Kulturë

Shtëpia e Hynilerëve, në pritje të projektit gjashtë muaj pas zjarrit

Shtëpia e Hynilerëve, në pritje të projektit gjashtë muaj pas zjarrit
Ka më shumë se 15 vjet prejse edhe zyrtarisht, gjendja e Shtëpisë së Hynilerëve në lagjen “Dodona” të Prishtinës është vlerësuar jostabile. “E pabanushme”, e kategorizua në prill, kur u desh të intervenonin zjarrfikësit pasi oxhaku mori flakë. Kulmi s’e duron shiun e paralajmërimet për konservim e restaurim, ende vazhdojnë

E zorshme është të jetohet në Shtëpinë e Hynilerëve kulmi i së cilës s’e duron as shiun më të lehtë. Këtë mund ta konstatojë secili që gjendet brenda monumentit dyshekullor në mot me shi. Përfshirja nga flakët e oxhakut në prill të këtij viti, e demolimi i një pjese të tij, e ka rënduar gjendjen e objektit. Institucionet nuk ia kanë dalë ende që të finalizojmë punën në bazë të projektimit financiar që kanë bërë në raport me këtë monument në lagjen “Dodona” të Prishtinës.

Për shtëpinë e vjetër qytetare, ishin ndarë 50 mijë euro për këtë vit. Por gjatë rishikimit të buxhetit në gusht të këtij viti, shuma është tkurrur në 20 mijë. Sipas Ligjit që ka zëvendësuar atë të fillimvitit për ndarjet buxhetore, për vitin që vjen janë projektuar 30 mijë euro për konservimin dhe restaurimin e tërësishëm të shtëpisë. E për vitin 2022 janë paraparë 20 mijë euro.