Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dy aktorë shqiptarë në shfaqjen italiane “La riparazione”

Shfaqja me tekst e regji të César Brie ka për bazë rrëfimet e shtatë aktorëve të përfshirë në këtë projekt. Ka marrë detaje edhe nga jeta e aktores nga Kosova, Ilire Vinca, dhe aktorit nga Mali i Zi, Bashkim Alaj. Vetë Vinca, e cila ka pjesë edhe në gjuhën shqipe, ka thënë se regjisori ka mbledhur historitë e tyre, i ka shkruar, përpunuar e dramatizuar në një rrëfim që për bazë ka familjen, luftën, raportet, humbjet e dashuritë. “Brie këtë e ka bërë me një finesë tejet të hollë artistike”, ka thënë ajo. Mënyrën se si është punuar e ka veçuar edhe Alaj. “Veçantia e kësaj shfaqjeje është se është e ndërtuar në bazë të tregimeve tona, historive tona e përjetimeve tona”, ka thënë ai

“La riparazione” (Riparimi) është titulli i shfaqjes teatrore që ka bërë bashkë shqiptarë e italianë. Në mesin e tyre janë aktorja Ilire Vinca dhe aktori Bashkim Alaj. E gjithë shfaqja është e frymëzuar nga fragmente të jetës së vetë atyre që janë përfshirë në projekt. Premiera do të jepet sot (e shtunë) në teatrin “Koreja” në qytetin italian Lecce, ku po mbahen provat intensive.

Shfaqja bazohet në tekstin e argjentinasit César Brie, i cili jeton në Itali qysh nga mosha 18-vjeçare. Po ai ka bërë edhe regjinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aktori e regjisori tashmë 67-vjeçar, pos Vincës e Alajt, ka në kastën e aktorëve edhe Giorgia Cocozzan, Elisa Morcianon, Barbara Pettin, Maria Rosaria Ponzettan dhe Angjelka Vuliqin.

“Ne jemi në një vend ku diçka riparohet. Dikush largohet, dikush vjen. Kush ka për t’u larguar e kush ka për të ardhur. Një vend takues i rrufeshëm, i shkurtër e intensiv, ku fjalët e pathëna më në fund mund të thuhen. Ku mund të sqarosh atë që ka qenë konfuze për një kohë të gjatë. Ku ju ndoshta mund ta përqafoni për një moment personin që nuk keni pasur mundësi ta përshëndetni. Një vend i të gjallëve dhe i të vdekurve, i kujtimeve dhe takimeve”, është shkruar në përshkrimin e shfaqjes në ueb-faqen e teatrit “Koreja”.

Tutje tregohet se në këtë vend intimja bëhet shoqërore dhe shoqërorja shprehet në një rrëfim të veçantë.

Kompania teatrore “Koreja” është themeluar zyrtarisht në vitin 1985 në qytetin italian Aradeo, në ndërtesën “Castello Tre Masserie” dhe aty mori emrin “Koreja”. Fjala “Koreja”, që vjen nga dialekti griko, do të thotë “lëvizje rrethore”. Kjo fjalë në anën tjetër vjen nga greqishtja e lashtë χορεια. Për më tepër, termi është përdorur edhe në një nga shkrimet e regjisorit polak të teatrit Jerzy Grotowski, ku “Koreja” do të thotë tre në një “vallëzim, muzikë dhe këndim.”

“Projektet artistike në ‘Koreja’ marrin formë nga punët, veprimet dhe historitë – të mëdha dhe të vogla – që fillojnë nga larg, por që sjellin nevojën për ta ndërtuar një rezidencë teatrore dhe kulturore të hapur për inovacion dhe krahasime midis gjeneratave të ndryshme – një kaleidoskop i arteve dhe praktikave, ku origjina dhe gjuha bashkohen në një lidhje të ndërsjellët respekti, duke shmangur krenarinë e panevojshme provinciale me qëllim të eksperimentimit të drejtimeve të reja gjuhësore dhe poetike”, është shkruar në ueb-faqen e teatrit.

