Kulturë

Priftërinjtë shqiptarë dhe “një qëndrim i hapur antisllav”

Priftërinjtë shqiptarë dhe “një qëndrim i hapur antisllav”
Skicë që paraqet Pjetër Budin në lutje. Nga vepra

Sentimentit kundër priftërinjve dalmatinas e sllavë mund t’i shtohet edhe ndjenja e kultivuar e fuqishme antiturke, që e përçon qartazi peshkopi i Sapës, Pjetër Budi, në veprim­ta­rinë e tij të gjerë të botimeve, përkthimeve, të katekizmave, fja­lo­rëve dhe poezive që synojnë një rikthim në traditën skënder­begiane të rezistencës heroike antiosmane. Në fakt, siç shprehet Molnari, Budi “u përpoq që të përfshinin kombin shqiptar në ndërmarrjen evropiane antiosmane”. Bartl thotë se kudo në shprehjet e këtyre priftërinjve shqiptarë shihet “një qëndrim i hapur antisllav” dhe se në të gjitha këto ndoshta shihet “një formë embrionale e ndërgjegjes kom­bëtare shqiptare”

Faktori shqiptar konsiderohej tepër i rëndësishëm, së bashku me gjeografinë e tij pranë-bregdetare, për plane ambicioze kryengritëse. Kështu që, pothuajse i tërë shekulli XVI dhe një pjesë e madhe e shekullit XVII kanë njohur me dhjetëra plane, konspiracione e ambicie të shteteve italike, sidomos Spanjës, për të zhvilluar kryengritje dhe operacione ushtarake në një zmbrap­sje antiosmane. Tom Plesha, i dërguari “i të gjithë popujve të mbre­­të­risë së Maqedonisë e Shqipërisë” u shfaq në Romë më 1595 si akter i shumëpërmendur. Një shqiptar tjetër nga Tivari, Mark Samueli, u shfaq në maj 1596 dhe ia ofroi shërbimet e veta nuncit apostolik në Venedik për një rebelim në Shkodër, por duke aku­zuar bashkëvendësin e tij, Pleshën, për mashtrim. Më 1608, Nikolla Renesi viziton Hercegovinën e Shqipërinë në emër të spanjollëve për të dhënë lajmin e gatishmërisë së flotës spanjolle për t’u ardhur në ndihmë kryengritësve potencialë të Ballkanit. Mbretëria spanjolle kishte shpenzuar mbi 200 mijë dukatë në projektet e saja ambicioze në Shqipëri në këtë kohë. Në këto përpjekje, që shpesh sillnin akterë realë, por edhe aventurierë të ndryshëm, ishin plot ballkanas të tjerë, sikurse vojvoda Gërdan i Nikshiqit të Malit Zi, që ishte i lidhur me patrikun Jovan. Domenik Andrijasheviqi është një eksponent tjetër hercegovas, i cili shkon në Romë, Graz e Pragë për të kërkuar ndihmë për kryengritje në emër të hercegovasve. Por, edhe kryepeshkopi i Ohrit, Athanasi, më 1608 dërgoi tre persona në Romë për ta ndi­h­muar urgjent kryengritjen në Himarë, në bregdetin shqiptar.