Kulturë

“CHwB Kosova” i kërkon “Europa Nostras” të mos e politizojë trashëgiminë kulturore

Fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”(CHwB Kosova), ka reaguar ndaj organizatës, “Europa Nostra” që e futi Manastirin e Deçanit në listën e 12 monumenteve më të rrezikuara të Evropës. “Reagim lidhur me politizimin e mundshëm të trashëgimisë kulturore në Kosovë”, e ka titulluar letrën me të cilën i është adresuar.

Në ditën e 10-të të këtij muaji, “Europa Nostra” kishte bërë të ditur se Manastiri i Deçanit është garë që të hyjë në shtatëshen më të rrezikuar, listë kjo që do të publikohet në marsin e vitit që vjen. Por, institucionet shtetërore kanë heshtur. S’ka asnjë reagim zyrtar në adresë të organizatës që Kosovën e paraqet me fusnotë. E në reagimin e CHwB-së, “Europa Nostras” i bëhet me dije se Manastiri i Deçanit si dhe dhjetëra lokalitete të tjera të trashëgimisë kulturore në Kosovë që janë të rëndësishme për komunitetin serb të Kosovës, janë pjesë e Listës të Zonave të Veçanta të Mbrojtura. Aty ceket se Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 hartoi një Ligj të veçantë që të “sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse Serbe, Kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës...”. Në reagim theksohet se ky Ligj garanton përfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në Këshillin Zbatues dhe Monitorues, një organ i përbërë nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që është themeluar për të monitoruar dhe lehtësuar implementimin e këtij Ligji.

“Ky është një shembull i jashtëzakonshëm i promovimit të respektit për bashkësitë fetare dhe trashëgiminë kulturore me rëndësi të veçantë për grupet e pakicave në Kosovë”, shkruhet në letrën e firmosur nga drejtori ekzekutiv i “CHwB Kosova”, Sali Shoshi. Përmendet se kjo organizatë gjatë nëntorit të këtij viti bashkë dhe Qeveria e Kosovës kanë arritur një marrëveshje për të zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me planin e Qeverisë për të ndërtuar rrugën nacionale që lidh qytetin e Deçanit me qytetin e Plavës në Mal të Zi.

Çështja e rrugës për të cilën është gjetur zgjidhje, përmendet nga “Europa Nostra” si një kërcënim ndaj Manastirit.

Në reagim, “CHwB Kosova” bën të ditur se për çështjen e shpronësimit të tokës, mosmarrëveshja është midis Komunës së Deçanit dhe Kishës Ortodokse Serbe për një vendim të vitit 1997 të lëshuar nga regjimi i Millosheviqit, me qëllim të shpronësimit të tokës publike në favor të Manastirit. Po ashtu, bëhet e ditur se çështja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka vendosur në favor të Manastirit të Deçanit.

“Europa Nostra” e themeluar në nëntor të vitit 1963 në Paris, ka përmendur se një patrullë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it qëndron afër Manastirit gjatë gjithë kohës.

“Manastiri ishte target i sulmeve me granata nga ekstremistët lokalë në periudhën prej vitit 1999 deri më 2007, si dhe një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i më 2016, duke shkaktuar një dëm lehtësisht të riparueshëm”, shkruhet në publikimin e kësaj organizate në ueb-sajtin zyrtar.

“CHwB Kosova” ka reaguar edhe për këtë pjesë.

“Sa i përket çështjes tjetër të ngritur në njoftimin për shtyp të lëshuar nga ‘Europa Nostra’ më 10 dhjetor 2020 në lidhje me ‘një tentativë për sulm terrorist nga ISIS në 2016...’ më lejoni t'ju informoj që ky incident u atribuohet parullave në mur në mbështetje të ISIS-it, autorët e të cilëve nuk janë identifikuar asnjëherë si dhe deri më sot nuk ka asnjë raport zyrtar nga institucionet shtetërore ose ndërkombëtare të sigurisë që konfirmon ndonjë prani të organizuar të ISIS-it në Kosovë”, shkruhet në reagim. “CHwB Kosova” ka bërë të ditur se është shumë e shqetësuar për faktin se shënimi i botuar nga Paneli Këshillues i “Europa Nostras” e ka lidhur mbrojtjen e lokaliteteve kulturore me bisedimet për dialog midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo mund të interpretohet si tendencë për të politizuar më tutje çështjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës në favor të një pale të përfshirë në bisedime. Është raportuar se Qeveria e Serbisë dhe mbështetësit e saj të përfshirë në bisedime, janë të prirë të krijojnë një situatë ku trashëgimia kulturore e Kosovës e rëndësisë së veçantë për komunitetin serb të Kosovës, do të fitonte statusin e ‘extraterritorialitetit’ dhe kështu të përjashtohej nga juridiksioni i ligjit vendor”, shkruhet në reagim. Aty sqarohet se parimi i “ekstraterriotialitetit” bie në kundërshtim me aspiratat e kosovarëve për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike. “Ne besojmë se Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë ‘Europa Nostrën’, duhet t'i japin mbështetje Kosovës si pjesë e shoqërisë Evropiane, në rrugën e saj drejt paqes dhe prosperitetit”, shkruhet në reagimin e “CHwB Kosova”.

{gallery}

Në reagimin e CHwB-së, “Europa Nostras”, ndër të tjera, i bëhet me dije se Manastiri i Deçanit si dhe dhjetëra lokalitete të tjera të trashëgimisë kulturore në Kosovë që janë të rëndësishme për komunitetin serb të Kosovës, janë pjesë e Listës të Zonave të Veçanta të Mbrojtura