Si 13-vjeçar do ta linte Shqipërinë e vendlindjen e tij në Fier. Sot, 27 vjet më vonë, Ermal Meta është një nga këngëtarët, tekstshkruesit e kompozitorët më të shquar në Itali.
Fitues i festivalit muzikor në “Sanremo” dhe përfaqësues i Italisë në Eurovision, muzikanti 40-vjeçar do të mbajë koncertin e tij të parë në Tiranë.
“Siç premtuam, kemi një datë të re. Pas koncertit në Tormina do të këndojmë së bashku nën qiellin e Tiranës. Më 17 shtator në stadiumin ‘Air Albania’ do të krijojmë së bashku një kujtim të bukur. Koncerti do të jetë falas dhe artdashësit mund të regjistrohen nga e marta, 25 gusht”, ka thënë Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Meta, i cili veprimtarinë e tij muzikore e zhvillon në Itali, ka vendosur t’i rikthehet muzikës përmes një turneu. Pos rilidhjes me publikun dhe mungesës më shumë se njëvjeçare të koncerteve, prania e Metës në Tiranë do të ketë rëndësi emocionale për të. Për publikun italian, artisti shqiptar u bë i njohur si një nga këngëtarët e bendeve “Ameba 4” dhe “La Fame di Camilla”.
Përpos si tekstshkrues për artistë të njohur italianë si Marco Mengoni, Emma, Chiara, Annalisa, Patty Pravo dhe Lorenzo Fragola, Meta do të fillonte edhe karrierën si solo këngëtar nëpërmjet albumeve “Umano” (2016) dhe “Vietato morire” (2017).
Më 2016, ai garoi në edicionin e 66-të të Sanremos duke zënë vendin e tretë. Ai u rikthye në këtë garë edhe vitin pasues, duke konkurruar në seksionin e “Artistëve të mëdhenj” me këngën “Vietato morire”.
Në natën e tretë të festivalit ai performoi një cover të këngës “Amara terra mia” të Domenico Modugnos, që ia solli atij çmimin e performancës më të mirë cover.
Në po të njëjtin vit, Meta ishte zgjedhur si një nga anëtarët e jurisë në serinë e spektaklit për talente “Amici di Maria de Filippi”.
Suksesin më të madh këngëtari shqiptar e tregoi më 11 shkurt 2018 kur, tok me Fabrizio Moro fitoi në kategorinë kryesore të Sanremos me këngën “Non mi avete fatto niente”, që ia solli atij mundësinë për ta përfaqësuar Italinë në “Eurovision”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.