Kulturë

“Exil” bën histori edhe si kandidati i parë i Kosovës për “Golden Globe”

Descriptive Text

Propozimi i vendit për “Oscar” është konfirmuar si kandidat për nominim në “Golden Globe Awards”, në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”. Veç ky fakt – ani pse ka ende rrugë deri tek arritja e suksesit të madh – ka mjaftuar që t’u bjerë në sy qarqeve ndërkombëtare. Faqja zyrtare “Golden Globe Awards” i ka kushtuar vëmendje tek citon edhe regjisorin Visar Morina. “Një lajm i mirë shumë i rëndësishëm, sidomos tani që jemi edhe në garë për çmimin ‘Oscar 2020’. Në anën tjetër, jemi dyfish të lumtur pasi që me këtë nominim Kosova për herë të parë ka një film si kandidat në ngjarje me rëndësi”, ka thënë producenti Yll Uka

Përveç çmimeve e premierave në festivale me nam, “Exil” i Visar Morinës do ta shënojë historinë e tij edhe si filmi i parë me të cilin Kosova ia mësyn çmimit të madh “Golden Globe”. Propozimi i vendit për “Oscar” është konfirmuar si kandidat për nominim në “Golden Globe Awards” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”. Veç ky fakt – ani pse ka ende rrugë deri tek arritja e suksesit të madh – ka mjaftuar që t’u bjerë në sy qarqeve ndërkombëtare.

“’Exil’ është një film për paranojën dhe identitetin që është njëkohësisht i errët dhe surreal, me jehona të zhanrit të kinemasë dhe një sens jokonvencional të humorit”, është përshkrimi në faqen zyrtare të “Golden Globe Awards”. Bëhet fjalë për projektin filmik që i jep peshë përçimit të emocioneve bazuar edhe në eksperiencat personale të vetë regjisorit, i cili ka shkruar skenarin. Është një rrëfim që shikuesin e mban mbërthyer gjatë gjithë kohës në përpjekje për të deshifruar paranojat e personazhit kryesor.

“Golden Globe Awards”, që njihet edhe si “Festa e vitit për Hollywoodin”, shquhet për shikueshmëri të lartë. Po ashtu, është një nga ngjarjet e pakta që kombinon dhe shpërblen produksionet e filmit dhe ato televizive. Sivjet mbahet edicioni i 78-të i “Golden Globe Awards”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve pritet të mbahet më 28 shkurt. Nominimet do të bëhen të ditura më 3 shkurt.

“Golden Globes” – ku “Exil” shpalos rrëfimin e një emigranti kosovar që jeton në Gjermani, tek beson se është viktimë e ksenofobisë, ani pse mund të jetë paranojë se po e humb kontrollin – mbledh rreth vetes yjet më të njohura të kinematografisë. Siç raportojnë mediat e huaja, ndjekësit do të prisnin yje të njohura, si Nocole Kidman dhe Reese Witherspoon. Këtë vit mund të presin edhe filmbërës, të cilët bënë bujë në kinematografi gjatë karantinës duke nisur nga aktorja britanike, Anya Taylor-Joy nga seriali “The Queen’s Gambit”, tek aktorja Daisy Edgar-Jones e njohur nga seriali “Normal People”. Tradicionalisht ngjarja mbahet në hotelin “The Beverly Hilton” në Kaliforni. Me vazhdimin e pandemisë dhe vendimet e disa shteteve për të kthyer karantinën, është ende e paqartë nëse ceremonia do të jetë plotësisht virtuale. Sidoqoftë, ekipi i filmit “Exil” nën regji të Visar Morinës ka festë.

“Exil”, premierën botërore e kishte pasur në janar të vitit të kaluar, në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA, e atë evropiane në shkurt, në “Berlinale”. Në gusht, Morina u bë i pari kineast nga Kosova që mori “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. E në tetor, u bë filmi i dytë i Morinës me të cilin Kosova synon “Oscarin”, pas filmit “Babai” më 2016.

Producenti kosovar i filmit, Yll Uka, ka thënë se përafërsisht, para një muaji, ekipi i filmit “Exil” nën regji të Visar Morinës kishte mbushur aplikimin për t’u bërë pjesë e “Golden Globe Awards”. Ishin të sigurt në punën e tyre të mirë që kishin bërë. Sidoqoftë, përballeshin me jo pak dyshime. Tani kur emrat e kandidatëve janë bërë të ditur, ka shtuar se janë optimistë për hapat e mëtutjeshëm.

