Kulturë

14 janari i 1990-s që theu diktaturën dhe “rrëzimi” i Stalinit në Shkodër

14 janari i 1990-s që theu diktaturën dhe “rrëzimi” i Stalinit në Shkodër
Busti i Stalinit ishte vendosur edhe në Shkodër si për të vrarë moralisht qytetin që më së shumti u orvat t’i vinte ledh etablimit të komunizmit në Shqipëri. Shkodranët ia mësyn ta hiqnin më 14 janar të 1990-s. Nuk ia dolën, por ky ishte vetëm fillimi i thyerjes së diktaturës
 

Kur gjysma e Evropës po rrëzonte sistemet totalitare komuniste, regjimi komunist në Shqipëri ishte i vetmi që po ruante me hekur e zjarr kultin e Stalinit. Nën të po vuante një popull i tërë. Në kohën kur vetëm ndonjë rreze e hollë informacioni arrinte në vend, sidomos nga “Zëri i Amerikës”, disa të rinj shkodranë në fillim të janarit nisën të mërmërisnin kundër diktaturës. Përpjekja për të rrëzuar bustin e Stalinit, në Shkodër, u bë kryengjarja me të cilin zbardhi viti 1990

E gjithë bota e matanshme, tej Perdes së Hekurt, ia kishte kthyer shpinën qysh në vitet ’50 njeriut që ishte vetë epitomi i egërsisë, brutalitetit dhe vdekjeve. Ndryshe nga kjo “atëvrasje”, në një cep të botës komuniste një regjim e kishte kthyer Iosif Vissarionovich Stalinin në kult të gjallë.