Kulturë

Reagimi i 40 organizatave: Manastiri i Deçanit në rrezik – pasqyrim i rrejshëm i realitetit

Reagimi i 40 organizatave: Manastiri i Deçanit në rrezik – pasqyrim i rrejshëm i realitetit
 

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë reagojnë ndaj vendimit të “Europa Nostras”

Pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë, me tendencë për ta paraqitur vendin si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit, është cilësuar përfshirja e tij në listën “7 monumentet më të rrezikuara të Evropës” për vitin 2021. Të premten, “Europa Nostras” i është adresuar reagimi i nënshkruar nga 40 organizata të shoqërisë civile të Kosovës.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim indinjatën e thellë edhe ndaj organizatës Future for Religious Heritage, ‘një organizatë laike, joprofitabile, e regjistruar në Belgjikë, e cila duke u bazuar në të dhëna të pavërteta dhe të paverifikuara ka nominuar Manastirin e Deçanit për përfshirjen në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”, shkruhet ndër të tjerash në këtë reagim. Është nismuar nga “Trashëgimia kulturore pa kufij”, e para organizatë vendore e cila reagoi qysh në dhjetor të vitit të kaluar, kur “Europa Nostra” publikoi listën preliminare me “12 Monumentet e Rrezikuara të Evropës” dhe paralajmëroi listën përfundimtare me 7 sosh, të publikuar të enjten e kaluar.