Kulturë

Të vrasësh pa frikë

“The Memory Monster” ishte sukses për autorin izraelit Yishai Sarid. Libri i tij më i ri nuk është botuar ende në anglisht, por duke pasur parasysh shtrirjen e tij ndër lexues anglishtfolës, nuk do të jetë edhe gjatë kur do të ketë marrëveshje botimi

Është një skenë në këtë roman që zor mund të jetë më izraelite se kaq. Mendi, një artist në moshë, ulet në një moshav – një lloj kibbutzi (komunitet bujqësor në Izrael – v.j.) – dhe qëron portokaj që i ka këput vetë. Është qetësi në moshav; vetëm Abigaili, mikja dhe psikoterapistja e saj, ndodhet aty. Është një pamje goxha romantike. Por ata të dy nuk është se flasin vetëm kot në kopsht. Jo, artisti tregon për njerëzit që ka vrarë dikur, dhe të cilët tani i vijnë në ëndrra për të marrë hak. Ai tregon – copa portokajsh me copa portokajsh – “se si vriste, me thikë, me ngufatje dhe me pistoletë, gjithnjë heshturazi në gjatësinë e kraharorit”.

Romani më i ri i Yishai Saridit “Minatzahat” (Ngadhënjimtar) qëmton përthellueshëm në psikikën e ushtarëve dhe kështu edhe në atë të shoqërisë izraelite. Sepse në Izrael praktikisht secili duhet të kryejë shërbimin ushtarak – burra dhe gra, nga dy deri në tre vjet. Vetëm izraelitët ultra-ortodoksë dhe ata arabë janë të përjashtuar nga kjo detyrë. Që prej themelimit të shtetit – dhe para kësaj – izraelitët kanë luftuar kundër fqinjëve, kundër Egjiptit, Sirisë, Libanit. Dhe konflikti që vazhdon e vazhdon me palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

Ushtritë bashkëkohore kanë psikologë

“Është realitet”, thotë Yishai Sarid. “Izraeli rekruton të rinj, thuajse fëmijë, 18-vjeçarë, dhe disa prej tyre duhet të luftojnë njësitë e të vrasin herë pas here. Ata rriten si fëmijët e mi: ata janë të interesuar në telefonat e zgjuar; ata nuk vrasin pula me duart e tyre, por, përkundrazi, i blejnë ato të paketuara si mos më mirë në supermarkete. Ata nuk janë aspak ndryshe nga të tjerët. Duhet t’i stërvitni për të vrarë. Kjo është sa fascionuese, po aq edhe tragjike”.

Është pikërisht kjo çka Abigaili, protagonistja e romanit, e adreson në profesionin e saj. Si psikologe për forcat e armatosura të Izraelit, ajo mban ligjërata për oficerët, por ajo dërgohet drejtpërdrejt në vija të frontit për t’iu folur ushtarëve rioshë që janë të tromaksur nga ato që kanë përjetuar dhe që shpesh të nesërmen iu duhet të rikthehen në betejë.

“Psikologjia sot është një pjesë e rëndësishme e ushtrive. Jo vetëm në Izrael. Të mësosh të rinjtë të performojnë mirë në fushëbetejë dhe të vrasësh armikun pa u vrarë vetë”, thotë Sarid.

Ai vetë ka qenë anëtar i ushtrisë dhe më vonë u bë oficer në inteligjencën ushtarake. Për romanin e tij ai ka bërë një kërkim të hollë, ka lexuar dhjetëra studime mbi traumat në ushtritë e Izraelit dhe SHBA-së, dhe ka folur edhe me psikologë ushtarakë.

“Vrasës të lindur”

“Shumica e njerëzve kalojnë kohë të vështirë kur vrasin njerëz të tjerë. Shumica janë të paaftë për të vrarë. Nuk është çështje morali, por instinkti. Veçmas kur vjen te rrezja e afërt e betejës. Vetëm një pakicë e vogël janë vrasës të lindur. Ju duhet të stërvitni njerëz për ta bërë këtë”.

Mendi, artist dhe ushtar i dikurshëm i një njësie elite në roman, besonte që ai ishte një prej këtyre “vrasësve të lindur”. Si i ri, ai ishte caktuar për terroristët, të mësynte shtëpitë e tyre natën dhe t’i qëronte ata. Ai dëfrehej kur vriste, i kishte treguar Abigailit në njërën prej takimeve. Ai gati sa nuk ndiente kënaqësi seksuale.

“Nuk doja të isha shenjt”, thotë Saridi. “Është traumë për shumicën. Por, megjithatë, ende ka njerëz që e duan luftën, që pëlqejnë të vrasin. Lufta domethënë thyerje e të gjitha kufizimeve të njerëzimit. Është dëfrim për ca njerëz. Ata nuk kanë problem të vrasin në luftë. Ata veprojnë me gjak të ftohtë. Në jetën e zakonshme ata s’do të ishin vrasës. Por lufta iu përshtatet atyre”.

