Kulturë

Farkëtari i shtrenjtë i Llapit

Është ulur në një stol në kafenenë e djemve të tij, fare pranë vendit ku ka çuar më shumë se gjysmën e jetës duke punuar. Latif Azemi, nga Shakovica e Podujevës, tash është 83-vjeçar. “Japia” e tij e vogël në krah të godinës së re në të cilën ndodhet edhe kafeneja, është gati monumentale. E ndërtuar në vitin 1965, me tulla të dheut, është vendi ku ai ka punuar si farkëtar.

I rritur si jetim pa baba që nga mosha e tij 7-vjeçare, zejen e farkëtarit e mori nga daja i tij. E krahas kësaj mësoi sa ishte ushtar edhe se si mbathen kuajt. Këtë të dytën e quan “zanat aspak të lehtë”. Thotë se mund të ketë mbathur më shumë se 300 kuaj gjatë punës së tij, shkruan KOHA.

Puna me krenari

Nga ajo që e thotë Latif Azemi, historia e tij është e mbushur me punën e bërë me nder e krenari. Nga dalja e Prishtinës deri në hyrje të Podujevës, thotë se ka qenë i vetmi farkëtar. Ka qenë më i shtrenjti, por punën thotë se e ka bërë mirë.

Rrëfimi për veten, nis në datën e saktë të lindjes.

“Jam i lindur më 10.11.1937”, thotë ai, që kalon te mosha 7-vjeçare.

“Unë me u shkollu nuk pata pasë mundësi. Baba më ka lanë 7 vjeç, jam rrit jetim. Në shkollë s’kam mujt me shku, tani daja jem, Salih Prebreza në Besi, e ka pasë zanatin farkatar. Kam shku 3 vjet te ai e kam marrë zanatin”, tregon Azemi.

Rrëfen se është rritur nën kujdesin e kushërinjve të tij. Është pavarësuar me punë në vitin 1966, kur e ka hapur punëtorinë e tij, që i ka mbijetuar kohës.

“Këtu jom kanë me kushëri, edhe nanën e kam pasë. Ja kom nis me punu, e punë kom pas mirë, ia kom pa hairin boll. Kom fitu me to sa të thush”, thotë më tej Azemi, që me krenari tregon se katër herë ka blerë tokë nga serbët fqinjë.