Shpërngulja e shqiptarëve – plan shekullor i politikës serbe
Shpërngulja masive me dhunë e shqiptarëve nga trojet e tyre – që filluan në vitin 1877/1878, e për të vazhduar edhe më vonë, pas largimit të Perandorisë Osmane nga këto troje, gjatë luftërave ballkanike, pikërisht në vitet 19121915, pastaj midis dy luftërave botërore (1919-1941) dhe pas Luftës së Dytë Botërore (periudha midis viteve 1950-1960), e deri në vitin 1998-1999, kur afërsisht mbi 800 mijë persona lanë vendin e tyre dhe u drejtuan për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi etj., si dhe në vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë – paraqet një nga tragjeditë më të mëdha që i ka ndodhur këtij populli.
Shpërngulja masive me dhunë e shqiptarëve nga Kosova gjatë kë tyre periudhave dihet mirëfilli se lidhet me procesin e politikave shkombëtarizuese që ndiqnin qarqet drejtuese serbe të Beogradit ndaj popullatës autoktone në këto vise dhe me pretendimet territoriale të serbëve në dëm të tokave shqiptare dhe popullatës së saj.
Në të vërtetë gjenocidi i fundit i serbëve kundër shqiptarëve të Kosovës u realizua mbi bazën e një plani të mirëpërcaktuar nga Beogradi shumë kohë më parapara që mbante emrin “Operacioni Patkoi”. Mbi bazën e këtij plani famëkeq rifilloi dhuna e hapur në Kosovë më 1998, dhe sipas një skenari të mirëpërgatitur ishte paraparë dhe filloi edhe shpërngulja e 800 mijë shqiptarëve nga Kosova dhe vendosja e po aq serbëve të sjellë nga Bosnja dhe Kroacia.
Në të vërtetë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga Kosova midis viteve 1998-1999, ndonëse e shkurtër, ajo, si asnjëherë më parë, ishte shumë masive, sepse, sikurse u tha, afërsisht mbi 800 mijë persona lanë vendin e tyre dhe u drejtuan kush si mundi dhe kah mundi, shumica u vendosen në Shqipëri po edhe dhe në vendet e tjera fqinje.
Shteti amë – streha e parë
Sikundër në të gjitha periudhat e mëhershme, pra edhe në këtë të fundit, të parëve që do t’u kenë rënë hise dhe barra kryesore për të strehuar dhe mirëpritur shumë nga vëllezërit e tyre të shpërngulur me dhunë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi kanë qenë pa dyshim Shteti Shqiptar dhe popullata mikpritëse e tij. Kështu, vetëm në luftën e fundit në Kosovë (1998-1999), Shqipëria ishte, pa dyshim, u bë jo vetëm pritësja e parë e të dëbuarve me dhunë nga vatrat e tyre, por ajo akomodoi dhe u përkujdes për rreth 65-70 për qind të numrit të përgjithshëm të rreth 800 mijë shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova.
Duke analizuar kronologjinë e ngjarjeve për etapën e fundit, pra atë të vajtjes së shqiptarëve nga Kosova në Shqipëri midis viteve 1998-1999, vërejmë se brenda saj mund të përcaktohen dy faza. Faza e parë filloi nga 2 shkurti 1998 dhe zgjati deri në 28 janar 1999. Për shkak të luftimeve në Kosovë midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qindra mijëra shqiptarë për t’i shpëtuar terrorit serb braktisën shtëpitë e tyre dhe u zhvendosën në qendra të tjera banimi ose në male. Rreth 100 mijë veta dolën jashtë Kosovës dhe deri në nëntor 1998, 15 mijë e 929 ose 15,9 për qind e të larguarve u strehuan në Shqipëri.