Kulturë

“Çka nëse një rrugëtim…” me “Autostrada Biennale” në tri qytete

“Edicioni i 3-të ‘Autostrada Biennale’ është ftesë për një rrugëtim të papërfunduar, brenda dhe jashtë Kosovës - për në Berlin, Stamboll, Varshavë dhe prapa. Ose diku ndërmjet...”
 

“Autostrada Biennale” tashmë po merr formë. Të martën ka bërë të ditur artistët, idetë, hapësirat dhe datat e edicionit të saj të tretë. “Çka nëse një rrugëtim…” siç është titulli i këtij edicioni të kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, vjen si një “ekspozitë për të papërfunduarën”.

“Mund të jetë një rrugë, një hartë elektrifikimi, një shtëpi, një fushë me lule, një tregim, një marrëdhënie ose një shtet. Është ekspozitë që paplotësinë e merr si ftesë për t’u përgjigjur, për t’u lidhur dhe për t’u rritur”, është shkruar në komunikatën për media. Sipas përshkrimit “Çka nëse një rrugëtim…” është ekspozitë për dy skajet e një rruge që takohen ndërmjet mikpritësit e të ftuarit, të mërguarës e vendores, ndërmjet infrastrukturës dhe intimitetit. E po ashtu është shkruar se ajo është edhe ekspozitë për artin si formë e rikuperimit nga kurthet e përditshmërisë.