Vetë aktorja Ilire Vinca ka treguar se para një viti kishte marrë ftesën nga Jonida Beqo, drejtore e teatrit “Metropol”, ku kishte pasur një bashkëpunim me Ema Andrean si regjisore në shfaqjen “Natën Má” që të luante në shfaqjen e radhës. Behej fjalë pikërisht për këtë shfaqje në kuadër të projektit “AIDA”, një projekt bashkëpunimi i vendeve të Adriatikut, në këtë rast Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“E filluam punën nga fundi i marsit, që ishte faza e parë e shfaqjes, në teatrin ‘Metropol’, nën drejtimin e Emës, kompozitor Robert Bisha, me një ekip të aktorëve ku punuam një material që na solli shumë kënaqësi”, ka thënë ajo gjersa ka treguar se puna për fazën e dytë vazhdoi në Itali, në Lecce, me një punëtori treditore të udhëhequr nga Salvatore Tramacere, drejtor artistik dhe themelues i teatrit “Koreja”.

“Faza finale e provave filloi më 14 qershor, me regji të Cesar Brie, dhe me titull ‘Riparimi’”, ka thënë Vinca duke treguar se në këtë shfaqje përfaqëson Shqipërinë.

“Me prejardhje nga Maqedonia, e rritur në Kosovë dhe përfaqësim të vendit amë, është harta ime artistike. E rrëfimet si aktore në këtë shfaqje kanë për bazë jetën time, që i flas në italisht e shqip ndonjëherë”, ka thënë ajo.

Ka treguar se simbolika e vetë titullit "Riparimi" shpërfaq nevojën e ndreqjes apo përkujdesjes ndërnjerëzore, apo edhe artistike.

“Në shfaqje, gjuhët ashtu si edhe kufijtë treten bashkë me personin që i rrëfen, duke tejkaluar personalen në të përbashkëtën. Në këtë proces, regjisori Cesar Brie ka mbledhur historitë tona, i ka shkruar, përpunuar e dramatizuar në një rrëfim që për bazë ka familjen, luftën, raportet, humbjet e dashuritë”, ka thënë Vinca, duke shtuar se Brie këtë e ka bërë me një finesë tejet të hollë artistike.

“Regjisori e trajton aktorin si krijues në gjithë procesin. Kjo është kënaqësi, por kërkon një përgjegjësi e përgatitje të madhe. Është një prej përvojave më të vlefshme teatrore”, ka thënë ajo. Ka shtuar se është e lumtur që në këtë shfaqje luan edhe ish-studenti i saj, i diplomuar para dhjetë vjetësh, Bashkim Alaj, i cili jeton ne Ulqin.

Alaj ka thënë se kjo është hera e parë që ka bashkëpunuar me teatrin “Koreja” dhe është shumë i lumtur që është bërë pjesë e një projekti të tillë.

“Çdo rol e ka veçantinë e vet. Veçantia e kësaj shfaqjeje është se është e ndërtuar në bazë të tregimeve tona, historive tona e përjetimeve tona. Karakteret tona janë të ndërtuara nga historitë tona dhe ne jemi pjesë e njeri-tjetrit”, ka thënë ai. Edhe ai, si Vinca, ka kaluar disa faza derisa është bërë pjesë e këtij projekti.

“Fillimisht kam pasur ftesë nga fondacioni ‘Lika’ të jem pjesë e shfaqjes së tyre në Ulqin, pasi unë jetoj në Ulqin. Pastaj ka qenë faza e dytë, ajo e përzgjedhjes së kastës së aktorëve nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi, ku nga Mali i Zi u zgjodha unë. Për mua është hera e parë që kam bashkëpunim me teatrin ‘Koreja’ dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e një projekti të tillë”, ka thënë ai.

Shfaqja “La riparazione” më 20 korrik do të jepet edhe në qytetin italian Compabbaso, më 8 shtator në Bari, më 16 shtator në Tiranë dhe më 18 shtator në Ulqin.