Kulturë

Prizrenit i kërkohet t’i heqë “Skënderbeun” 70 mijë eurosh dhe “Adem Jasharin” e frizerit

Prizrenit i kërkohet t’i heqë “Skënderbeun” 70 mijë eurosh dhe “Adem Jasharin” e frizerit
Shtatorja e Skënderbeut e inauguruar të shtunën, në rrethrrotullimin në Prizren, në sheshin që do ta mbajë emrin e tij. Për të u prit dy vjet, e kur u zbulua u kritikua si vepër e nivelit të ulët estetik që e fyen heroin
 

Gjashtë thasë çimento, rërë, poliester dhe ngjyra, janë materialet që i kanë hyrë në punë autorit të shtatores së Adem Jasharit që ta rrumbullakojë veprën. Sa u përket veglave të punës, mistria ka qenë kryesorja. Kësisoj, për tre muaj punë pas orarit të rregullt si frizer, gjakovari Alban Buxhovi ka përfunduar shtatoren prej gati tri metrash, që është përuruar të shtunën në ambientet e qendrës tregtare “Abi Çarshia” në Prizren.

Kjo shtatore bashkë me atë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut janë përuruar në të njëjtën ditë, të shtunën e 28 Nëntorit. Sapo u zbuluan, kanë nxitur alamet reagimesh publike. Shpejt është kërkuar largimi i tyre. Megjithëse njëra është në hapësirë private, është vlerësuar se nuk është bërë trajtim i denjë i heroit Adem Jashari. Autorët e dy shtatoreve, në prononcimet për KOHËN, kanë mbrojtur veprat e tyre.