Pa u bërë dy vjet prej se u përfundua projekti restaurues e konservues i Kalasë së Novobërdës në vlerë prej një milion eurosh, implementuar e mbikëqyrur nga UNESCO-ja, nisën shembjet e gurëve nga muret e monumentit. Kompania nga Beogradi në shtator të 2019-s u rikthye me buldozer në vendpunishte, iu ndërprenë punimet, por shembjet s’kanë të ndalur. Institucionet vendore s’kanë zgjidhje, përderisa ankohen për mosbashkëpunimin e UNESCO-s
Nëse kërkohet një variant real i legjendës së Rozafatit në ditët e sotme, ajo është Kalaja e Novobërdës. Për dallim prej legjendës, ku thuhet se ditën ndërtohej e natën rrënohej, muret e një pjese të Kalasë së Novobërdës nuk zgjedhin kohë për shembje. Nuk mund të rrinë krejtësisht në këmbë, edhe pse u investuan një milion euro. Përderisa rënia e fasadës vazhdon tash e më shumë se dy vjet, institucionet nuk kanë plan konkret se si të dilet nga kjo situatë.
Pos rënies së gurëve që kanë marrë intensitet gjatë dimrit, shembja pritet të vazhdojë. Shenjë për këtë janë muret e fryra gjithandej. Ka të tilla që janë çarë në disa anë.
Sanimi i dëmtimeve ishte tentuar të bëhej në shtatorin e vitit 2019. Por ndërhyrja e kompanisë punëkryese “Koto” me buldozer kishte alarmuar institucionet, duke ia ndërprerë punën e ishte ngritur edhe një kallëzim penal. Prej atëherë, nuk është gjetur ndonjë rrugëdalje me përjashtim të disa ditëve të vitit të kaluar, kur puna e rinisur u ndërpre për të mos filluar më. Pos narracionit se si ka ardhur deri në këtë gjendje, institucionet e shtetit nuk kanë çfarë tjetër të thonë.
Më 2015 atje kishin zbarkuar punonjës e mjete të kompanisë “Koto”, me seli në Beograd. Me kontratën e UNESCO-s, që është përgjegjëse për punimet, kishin nisur të ngrinin skele. Por asokohe Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte ndërprerë punimet. U ishte thënë se duhej të prisnin leje për të nisur punën. Pas dy javësh restauruesit e konservuesit kishin nisur të kryenin detyrat. Por vjeshta e vitit 2018 kishte nxjerrë në pah se jo gjithçka kishte shkuar mirë. Kishin filluar shembjet. Të alarmuara, institucionet e trashëgimisë kulturore kishin nisur të flisnin për përgjegjësi. Bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar. Në kuadër të fondeve IPA, Bashkimi Evropian ka ndarë 1 milion euro për restaurimin e konservimin e monumentit. UNESCO-ja ishte përgjegjëse për kontraktimin e kompanive projektuese të asaj punëkryese. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering” e konkretizim i projektit i ishte besuar “Kotos”. Mbikëqyrja ishte bërë nga përfaqësues të këtyre dy kompanive e po ashtu edhe nga përfaqësues të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore. Sa i përket UNESCO-s, gjithçka është administruar nga selia e Ballkanit me qendër në Sarajevë, që udhëhiqet nga Sinisha Sheshum. “Koto” i ishte kthyer vendpunishtes në mars të 2019-s, për të mbledhur pak nga copat e rëna. Ishte konstatuar se lagështia është problem kryesor.

Të martën në mesditë një veturë me targa zvicerane është ndalur poshtë mureve të Kalasë. Dy persona ia kanë mësyrë të ngjiten. Por janë kthyer pa hedhur shumë hapa.
“Dashamirë është rrezik nëse ngjiteni lart. Nuk lejohet”, u është drejtuar Ismal Vllasaliu, i cili është rojtar i monumentit. Këto dy fjali ai i përsërit shpesh gjatë ditës. E kur nuk funksionojnë e përdor planin “B”: thërret policinë.
Vllasaliu i gëzohet pranverës për shkak të ngrohjes së motit, por jo edhe për shkak të punës që bën.
“Shtohen vizitorët e disa nuk dëgjojnë, ngjiten e nxjerrin probleme”, thotë ai. Bile, ditën më të mërzitshme e ka atë të 6 majit, që njihet si “Dita e Shën Gjergjit”.
“Atë ditë ka shumë vizitorë”, ka thënë ai. Shembjet tash janë më të shpeshta.
“Nuk mund e vëren, në sekondë bien gurët”, ka thënë Vllasaliu.
Arkitektët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Valbona Saliuka dhe Avni Manaj të martën kanë vizituar monumentin. Kanë mbajtur shënime e kanë shkrepur fotografi. Do të hartojnë një raport për gjendjen e re.
Ismet Hajrullahu që drejton këtë institut ka thënë se ka kohë që Zyra e UNESCO-s në Sarajevë, që udhëhiqet nga Sinisha Sheshum, nuk është duke u kthyer përgjigje.
“Nuk mund të themi se kur mund të fillojnë punimet. Ne i kemi bërë disa shkresa UNESCO-s por nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë ai. Hajrullahu nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër.
Por Ministria e Kulturës përmend edhe mundësinë e ndërhyrjes nga institucionet vendore.
Vjollca Aliu, e cila drejton Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thënë se IKMM-ja është institucion kompetent sa i përket mbikëqyrjes dhe komunikimit me palët e tjera. Ajo ka thënë se janë duke e monitoruar gjendjen.
“Kemi biseduar për të parë nëse për një periudhë të shkurtër nuk do të kemi përgjigje nga UNESCO-ja ose nga operatori ekonomik, të ndërhyjmë në sanimin e dëmeve që janë në Kala”, ka thënë Aliu.
KOHA të hënën i ka adresuar pyetje kompanisë “Koto”. Deri të martën në mbrëmje nuk është përgjigjur. Në shtator të vitit 2019, Gjorgje Tomiq, shef për çështje ligjore në “Koto”, kishte thënë se kompania ka marrë qëndrim që të mos paragjykojë arsyen e defekteve. Këtë e kishte thënë shtatë muaj pas analizave të materialit.
“Ka shumë arsye që do të mund të shkaktonin problemet, kushtet e vështira të motit, materialet, gabimet e projektit. Përmendëm disa”, kishte thënë ai. E Darko Gligorijeviq, përfaqësues i kësaj kompanie, në maj të vitit 2020 kishte thënë se përpjekjet për rehabilitimin e fronteve të mureve të ndërtuara rishtazi u ndërprenë për shkak të kushteve të këqija të motit dhe shpërthimit të pandemisë COVID-19.
“Shpresojmë që me normalizimin e gjendjes shëndetësore dhe kushteve të përshtatshme të motit të jemi në gjendje të vazhdojmë me punimet. Por nuk varet vetëm nga vullneti ynë”, kishte thënë ai.
Shefi i Zyrës së UNESCO-s në Sarajevë, Sinisha Sheshum, nuk është përgjigjur asnjëherë. Tash nuk është duke iu kthyer përgjigje as institucioneve sa i përket monumentit që daton qysh në antikë, e kohën e artë e kishte pasur në Mesjetë.