullin e revistës prestigjioze amerikane “Variety” në tekstin e titulluar “Fituesi i trefishtë i ‘Sundance’, ‘Hive’ është propozimi për kandidat për ‘Oscarin’ Ndërkombëtar”.

Aty tregohet se projekti kinematografik është filmi i gjatë debutues i regjisores Blerta Basholli, kinematografes së diplomuar në “Tisch School of the Arts” në “New York University”.

“Kjo kandidaturë e tetë e Kosovës për ‘Oscar’ dhe vendi ka punë për të siguruar nominimin”, shkruhet në tekstin e “Variety”.

Producenti i filmit, Yll Uka, ka thënë se para dy javësh kanë vendosur për datat në të cilat “Zgjoi” do të jepet në New York dhe Los Angeles.

“Me qëllim e kemi përzgjedhur nëntorin pasi atëherë bëhen fushatat më të mëdha atje për ‘Oscars’. Më pastaj fillon të shfaqet edhe në vendet të tjera të SHBA-së, por jemi duke shikuar dhe duke lidhur marrëveshje edhe me kinema të tjera”, ka thënë Uka. Ai ka shpjeguar se si ekip do të shkojnë bashkë me aktorë që ta promovojnë sa më shumë filmin.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi suksese në kinema e të kemi audiencë të madhe. Edhe një trailer është punuar enkas për SHBA. Po shpresoj që do të kemi shumë audiencë për shkak të çmimeve që kemi, pasi ‘Sundance’ për ata është gjithçka. Por, duhet të shohim edhe sa do të na pengojë situata me COVID”, ka thënë Uka.

Filmi shtjellon artistikisht historinë e vërtetë të një gruaje nga fshati Krushë e Madhe, Fahrije Hotit, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur Yllka Gashi. Zhdukja e burrit të saj në luftë është fillimi i sfidave, vuajtjeve e vështirësive, përballë të cilave heroina e filmit nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.

Shfaqja e filmit në Kosovë muajin e kaluar ka ardhur me lajmin e mirë se filmi është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie.

Sivjet është hera e tetë që Kosova propozon filma për “Oscars”. Më 2019, propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit më 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015, dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014.

Suksesi më i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscars 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër.

Sa i përket fushatës për “Oscars” Qendra Kinematografike e Kosovës nuk është përgjigjur me sa mjete do ta financojë kampanjën për “Zgjoin”.

Vitin e kaluar filmit “Exile” të Visar Morinës të propozuar për “Oscar”, Qendra Kinematografike e Kosovës ia kishte ndarë 10 mijë euro për fushatë. Shuma ishte tejet e vogël në raport me kapacitetet që kanë filmat e tjerë që ia mësynë “majës” së çmimeve botërore në kinematografi.

“E vërtetë, investohet shumë në fushatë për ‘Oscar’. Ne nuk mund t’i konkurrojmë shtetet e tjera në këtë pikë. Jemi të vetëdijshëm që s’mund t’i kemi buxhetet që i kanë shumica e filmave e shteteve”, kishte thënë Uka të mërkurën kur edhe u bë i ditur propozimi i Kosovës për “majën” e çmimeve të botës sa i përket kinematografisë. Sipas Ukës, për shkak të suksesit dhe mundësive të këtij filmi që të nominohet për “Oscar” presin mbështetje nga shteti.

“Filmi do ta përfaqësojë Kosovën në fund të fundit dhe e dimë se çfarë PR-i pozitiv mund ta ketë Kosova, sidomos për temën të cilën e ka ky film”, kishte thënë ai.

Qendra Kinematografike e Kosovës e mbështeti filmin “Zgjoi” në konkursin e vitit 2015 për zhvillim skenari, e një vit më vonë në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë. Solli bashkëprodhimin e parë zyrtar në mes Kosovës dhe Zvicrës. Mori mbështetje nga Fondi Shtetëror (Federal Office Culture OFC), “Cinéforom” nga kantoni i Géneves, si dhe nga Televizioni Nacional Zviceran, i cili është njëkohësisht edhe bashkëprodhues. Filmi ishte xhiruar gjatë qershorit dhe korrikut të vitit 2019 në Janjevë, Prizren dhe Prishtinë.