Kulturë

“Cinike, sipërfaqësore, e papërgjegjshme”

“Cinike, sipërfaqësore, e papërgjegjshme”
 

Nuk është sekret që gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë shtete me ndikim si Franca dhe Britania e Madhe kanë ndjekur një politikë serbocentrike. Qeveria gjermane nuk e bëri këtë, pranoi pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, por pastaj në rastin e Bosnjës Gjermania qëndroi pothuaj indiferente ndaj agresionit serb. Tani një ish-ministër gjerman kujton rolin e qeverisë së Helmut Kohlit në fillim të luftës në Bosnjë – dhe ngrit akuza të rënda sidomos kundër ministrit të atëhershëm të Jashtëm, Klaus Kinkel. Pse këto kujtime të Christian Schwarz-Schillingut janë të rëndësishme për të kuptuar edhe më mirë politikën paqësore të Ibrahim Rugovës së paku deri në vitin 1996?

Christian Schwarz-Schilling është 90-vjeçar. Në vitin 1992 ai ka qenë ministër i Postës në qeverinë e kancelarit gjerman Helmut Kohl. Tani Schwarz-Schilling ka shkruar dhe botuar një libër mbi vitet e tij të atëhershme dhe të mëvonshme në politikë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e ka prezantuar këtë libër këtë javë. Libri, sipas recensionit, përmban të dhëna interesante dhe pjesërisht dramatike mbi politikën e jashtme gjermane.

Më 8 dhjetor 1992 ministri i Postës Christian Schwarz-Schilling gjatë mbledhjes së qeverisë zhvilloi në debat të ashpër me kancelarin Helmut Kohl. Schwarz-Schilling tha se i vjen turp të jetë pjesë e qeverisë nëse edhe më tutje vazhdon kjo indiferencë e Gjermanisë ndaj luftës në Bosnjë. Kohl u kundërpërgjigj me zë të lartë, duke i thënë Schwarz-Schillingut se askush nuk është i detyruar të qëndrojë në kabinet. Pak pas kësaj fjalosjeje Schwarz-Schilling dha dorëheqje nga qeveria.