Kulturë

Balerinët në hap për lojë kontrastesh me shfaqje të skenave botërore

Shfaqjet e tij janë luajtur prej alamet trupash e në skenat më të njohura botërore për më shumë se katër dekada. E destinacion i veprave “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game” të koreografit amerikan Robert North do të jetë edhe Prishtina. Baleti Kombëtar i Kosovës tashmë ka nisur provat e ato janë intensive dhe energjike njashtu sikurse edhe vetë shfaqja

“Vallëzimi nuk të jep asgjë tjetër, përveç atij momenti kalues kur ndihesh i gjallë”, kishte thënë dikur Merce Cunningham. Këtë gjallëri po vazhdojnë ta ndiejnë balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët hapat në shkallët e Teatrit Kombëtar i zëvendësojnë në lëvizje artistike për provat e premierës në ardhje. U dhanë jetë veprave të koreografit të njohur amerikan, Robert North, krijimtaria e të cilit ka shëtitur në skena të shumta të botës. Destinacion i veprave të tij, “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game”, është Prishtina, mbrëmjen e 15 prillit.

E përkthyer si “Mes dy ujërave”, pjesa e parë është një kombinim mes balerinëve dhe balerinave, lëvizjet e të cilëve do të përcillen nga muzika flamengo, e cila ka qenë inspirim për North, i lindur më 1945.

Në anën tjetër, krejt ndryshe nga delikatesa femërore, pjesa e dytë “Troy Game” do të sjellë gjallërinë e fuqinë mashkullore, të luajtur vetëm nga balerinët, të cilët do të ekzekutojnë edhe disa pjesë akrobatike.

Koreografja turke, Lale Balkan, e cila ka vizituar Kosovën për 11 vjet rresht, kësaj radhe do të kujdeset për përgatitjen e pjesës së parë.

“Ky është stili unik i Robert North, shumë special dhe i veçantë. Kur ju nuk e dini veprën por e shihni, atë e dini se ajo është e Northit, njësoj si për Picasson. Ata po punojnë nga zemra, jam e lumtur që po mundem të performoj këtu”, ka thënë me entuziazëm Balkan, e cila i njeh mirë balerinët e BKK-së. Ka kujtuar kur këta balerinë më të rinj tanimë janë rritur në moshë dhe profesionalisht.

Leonora Rexhepi, e cila i takon gjeneratës së parë të balerinëve të pasluftës, ka treguar për veçantitë e këtyre shfaqjeve, nga të gjitha të tjerat që i ka luajtur për dy dekada me radhë.

“Shfaqjet janë me një intensitet shumë të lartë, është një muzikë jashtëzakonisht e bukur, ta jep atë ndjesinë që deshe apo nuk deshe kërcen. Ka atmosferë jashtëzakonisht të mirë në dy pjesët”, ka thënë Rexhepi.

Balerina ka thënë se veçantia e kësaj shfaqjeje qëndron te ndërlidhja e lëvizjeve me muzikën, teksa ka treguar për rolin kryesor të cilën do ta ekzekutojë.

“Siç e dimë, vajzat spanjolle janë shumë të forta, luftarake. Por në përgjithësi të gjitha rolet e vajzave (balerinave tjera) janë karaktere që nuk dorëzohen, ka edhe fuqi të femrës. Mua po më pëlqen shumë, kemi arritur t’i përçojmë rolet mirë te koreografët, por së shpejti edhe te publiku”, ka thënë Rexhepi.

Pjesa e dytë e shfaqjes do të ekzekutohet para publikut pas një pauze skenike prej pjesës së parë. E quajtur “Troy Game”, udhëheqjen koreografike po e realizon Julian Moss.

“Robert North i ka bërë këto dy shfaqje shumë vjet më parë, janë të vjetra por janë të fuqishme, sepse i kanë rezistuar kohës”, ka thënë Moss.

Koreografi i njohur anglez, i cili për herë të parë bashkëpunon me BKK-në, ka shtuar se pjesa e parë e shfaqjes është frymëzim nga muzika flamengo, teksa e dyta është nga muzika braziliane.

“Robert është inspiruar shumë nga muzika”, ka thënë balerini Sinan Kajtazi, i cili ka treguar se që në fillim koreografi Moss ka paralajmëruar që shfaqja është një pjesë intensive.

Image
Krejt ndryshe nga delikatesa femërore, pjesa e dytë “Troy Game” – që po përgatitet nën udhëheqjen koreografike të Julian Mossit – do të sjellë gjallërinë e fuqinë mashkullore

“Përveç lëvizjeve të baletit ka edhe akrobatikë. Juliani e njeh këtë pjesë mirë sepse e ka vënë në shumë skena të botës. Mënyra se si na ka shpjeguar shfaqjen ka qenë shumë më e lehtë për ne”, ka treguar ai, teksa ka folur edhe për provat që kanë nisur tri ditë më parë.

“Baleti Kombëtar po vazhdon traditën për t’i sjellë publikut vepra nga repertori botëror. Sigurisht se kjo përveç që na shërben ne si kërcimtarë për t’i luajtur këto role, edhe audienca në Prishtinë ka fatin që t’i shohë koreografitë prej më të mëdhave të botës në Teatrin Kombëtar”, ka vlerësuar Kajtazi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, ka theksuar veçantitë e këtyre pjesëve që bëhen bashkë në skenë.

“Dy pjesët janë një frymë e re, një energji krejt tjetër prej shfaqjeve që i kemi pasur më herët, sidomos prej shfaqjes së kaluar. Kjo është shumë e gjallë, shumë gazmore dhe shpresoj që publikut do t’i pëlqejë shumë”, ka thënë Musolli.

Për Baletin Kombëtar të Kosovës, “Entre dos Aguas & Troy Game” është premiera e parë për sivjet, që vjen pas “Sisters” me koreografi të Mehmet Balkanit. Vitin e kaluar BKK-ja erdhi me premierën e parë, më 5 mars, kur solli “Pushimin e kalorësve” nën koreografi të Natalia Osipovas. Shumë shpejt pas saj u anuluan të gjitha aktivitetet, për t’u rikthyer në tetor me repriza shfaqjesh, e një muaj më vonë nisën përgatitjet për “Sisters”.

Në kohën kur masat e fundit të Qeverisë kanë hutuar institucionet kulturore për mënyrën e organizimit të aktiviteteve, Musolli ka thënë se do të respektojnë rregullin prej 20 për qind të shfrytëzimit të sallës.

“Më vjen keq që janë masat e tilla të Qeverisë që vetëm 20 për qind lejohet të futen në publik, sepse interesimi është i madh, mundësitë shumë të vogla, sepse vetëm 60 persona lejohen të futen në sallë. Andaj për premiera dhe repriza do të jenë vetëm me ftesa”, thotë ai.

Pjesa e parë “Entre dos Aguas” është e realizuar në vitin 1984 në Londër, ndërsa pjesa e dytë “Troy Game” në vitin 1974 dhe është luajtur nga 15 trupa të mëdha botërore të baletit. E famshmja “The Royal Opera House” është njëri prej institucioneve me nam që ka mirëpritur shfaqjes e Northit.

Autori i premierës në ardhje, Robert North, ka punuar edhe në opera, film, teatër e televizion. North ka bërë shfaqje baleti me muzikën të Schubertit, Offenbachut, Coplandit, Shostakovitchit dhe Orffit.