Kulturë

Kur kitrra e merr hanën për lajthi

Kur kitrra e merr hanën për lajthi
Nuk dua ta heshti “Alo, Radio Kitrrën III – 2020”, e cila më është ba si një markë shpirtnore. Gjatë gjithë vitit, për çdo ditë, për çdo çast marr informacione nga kultura edhe për ty dhe vetëm e vetëm që në një ditë në vit, në Ditën tande, me anë të rezonancës tejqiellore, ta dëgjoj zanin nga planeti i panjohun. Njëmend, pse na the se andrron me ba shfaqje në një planet tjetër, kur shfaqjet e tua kishin marrë përmasat planetare…

“Alo, Radioja Kitrra”, është radioja më e çuditshme në botë. E pate krijue ti, atëherë kur të shfaqej kitrra në dritare mëngjeseve të Rekës së Allagës, si shpresë e mbijetimit. Prej atëherë bashkëbisedimi ynë mori tjetër trajtë, kur ty të nevojiteshin lajmet nga kultura bash si ajri i pastër i Rugovës. “Kapërceje, kapërceje”, më thoshe për lajmet pa shije, plot burokraci pushtetare, e ndaleshim me orë kur fryma jote skënderbegase kërkonte hapësira të reja të gjuhës teatrore. Vdekja e artistit nuk ngjan, është e shpifur

E tash nuk dua ta heshti “Alo, Radio Kitrrën III – 2020”, e cila më është ba si një markë shpirtnore. Gjatë gjithë vitit, për çdo ditë, për çdo çast marr informacione nga kultura edhe për ty dhe vetëm e vetëm që në një ditë në vit, në Ditën tande, me anë të rezonancës tejqiellore, ta dëgjoj zanin nga planeti i panjohun. Njëmend, pse na the se andrron me ba shfaqje në një planet tjetër, kur shfaqjet e tua kishin marrë përmasat planetare?! Apo edhe kitrra ka ikur pas andrrës tande, sepse e ka marrë hanën për lajthi?! Alo… Bek, lajmërohu! Është ajo Radio virtuale që ma mësove si duket me qëllim që me mujtë më lehtë mungesën e vdekjes. Vdekja e artistit po thonë nuk ngjan, nuk ndodh, është një kategori e shpifur, është një ndërrim transcedental i gjendjes. “Ai nuk ka vdekë, kemi vdekë ne pa të, apo aq shumë ka marrë pjesë të jetës sonë me vete”, u shpreh Meli, i dashtun, me dashni për ty. Dhe, qe përnjëherë kontestohet vdekja dhe relativizohet koha, mungesa dhe fillon të flasë arti.