Kulturë

“Rikthimi...”, dokumentari që hap diskutimin për varshmëritë

“Rikthimi...”, dokumentari që hap diskutimin për varshmëritë

Dokumentari “Rikthimi: Një tregim për Bashkësinë Cenacolo” nis me një poezi që e ka shkruar Ganimete Pashoja - Myftiu. Përmes saj ajo shfaq gëzimin për djalin e saj, Fat Myftiu, që ka arritur ta kalojë varshmërinë ndaj teknologjisë. Personazhet janë të ulura para kamerës dhe shpalosin tregimet e tyre.

Pjesa tjetër është ajo që merr vëmendjen e shikuesit në dokumentarin e regjisorit Leart Rama. Dokumentari njëorësh është një udhëtim emocional. Të mban të mbërthyer për të kuptuar fillimisht varshmërinë e personazheve, pastaj çfarë i ka shtyrë ata drejt saj dhe si ia kanë dalë që të lënë të njëjtën pas. Personazhe të filmit janë edhe Laura Hajdini dhe vajza e saj Dina Hajdini, Bujar Lahu dhe vajza e saj Gresë Lahu, Nol Sahatçiu dhe Berat Safçiu. Filmi, që kishte premierën të dielën në kanalin “Katarzë Films” në “YouTube”, të hënën mbrëma është shfaqur online në llogarinë e “Termokiss”, në Facebook.