Kulturë

28 gushti, data e re e lansimit të filmit “The New Mutants”

Filmi i ri i studios “Marvel” me titull “The New Mutants”, i cili bazohet në universin e filmave të suksesshëm në arkat filmike, “X-Men”, është bërë me datë të re të lansimit.

Deri më tani, ky projekt kinematografik ka pësuar disa herë ndryshime të datave të lansimit nëpër kinema. Fillimisht ishte paralajmëruar për gusht të vitit 2018, por më vonë ishte shtyrë për shkurt të 2019-s për të mos u ndeshur me lansimin e filmit hit “Deadpool”, transmeton Koha.

Pas blerjes së “Fox-it” nga kompania “Disney”, lansimi i filmit ishte shtyrë sërish në prill të vitit 2020. Sidoqoftë, me mbylljen e kinemave anembanë botës për shkak të pandemisë së koronavirusit, “The New Mutants” është shtyrë sërish. Tani ai planifikohet të lansohet nëpër kinema më 28 gusht të këtij viti.

Duke qenë se lajmi i datës së re të lansimit vjen në kohën kur pandemia është duke vazhduar ende, nuk është e sigurt nëse ai do të lansohet nëpër kinema apo vetëm nëpër platforma digjitale.

Në fillim të vitit u publikua trileri i këtij projekti i cili në rolet kryesore i sjell aktorët e rinj, Maisie Williams, Charlie Heaton dhe Anya Taylor-Joy’s Magik. Ai e rrëfen historinë e një grupi të mutantëve të rinj, të cilët i zbulojnë aftësitë e tyre prej superheroi, derisa qëndrojnë të izoluar në një objekt, pa dëshirën e tyre.

Me regji të Josh Boone-it, në filmin “The New Mutants” luajnë edhe aktorët: Henry Zaga, Alice Braga dhe Blu Hunt.