Kulturë

“T’padashtun” vjen me dramën e pasojave të luftës së 1999-s

Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Kohavisionin, të dielën, prej orës 20:30, sjellin premierën televizive të filmit “T’padashtun”, me skenar dhe regji të Edon Rizvanollit.

Në rolet kryesore në film shfaqen aktorja kosovare Adriana Matoshi dhe aktori holandez Jason de Ridder, derisa filmi është dramë që merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. “T’padashtun” trajton ngjarjen e një adoleshenti, i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij e vë para situatave të cilat nuk i kupton. Filmi është prodhim i vitit 2017 dhe ishte propozimi i Kosovës për nominim për “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.

Ishte Festivali i Filmit Karlovy Vary i Çekisë, ku në korrik të 2017-s “T’padashtun” u dha premierë botërore, e në shtator të 2018-s u dha premierë vendore në “PriFilmFest”. Vazhdoi rrugëtimin në disa festivale prestigjioze të kategorisë “A”, si në “LA Screenings”, në Festivalin e Filmit në Kajro e të tjera.

“T’padashtun” shkon edhe përtej dramës rrëqethëse të një familjeje refugjate nga Kosova, e cila jeton në Holandë dhe ballafaqohet me një dashuri që zgjon shumë plagë të së kaluarës së afërt nga lufta në Kosovë

e 1999-s. Personazhet përballen me një luftë të brendshme që vjen si pasojë e identiteteve të paracaktuara e të fatit që s’e kanë në dorë. Por beteja kryesore është ajo me pranimin e shumëfishtë: pranimi i së vërtetës për veten, përballë tjetrit apo pranimi i një qenieje që dikur ishte e padëshiruar. Një grua e dhunuar nga serbët, një fëmijë i lindur nga kjo histori e trishtueshme, një lidhje dashurie rioshësh që zbardh këtë histori, janë trekëndëshi brenda të cilit ndërtohet rrëfimi i “T’padashtun” që shfaqet sonte në KTV.