Kulturë

Tri projekte për sallë koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”

Zyrtarët komunalë janë në fazën e përcaktimit të jurisë në mënyrë që të përzgjidhet projekti i cili do ta transformojë brendësinë e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, duke e shndërruar atë në sallë koncertale. Ky tentim zyrtar i Komunës është bërë pas debatit dyvjeçar dhe humbjes së 11.4 milionë eurove për këtë investim. KOHA ka marrë vesh se në konkurrencë janë një konsorcium vendor, një kompani tjetër vendore në bashkëpunim me një nga Shqipëria, si dhe një studio projektuese nga Prishtina në bashkëpunim me një studio japoneze. “Do t’i shpalosim maketet dhe menjëherë në tender”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Tri projekte janë në garë për investimin më të madh që Komuna e Prishtinës synon ta bëjë në infrastrukturën kulturore. Në konkursin ndërkombëtar të Komunës që ka qenë i hapur për 75 ditë, deri më 22 shkurt propozimet e tyre i kanë dorëzuar tri konsorciume. Komuna nuk i ka dhënë emrat e kompanive me arsyetimin se “ofertat janë me shifra dhe të paidentifikuara”. Zyrtarët komunalë janë në fazën e përcaktimit të jurisë, në mënyrë që të përzgjidhet projekti i cili do ta transformojë brendësinë e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” duke e shndërruar atë në sallë koncertale. Ky tentim zyrtar i Komunës është bërë pas debatit dyvjeçar dhe humbjes së 11.4 milionë eurove për këtë investim.

“Sipas informatave që kam nga Zyra e Prokurimit, ofertat i kanë dorëzuar tre operatorë ekonomikë. Në këtë fazë nuk e dimë cilët janë, meqenëse ofertat janë me shifra dhe të paidentifikuara”, ka thënë Lindita Cërvadiku-Dibra, zyrtare për promovim kulturor në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

KOHA ka marrë vesh se në konkurrencë janë një konsorcium vendor, një kompani tjetër vendore në bashkëpunim me një nga Shqipëria, si dhe një studio projektuese nga Prishtina në bashkëpunim me një studio japoneze.

Sipas Cërvadikut, gjatë muajit mars do të emërohet juria e cila do të ketë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë, kurse tri projektet do të ekspozohen për publikun.

E kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se do ta organizojnë një konferencë për media posa të emërohet juria, pasi janë në pritje të tre profesorëve ndërkombëtarë.

“Do t’i shpalosim maketet dhe menjëherë në tender”, ka thënë ai. Sipas Ahmetit, juria do të ketë në përbërje tre anëtarë ndërkombëtarë, dy nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, një përfaqësues të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe një nga Komuna e Prishtinës.

Ruajtja e elementeve të trashëgimisë kulturore dhe ofrimi i zgjidhjeve kreative brenda ndërtesës së ish-“Gërmisë” janë dy nga synimet kryesore të Komunës së Prishtinës. Këto qëllime ishin shpalosur qysh në nëntor, kur ishte bërë e ditur se do të hapet konkurs ndërkombëtar për këtë projekt. Synohet që ndërtesa të adaptohet dhe të jetë një “landmark building”.

“Ideja është që të kemi një ndërtesë që i ruan shenjat e së kaluarës, por edhe shikon drejt së ardhmes”, kishte thënë asokohe kryetari Ahmeti.

Sipas propozimit të qeverisë lokale në Prishtinë, konkursi parasheh që brenda këtij kompleksi të ndërtohen dy salla. Salla kryesore do të ketë një kapacitet prej rreth 800 ulësesh, e krahas saj do të jetë edhe një tjetër më e vogël që është menduar si “salla e jazzit”.

“Shpërblimi i parë do të jetë 50 mijë euro për shtëpinë arkitektonike fituese, që do ta ketë të drejtën e dizajnimit të projektit të detajuar”, kishte thënë Ahmeti. Por kishte bërë me dije edhe një gjë: propozimi fitues nuk nënkupton që domosdoshmërisht do të zgjidhet për t’u ndërtuar nëse ai i tejkalon mundësitë financiare.

Sa u përket financave, Komuna e Prishtinës për këtë vit ka ndarë 900 mijë euro për sallë koncertale.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Në nëntor të vitit të kaluar Ahmeti kishte thënë se në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro, do ta kenë të nevojshme ndihmën e Këshillit të Evropës, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh, Komuna do ta financojë vetë.

Të martën ai ka lënë të nënkuptohet se mbetet të shihet se si do të veprohet.

“Nëse donatorët e tjerë bashkëngjiten – mirë, nëse jo, vazhdojmë vetë”, ka thënë ai.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, në tetor të vitit 2018, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të këtij viti, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e KE-së të ridestinohen dhe të humbet mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që ajo ndërtesë të shndërrohet në muze të artit bashkëkohor.