Kulturë

Koleksionisti Isufi me “Die Ose” çon në 47 kopjet e filmave ku luan Bekim Fehmiu

Katër djemve ua merr zemrën një vajzë e bukur e cila ka zgjedhur që t’i kalojë pushimet në bregdetin e Kroacisë. Ky është sinopsisi i shkurtër i filmit “Die Ose”, produksion i vitit 1963.

Bukuroshja e këtij filmi, regjinë e të cilit e ka bërë Jakov Lind, është aktorja serbe Branka Petriq, e cila më vonë do të bëhej gruaja e aktorit me origjinë shqiptare Bekim Fehmiu. E, aktori i cili e ka kaluar fëmijërinë në Prizren, portretizon njërin nga katër djelmoshat e rinj. Filmi bardhezi zgjat 45 minuta dhe është diçka në mes të komedisë dhe dramës. Një DVD e këtij filmi ka kohë që është ruajtur nga aktorja Petriq. Së fundi, kjo DVD është siguruar nga 30-vjeçari Edmond Isufi, që është koleksionues i flaktë i filmave ku luan Bekim Fehmiu.

Isufi ka disa ditë kohë që ta realizojë një kopje të kësaj DVD-je, në mënyrë që koleksionit të tij t’ia shtojë edhe një film. Ekzemplarin që e ka marrë do t’i duhet t’ia kthejë pronares së tij. Nga ato që ai ka mësuar, këtë DVD vetë regjisori Lind ia kishte dhuruar aktores Branka Petriq. Regjisori Jakov Lind, i lindur në Vjenë, njihet si njëri nga shkrimtarët me të mirë të pasluftës që ka pasur ky shtet, e që e kishte sfiduar veten edhe në regji, shkruan KOHA.

Image

Pasioni i Isufit për t’i mbledhur filmat ku luan Fehmiu ka nisur në vitin 2005. Deri tani, përfshirë edhe filmin “Die Ose”, ai ka siguruar 47 filma. Në Gjakovë, ku edhe jeton, ka një “mini-muze” me posterë e kopje filmash ku ka luajtur Fehmiu. Për filmin “Die Ose” kishte mësuar nga vetë aktori gjatë takimit të tyre të parë.

Isufi kishte arritur që ta takonte aktorin Fehmiu më 12 gusht 2009 në kinemanë ABC në Prishtinë dhe të shkrepte një fotografi me të. Ishin marrë vesh që të takoheshin prapë, por kjo ishte vizita e fundit e Fehmiut në Prishtinë, pasi ende pa u bërë një vit nga ky takim ai bëri vetëvrasje.

“Bekimi më ka treguar që ka luajtur në këtë film në vitin 1963, menjëherë pasi e kishte kryer shërbimin ushtarak. Por, në databazën e filmave nuk thotë që në këtë film luan Bekimi”, ka thënë Isufi. Fakti që ky film lidhet me takimin e vetëm që ka pasur me aktorin me famë botërore ia shton rëndësinë posedimit të këtij filmi.