“Një lajm i mirë shumë i rëndësishëm, sidomos tani që jemi edhe në garë për çmimin ‘Oscar 2020’. Në anën tjetër, jemi dyfish të lumtur pasi që me këtë nominim Kosova për herë të parë ka një film si kandidat në ngjarje me rëndësi”, ka thënë producenti, Yll Uka.

Producenti Uka ka treguar se i janë gëzuar edhe faktit se “Golden Globe” publikoi shkrimin dedikuar “Exilit”, para filmave të tjerë që janë në të njëjtën kategori. Shkrimi bën të ditur se kur Xhaferi gjen një mi të ngordhur të varur në derën e oborrit të tij, ai menjëherë dyshon se është kolegu i tij racist, që fshihet prapa kësaj. Çdo ndodhi, fjalë e gjest merret si dëshmi. Shqetësimi i Xhaferit sa vjen e rritet. E, gruaja e tij gjermane, Nora, është e lodhur nga fakti se ai e përdor kartën e racizmit gjatë gjithë kohës. Po ashtu, tregohet se regjisori i filmit, Visar Morina, ka lindur në Kosovë dhe është zhvendosur në Gjermani kur ishte 15 vjeç. Sipas parafrazimit që i është bërë regjisorit, Morina ka thënë se filmi është pjesërisht autobiografik.

“Unë nuk e dija gjuhën dhe më është dashur që të luftoj për pozitën time si në shkollën të cilën fillimisht nuk mund ta ndiqja ashtu edhe në jetën private. Ndonjëherë ka detaje të vogla që ishin shumë të rëndësishme gjatë procesit të shkrimit të skenarit. Por, unë nuk kam fëmijë, as nuk jam i martuar dhe nuk punoj në një zyrë. Dhe, kur e takoj një idiot, nuk mendoj se ai është një idiot vetëm pse unë jam i huaj, por sepse i gjori njeri është me të vërtetë një idiot”, është cituar të ketë thënë regjisori.

Në shkrim tregohet se racizmi, integrimi, të qenët i huaj, ngacmimi, përjashtimi – janë çështje psikologjike dhe emocionalisht të komplikuara në terma të komunikimit. E, sipas Morinës, kjo do të vazhdojë nëse njerëzit gjykohen bazuar në opinione të paraformuara.

“Për aq sa preokupohet edhe Xhaferi, e besoj që çdo person, madje edhe ata që nuk janë të huaj, mund të përfundojë në situatën e tij. Nuk do të thotë që ju duhet të jeni larguar nga fshati ose vendlindja për ta kuptuar këtë”, ka thënë Morina për “Golden Globes”.

Në rolin e Xhaferit është Mishel Matiçeviq, i cili ka lindur në Berlin nga prindër kroatë, të cilët kanë punuar në Gjermani. Sandra Hüller është në rolin e gruas së tij, Nora. Hülleri ka fituar disa çmime dhe është shpërblyer tri herë si aktorja e vitit. Përveç tyre, në film luajnë edhe Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj e Ameli Kabashi.

“Exili” ishte financuar edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 150 mijë euro.

Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK, ka thënë se kandidimi në “Golden Globes” është një konfirmim i radhës për rëndësinë e “Exilit” si film që shtjellon një temë të ndjeshme dhe universale.

“Njëkohësisht për filmin kosovar, një hap tutje drejt sukseseve ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Oscar” është shtyrë këtë vit për në prill dhe “Golden Globes” ka marrë datat e ndara në fillim për “Oscars”, të dielën e 28 shkurtit 2021. “Academy Awards” është bërë e ditur se do ta mbajë edicionin e 93-të më 25 prill, dy muaj më vonë sesa zakonisht. Lista e ngushtë e kandidatëve do të bëhet e ditur më 9 shkurt, përderisa nominimet do të shpallen një muaj më vonë.

Ekipi i “Exilit” ka nisur online fushatën për promovimin e filmit në “Oscars”. QKK-ja i ka ndarë 15 mijë euro, aq sa edhe Gjermania, që është bashkëprodhuese.