Kulturë

Arkeologët gjejnë shkopin në formë gjarpri 4 mijë e 400 vjet të vjetër

Descriptive Text

Arkeologët nga Universiteti i Turkut, në bashkëpunim me Agjencinë e Trashëgimisë Finlandeze, si dhe kërkues nga Universiteti i Helsinkit kanë zbuluar një “shkop” të drunjtë nga koha e gurit e që ka formën e një gjarpri.

Zbulimi është bërë në vendin parahistorik Järvensuo 1, një mjedis i moçëm moçalor në brigjet e liqenit Rautajarvi në jugperëndim të Finlandës. Järvensuo 1 qe zbuluar rastësisht gjatë gërmimeve për kanale në vitet ‘50, dhe prej atëherë u është nënshtruar hulumtimeve të vazhdueshme.

Për shkak të kushteve anaerobike të dheut, studimet e mëparshme kanë zbuluar artefakte prej druri të ruajtura në mënyrë të përkryer, që përfshijnë edhe një si lugë druri me një dorëz që i ngjan kokës së ariut.

“Shkopi” i fundit është gjysmë metër i gjatë, dhe është formësuar si një gjarpër rrëshqanor me kokë, që mund të jetë përdorur nga shamanët në kohën e gurit për qëllime ritualistike.

Arkeologët vënë re që zbulimi është krejt i ndryshëm prej çfarëdo artefakti të drunjtë nga Evropa neolitike e Veriut, ani pse gjarpërinjtë ndonjëherë janë paraqitur në piktografet e artit shkëmbor nga ajo që njihet si “Pit-Comb Ware Culture”, ku mbaheshin nga figura në formë njerëzore.

Antti Lahelma nga Universiteti i Helsinkit ka thënë: “Duket se ka njëfarë lidhjeje mes gjarpërinjve dhe njerëzve, që të sjellë në mendje shamanizmin verior të periudhës historike, ku gjarpërinjtë kishin rol të posaçëm si kafshë shpirt-ndihmuese për shamanin”.

Artefakte të ndryshme prej druri janë zbuluar së fundmi gjatë kërkimeve, përfshirë enë prej druri për kuzhinë, mbetje strukturore, si dhe copëza të shumta të pajimeve për peshkim.

Satu Koivisto, kërkuesja kryesore nga Universiteti i Turkut në gërmimet në Järvensuo, ka thënë: “Gjetjet e mirëruajtura nga moçalishtet ndihmojnë të kuptuarit tonë për popujt e lashtë dhe mjedisin ku ata kryenin veprime të zakonshme e të shenjta”.

Kërkuesit theksojnë se Järvensuo 1 është nën rrezik, teksa punimet për drenazhim dhe ndryshimet mjedisore të shkaktuara nga ndryshimi i klimës po i vënë vendin dhe arkeologjinë në rrezik. “Shenjat e shkatërrimit të shkaktuara nga drenazhimi ekstensiv janë tashmë të qarta në vend, dhe thesaret e tij organike nuk janë më të sigurta”, ka shtuar Koivisto. \ heritagedaily.com