As gratë nuk përbëjnë përjashtim. Pjesë e feminizmit izraelit, ka thënë Sarid, është të tregohet që gratë mund të vrasin po aq sa burrat. Edhe nëse ato ende nuk lejohen të jenë në secilën njësi luftuese. Një prej pacienteve të Abigailit është pilote e helikopterit. Ajo lemeritet nga frika se mos qëllohet dhe kidnapohet. Këtu, psikologia është më e dhënë për të ndihmuar piloten për të tejkaluar frikën më shumë sesa me ushtarët meshkuj. Dhe, ajo është e suksesshme.

Abigail është e arsyeshme, madje gjakftohtë, gjatë faqeve të romanit. Gjatë një prej ligjëratave të saj, ajo i thotë një oficeri të ri: “(…)E di që ata që i ke vrarë ishin bastardë që e kishin hak atë”.

Fjali si këto me gjasë janë arsyeja pse Sarid duhej të fshikullohej me kritika nga e majta politike për librin e tij të ri. Ai vetë është një prej intelektualëve të “majtë” të Izraelit, avokon për një zgjidhe me dy shtete për konfliktin me palestinezët dhe akuzon kryeministrin Benjamin Netanyahu për përhapje të frikës, ani pse Izraeli prej kohësh ka vepruar nga një pozicion force kundrejt shteteve armiqësore fqinje.

“Ky karakter, ajo i do luftërat dhe i trimëron njerëzit për të vrarë”, thotë autori.

“Unë nuk mund të vij e të them ‘oh, ç’gjë e keqe të vrasësh njerëz të tjerë; nuk bën të ndodhë’. Ne po e bëjmë këtë. Ne vrasim dhe na vrasin. Kështu që duhet të marrësh një qëndrim që nuk është edhe aq gjykues për protagonistin tënd. Unë mora dikë që është tejet aktive në këtë. Dhe e dua atë”.

Në të vërtetë, romani mund të kritikohet se nuk e përshkruan asnjë të vetmin incident që përmend viktima civile. Janë gjithnjë terroristët, veprimet e të cilëve nuk u lënë ushtarëve tjetër zgjidhje pos t’i vrasin apo të vriten vetë. Romani tjetër i mëparshëm, “The Memory Monster”, lexohet si një vlerësim i hidhur për kulturën izraelite të përkujtimit të Holokaustit. Në vend që të shkojnë pas dorasëve gjermanë, të rinjtë izraelitë e drejtojnë urrejtjen kundër polakëve dhe arabëve, ka thënë Sarid për DW-në .

Image

Të mbash gjallë kujtesën: Përkujtimi në Yad Vashem

Trauma për Holokaustin

Në romanin e tij të ri, Sarid nuk e përmend edhe aq traumën e Izraelit nga Holokausti. Dhe, megjithatë, sipas Saridit, ajo natyrshëm gjithnjë rezonon në të nënvetëdijshmën e izraelitëve.

“Është thelbi i sionizmit për të rritur një hebre që të mund t’i dalë zot vetes, ndryshe nga Holokausti”, thotë ai. “Sot, ne jemi të fortë, nuk jemi më të pafuqishëm; por psikologjia ende është ajo e të dobëtit, e fëmijës së rrahur që duhet të gjejë forcë me qëllim që të mos ngacmohet sërish”.

Shumica e “operacioneve” të përmendura në libër janë referenca të përgjithshme për beteja e luftëra. Por ka edhe një kalesë që ashiqare i referohet majit të vitit 2018, pasi u zhvendos Ambasada e SHBA-së në Jerusalem. Asokohe palestinezët në Gaza rregullisht mësynin drejt gardhit të kufirit – disa prej tyre me pajisje shpërthyese apo thika në duar. Me dhjetëra ishin qëlluar nga snajperistët izraelitë.

“Ishte e tmerrshme”, rikujton Sarid. “Kur shkruaj, unë s’shkruaj nga perspektiva e jabanxhiut. Jetoj këtu, isha në ushtri, e bija ime e madhe është ushtare tani. Nuk mund të shkruaj si dikush nga Evropa apo gjetkë. Unë jam pjesë e saj. Është gati sikur të shkrep vetë armën. Kështu që si shkrimtar unë duhet të merrem me këtë”.

Në roman, gjatë një misioni të veçantë, Abigail nuk rri në prapavijë. Ajo i shoqëron snajperistët në pikat e tyre, shikon në dylbinë e një pushke dhe pastaj vë gishtin e saj në krye të një oficeri që mban armën – dhe në fund tërheq këmbëzën.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Salih Mehmeti