Kulturë

KOHA në tri dekada me artefaktet e minimuzeut

Descriptive Text

Janë pak metra katrorë që mbajnë më vete copëza të 30 vjetëve historie të shtëpisë mediatike. Një dekadë i takon kohës kur vendi ishte nën okupim. E dy të tjera, të periudhës së pasluftës së fundit. Në vitin 2020, dëshmitë 30-vjeçare të KOHËS – ballinat e para të së cilës janë shtypur në pëlhurë njashtu sikurse edhe ato të “Kohës Ditore” – e pajisjet që dokumentojnë fillet e Kohavisionit, kanë marrë vlerë eksponatesh dhe janë pjesë e minimuzeut të KOHËS.

Pas luftës kanali i ri, që po i shtohej skenës mediatike të vendit, nisi punën me hov. Stafi bëri kontaktin e parë me audiencën nëpërmjet teknologjisë më të përsosur të asaj kohe.

Ata që kanë rrugëtuar me KOHËN në 30 vjet i kanë ende të freskëta kujtimet e fillimit. Askush s’e kishte menduar se një ditë ajo dozë entuziazmi do të përkthehej në histori. Punuan pa e menduar që gjurmët e tyre një ditë do të merrnin formë tjetër.

Të martën e kësaj jave Kohavisioni shënoi 20-vjetorin. Të shtunën, një tjetër jubile: tri dekadat prej themelimit të KOHËS. Dhjetë vjetët e parë, një kapitull më vete. Më pas edhe një tjetër – ai i Kohavisionit.

Gjurmët e ecjes së KOHËS

Kur kalon pranë murit të veçantë të KOHËS – ku është vendosur xhami i shndërruar në hapësirë ekspozuese të objektit – Visar Nitaj përjeton ndjenja të përziera: nostalgji dhe krenari. Shefi i kameramanëve në Kohavision ishte pjesë e ekipit që më 22 shtator të vitit 2000 dha sinjalin e parë të kanalit televiziv, që lindi si nevojë e informimit të publikut në kapitullin e ri, atë të pasluftës.

Kësisoj ndihen edhe ata që i vunë themelet e KOHËS para tri dekadash. Fillimisht me revistën KOHA, numri i parë i së cilës doli më 26 shtator të vitit 1990, e më pas me të përditshmen “Koha Ditore”, prej 31 marsit të vitit 1997, kur doli numri 0.

Kamerat e para të KTV-së ishin analoge e peshonin rreth 17 e 18 kilogramë. E para që dha sinjalin, një “DVC Pro” e markës “Panasonic”, u ka rezistuar dy dekadave... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)