Besnik Mustafaj, autor i vitit me “Ëndrra e doktorit”

Besnik Mustafaj, autor i vitit me “Ëndrra e doktorit”

09 June 2017 08:45

Prishtinë, 9 qershor - Shëtitja e doktor Adhamudhit në realitetin dhe politikën e sotme shqiptare zhvendos personazhin e Andon Zako Çajupit në një tjetër kohë. Është pikërisht vepra “Ëndrra e doktorit”, që, sipas vlerësimit të jurisë, e bën ish-politikanin e diplomatin Besnik Mustafaj fitues të çmimit “Autor të vitit 2017” në edicionin e sivjetmë të panairit të librit “Prishtina 2017”.

Doktori i Mustafajt ngjan me kardiologun Sali Berisha, që ka shërbyer si kryeministër e president i Shqipërisë. Por, në promovimin e tij në nëntor të vitit të kaluar, kur libri ishte konsideruar shumë provokues, vetë Mustafaj kishte thënë se brenda veprimeve të doktorit si personazh mund të gjenden edhe shumë politikanë të tjerë shqiptarë. Pos këtij çmimi, juria në përbërje të Anton Nikë Berishajt, kryetar, dhe anëtarëve, Ilire Zajmi e Elvi Sidheri, ka vendosur që çmimi për poezi t’i takojë Adem Gashit për veprën “Ditët pa gjë”, ai për poezi për fëmijë Xhevat Sylës, për veprën “Mbreti i Qerretit”, ai për roman Petrit Palushit, për veprën “Shtrati 13”.

Juria prej tre anëtarëve ka kumtuar se Çmimi për kritikë e ka marrë Klara Buda, për veprën “Kosova mon amour”, ai për përkthim, Beti Njumës, për përkthimin e veprës “Gjyzlykët e arta” të autorit Giorgio Basani, e ai për vepër kapitale Shyqri Nimanit, për autobiografinë monografike “Nëpër gjemba drejt yjeve”. Juria ka vendosur që të shpallë shtandin më të vizituar “Argeta LMG” e t’ia ndajë Çmimin special poetes së re Flutur Mustafa, për veprën “Na dy”. Këto çmime në kuadër të Panairit të Librit ndahen nga Shoqata e Botuesve e Kosovës (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme