Kulturë

Ekspozita virtuale “Artistët në karantinë”

Veprat e gjashtë artistëve, që janë krijuar gjatë kohës së izolimit si pasojë e pandemisë, janë përmbledhur në ekspozitën virtuale “Artistët në karantinë”.

Artan Hajrullahu, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Driton Selmani, Edona Kryeziu dhe Lorik Sylejmani, i kanë sjellë para publikut veprat e tyre në ekspozitën e formatit digjital.

Nëpërmjet shëtitjes vizuale, vizitorët e ekspozitës kanë mundësi të shohin përmes ekranit kompjuterik veprat që janë rezultat i ndryshimit të normave sociale dhe i ritmit ditor të secilit njeri.

Punimet e ekspozitës “Artistët në karantinë” janë vendosur fizikisht në ambiente të Shtëpisë së Evropës në Prishtinë.

Kjo ngjarje është organizuar në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Situata e krijuar nga Covid-19 vazhdon t’i mbajë mbyllura për publikun galeritë në vendin tonë.