Kulturë

“Kreolët e Ballkanit” si hamendësim midis identitetesh

“Kreolët e Ballkanit” si hamendësim midis identitetesh
Aktorët Bin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri të martën mbrëma kanë sjellë premierën e shfaqjes “Kreolët e Ballkanit”
 

Në mendësinë mbarëmesdhetare, ku prejardhja ngre kandar, “dypërkatësia” bëhet vërtet mëdyshje alla-hamletiane. Mbi këto hulli endet edhe “Kreolët e Ballkanit”, teksti dramaturgjik i Enver Petrovcit, i shkruar më 1989, në një kohë kur gjërat e kishin marrë rrjedhën e vet të pakthyeshme. Por për dikë edhe shfaqja vjen me jo pak hamendësime në realizim, me përsëritje e klishe versionesh të mëhershme

Ndjenja e dyfishtë e përkatësisë mund të bëhet fill i trazimeve të brendshme. Por ajo bëhet shumëfish më e rëndë kur ky dyzim “gjakrash” pikëpritet me realitete të ashpra politike. Me të vetmin përngjasim me botën e tragjizmave sofokliane, kur paralindja nuk është zgjedhje, martesat e përziera në Ballkan e patën orën e ligë kur një brez i tërë fëmijësh “kreolë” duhej të merrnim një vendim. Në mendësinë mbarëmesdhetare, ku prejardhja ngre kandar, “dypërkatësia” bëhet vërtet mëdyshje alla-hamletiane. Çdo përcaktim është i dënuar që të sjellë pafund dilema të tjera.

Mbi këto hulli endet edhe “Kreolët e Ballkanit”, teksti dramaturgjik i Enver Petrovcit, i shkruar më 1989, në një kohë kur gjërat e kishin marrë rrjedhën e vet të pakthyeshme. Zigzagun e premierave të dhëna në Beograd, Tiranë e Ulqin kjo shfaqje e vijoi të martën edhe në Prishtinë, duke hapur perdet e repertorit të sivjetmë të Teatrit Kombëtar të Kosovës.